Banorët, akuza ARRSH për vonesat, rrezikun dhe kompensimin e tokës

543
Banorët e fshatrave përgjatë aksit rrugor Qukës-Qafë Plloçë, janë ngritur në protesta dhe akuzojnë për vonesat, ndërprerjen e punimeve dhe allishverishet e kompensimit të tokës, Autoritetin Rrugor Shqiptar, Hipotekën e Librazhdit, Kadastrën e rrethit dhe zyrtarët e tjerë vendorë e qendrorë. Prej disa muajsh banorët e fshatrave Qukës dhe Karkavec po përballen me rrezikun e madh dhe fatal të rrëshqitjeve të afro 250 banesave drejt lumit Shkumbin, pasi firmat ndërtuese dhe ARRSH nuk kanë zbatuar rregullat e sigurimit teknik, projektin e rrugës dhe nuk kanë marrë dakordësi nga ata për asnjë veprim ndërtues. Aksi rrugor nga Qukësi drejt Qafë Plloçës ka një gjatësi prej 25 km dhe punimet kanë afro 6 vjet që kanë nisur, por ato prej 2 vitesh kanë mbetur pezull, duke krijuar një situatë kaotike dhe rrezik serioz për banorët e fshatrave Karkavec dhe 15 fshatrave të tjera përgjatë këtij aksi rrugor. 

Agim Leka një banor nga fshati Qukës tha për “Telegraf” se, “si qeveria e mëparshme ashtu edhe kjo e sotmja ka punuar dhe po punojnë kundër interesave tona, rruga ka krijuar një situatë skandaloze për ne, familjet tona, biznesi bujqësor dhe blegtoral po falimentojnë dhe më kryesorja është se ndërprerjet e punimeve po e rrezikojnë seriozisht fshatin tonë dhe banesat e Karkavecit të rrëshqasin drejt Shkumbinit, kjo pasi firmat kanë ikur dhe gjithçka ka mbetur si e shkretë, nuk kemi kujt t’i ankohemi. Autoriteti Rrugor Shqiptar nuk merr mundimin të vijë dhe të flasë me ne, të dëgjojë hallet tona”. Ky banor tha se, “edhe shpronësimet e bëra janë skandaloze, abuzive, pasi na e kanë shpronësuar tokën me 1480 lekë të vjetra metri katror, një vlerë sa qesharake aq edhe e turpshme dhe pavarësisht se kemi kërkuar diskutime dhe sqarime nga ARRSH, kjo e fundit as nuk ka marrë mundimin të na përgjigjet qoftë edhe negativisht”. Por një problem tjetër edhe më shumë shqetësues për banorët e 15 fshatrave nga Qukësi drejt Qafë Plloçës, mbetet katrahura e bërë nga Kadastra dhe Hipoteka e Librazhdit, e cila ka nxjerrë pronarë të rinj tek tokat e atyre fshatarëve.

 Banorët u shprehën se, “me trojet tona janë bërë dhe po bëhen spekulime, mashtrime dhe pronësime të paligjshme, ne jemi vendalinj aty prej 300 apo 400 vitesh, ndërkohë që kufitarë me ne, apo edhe pronarë në tokat tona na dalin persona që as njihen nga ne, dhe as kanë qenë ndonjëherë në fshatrat e zonës tonë, dhe gjithë kjo situatë ka ardhur e stimuluar nga zyrtarë vendorë dhe ata në Tiranë, ndaj kërkojmë nga qeveria të ndërhyjë, nga kreu i ri i Ministrisë së Drejtësisë zoti Ylli Manjani, të vendosë zbatimin e ligjit edhe për shkeljet ligjore të nxjerrë para ligjit, çdo njeri dhe zyrtar përgjegjës”. Vonesat, ndërprerjet e punimeve dhe shqetësimi banorët të Qukësit, Karkavecit, dhe fshatrave në zonën e Qafë Plloçës, tregon shkallë e papërgjegjshmërisë dhe korrupsionit që ka sektori ndërtimit të rrugëve. Pretendimi ARRSH se, “nuk ka fonde për mbarimin e aksit rrugor”, mbetet për banorët një mashtrim dhe abuzim i pastër, pasi fondet për aksin rrugor nga Qukësi deri në Qafë Plloçë janë lëvruar, por destinacioni i tyre nuk dihet. Banorët e asaj zone kërkojnë vazhdimin e punimeve dhe rikthimin e jetës normale, pasi u bënë vite që jetojnë si kafshë dhe me frikën se një ditë mund të gdhihen në ujërat e ftohta të Shkumbinit, nga papërgjegjshmëria e drejtuesve dhe zyrtarëve të këtij shteti.

Sigal

Ilir  DURMISHI