“Bankers” në 2015 u rimbursua me 2, 1 miliardë lekë edhe pse ka 10 vjet që nuk paguan taksa

575
Prej pesë vjetësh kompanisë kanadeze “Bankers” nuk i është bërë asnjë kontroll nga administrata tatimore, por kjo e fundit nuk ka hezituar që t’i paguajë kompanisë rimbursimin e TVSH-së. Kjo është bërë e ditur publikisht edhe nga Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve. Që nga fillimi i këtij viti, Drejtoria Rajonale e Tatimeve i ka rimbursuar kompanisë rreth 2 miliardë lekë Tatim mbi Vlerën e Shtuar mbi mallrat dhe shërbimet brenda vendit. Po kështu qeveria ‘Berisha’ gjatë vitit 2013 e ka gjobitur “Bankers” për mospagim të taksës së karbonit dhe rentës minerare. Por kompania jo vetëm që nuk i ka paguar këto gjoba, por ka fituar të drejtën nga Gjykata e Shkallës së Parë të Tiranës dhe nga Gjykata e Apelit. Në zbatim të këtyre vendimeve nga Thesari në muajin shkurt të 2015-ës, “Bankers” i janë rimbursuar edhe 1.2 miliardë lekë. Në fakt përjashtimet nga këto taksa janë përcaktuar që në fillim të marrëveshjes mes qeverisë “Nano” dhe kësaj kompanie që në vitin 2004. Por mazhoranca e sotme akuzon qeverinë paraardhëse për lidhje me “Bankers” dhe favorizim të saj, duke e përjashtuar nga çdo lloj detyrimi fiskal. Edhe në marrëveshjen e dytë ndryshuese në nëntor të vitit të kaluar qeveria aktuale firmosi sërish në favor të “Bankers” duke e përjashtuar atë nga efektet negative të paketës së re fiskale, që parashikohen në nenin 1.1 të këtij ligji. Kjo nismë e qeverisë që e përjashtoi nga TVSH për naftën të cilën kompania importon për të kryer operacionet e kërkim zhvillimit, i kushton buxhetit të shtetit 200 milionë lekë. 
MARRËVESHJA E QEVERISË “BERISHA” ME “BANKERS” 
Në vitin 2010, qeveria “Berisha” miratoi ndryshimin e kontratës me “Bankers” për ta lehtësuar nga pagesa e rentës minerare. Kjo pagesë u fut në kosto duke rritur shpenzimet dhe duke ulur mundësinë që shteti të marrë pjesë në fitim. “Kjo shtesë e marrëveshjes është bërë dhe ka hyrë në fuqi nga data 8 dhjetor 2008 me pjesëmarrjen e Albpetrol sh.a. dhe “Bankers”. Duke pasur parasysh që marrëveshja hidrokarbure e datës 19 qershor 2004 është përgatitur nga dhe me pjesëmarrjen e palëve ‘Saxon International Energy Ltd’ (tani Bankers Petroleum Albania Ltd) dhe Albpetrolit”, nënvizohet në krye të dokumentit. Pra, ky është dokumenti që zyrtarizon në kontratë emrin e “Bankers”. Meqenëse në 28 korrik 2008, hyri në fuqi ligji që trajton çështjen e rentës minerare, sipas të cilit kjo taksë duhet të paguhet nga kontraktori që merret me prodhimin e hidrokarbureve, qeveria u kujdes që të lehtësonte kompaninë “Bankers” nga ky detyrim. Megjithëse renta minerare do të paguhet, sipas ligjit, në organet tatimore, vlera e saj do të mbahet nga kontraktori në sasinë korresponduese të prodhimit të naftës. “Nafta gjendje do të matet në pikën e peshimit dhe do të ndahet siç parashikohet në këtë marrëveshje. Nafta gjendje do të ndahet midis qeverisë (“Renta minerare”) “Albpetrolit” (“Pjesa e Albpetrolit”), AKBN-së (“Pjesa e AKBN-së”) dhe kontraktorit (“Mbulimi i shpenzimeve hidrokarbure”)”, nënvizohet në marrëveshje. Një shfrytëzim tipik kolonial i mbërthyer me një kontratë 25-vjeçare. Marrëveshja Berisha-Bankers sanksionon se deri në fund të marrëveshjes, “Bankers” do të marrë jo më pak se 85% të prodhimit për mbulimin e kostove. Sipas marrëveshjes, “Përfshirja e vlerës e barabartë me vlerën e rentës minerare ose të një pjese të saj si kosto hidrokarbure lehtëson impaktin negativ të implementimit të rentës minerare”. Nuk dihet nëse, “Bankers” paraqiti ndonjë plan zhvillimi, (planin që kërkon Kryeministri Rama), por aty ka një paragraf që thotë se kjo marrëveshje nënshkruhet “duke pasur parasysh që palët e dinë që aprovimi i planit të zhvillimit për zbulime të tilla nafte kushtëzohet nga rënia dakord në unanimitet e palëve”. Një paragraf tjetër që lidhet me licencën thekson: “duke pasur parasysh që marrëveshja hidrokarbure lidhet me licencë-marrëveshjen për zhvillimin dhe prodhimin hidrokarbure në fushën naftëmbajtëse të Patos Marinzës të datës 7 qershor 2004?. Pra, “Bankers” ka marrë licencën e “Saxon”, që në fakt, kjo e fundit nuk paraqiti një plan zhvillimi.
MARRËVESHJA 2014 QEVERIA “RAMA” ME BANKERS 
Qeveria “Rama” nënshkroi marrëveshjen tjetër me “Bankers”, e cila është e ngjashme me atë që nënshkroi qeveria e mëparshme. Kjo marrëveshje nuk merret me kushtet (planin e zhvillimit etj.), por kujdeset për lehtësimin e kompanisë nga akciza. Ligji për akcizat parashikonte përjashtime nga taksa e akcizës për importimin e nënprodukteve të naftës (për nevojat e veta, nga subjektet e kërkimit të naftës dhe të vënies në shfrytëzim të zonave naftëmbajtëse), që përdoren në operacionet hidrokarbure. Ndryshimet fiskale e kanë shfuqizuar këtë përjashtim duke filluar nga 1 prilli 2014. Si rezultat i këtij shfuqizimi, kontraktori është i detyruar të paguajë taksën e akcizës sipas ligjit, në para (cash) tek autoritetet doganore për importin e mallrave që i nënshtrohen taksës së akcizës. Një shumë të barabartë me vlerën e taksës së akcizës e paguar nga kontraktori pas datës 1 prill 2014 do të alokohet te kontraktori nga nafta e disponueshme dhe do të përfshihet si kosto hidrokarbure. E njëjta gjë vendoset edhe për taksën e karbonit dhe atë të qarkullimit. Ajo që është interesante në këtë marrëveshje është pjesa e trajtimit të mosmarrëveshjeve. “Nëse do të ketë mosmarrëveshje rreth ndryshimeve të propozuara, atëherë mosmarrëveshja do të dërgohet për zgjidhje te një ekspert, i cili do të caktohej sipas procedurave të parashikuara në nenin 25.4 të Licencë-Marrëveshjes. Eksperti do të përpiqet të gjejë një zgjidhje brenda gjashtëdhjetë (60) ditëve nga emërimi i tij”. A do të veprohet në këtë mënyrë për auditimin e shpenzimeve të pretenduara nga kompania, apo do të shkohet në Arbitrazhin ndërkombëtar? Meqenëse të tri qeveritë e fundit i kanë bërë favore “Bankers”, mund të mos ndodhë asgjë.
Sigal