Banka e Shqipërisë: Sektori bankar të vlerësojë me kujdes rreziqet e reja të shkaktuara nga lufta në Ukrainë

181
Sigal

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë miratoi sot Dekalratën dhe Raportin e Stabilitetit Financiar për gjashtëmujorin e dytë të vitit 2021. Deklarata vlerëson se në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2021, veprimtaria e sektorit bankar u zhvillua në mënyrë të qëndrueshme. Depozitat dhe kreditë u rritën me ritme të shpejta, cilësia e kredisë vijoi përmirësimin dhe treguesit e tjerë të qëndrueshmërisë financiare mbetën në nivele të përshtatshme. Sipas Deklaratës, ekspozimi i sektorit bankar ndaj rreziqeve u paraqit i kontrolluar. Zhvillimet ekonomike përgjatë vitit 2021 ishin mjaft pozitive, ndonëse rritja ekonomike, ulja e normës së papunësisë dhe goditjet nga krahu i ofertës, u shoqëruan me rritje të presioneve inflacioniste në fund të periudhës.

Megjithatë, Deklarata vlerëson se agresioni ushtarak në Ukrainë dhe sanksionet ndaj Rusisë, kanë ashpërsuar më tej problemet globale me zinxhirët e prodhimit dhe ofertën, duke ndikuar në rritjen e mëtejshme të çmimit të naftës e gazit, të drithërave dhe të metaleve. Projeksionet e reja sugjerojnë presione të qëndrueshme inflacioniste në afat të shkurtër, të cilat mund të shoqërohen me rritje të kostove të prodhimit, rënie të konsumit dhe të investimeve, pra me ngadalësim të rritjes ekonomike. Reagimi i politikave ekonomike dhe financiare për të zbutur këtë goditje, vlerësohet i përshtatshëm në kushtet kur pasiguritë rreth zhvillimeve gjeopolitike dhe situatës energjitike, janë të konsiderueshme.

Sipas Këshillit Mbikëqyrës, këto zhvillime evidentojnë nevojën që politikat ekonomike dhe financiare të ruajnë elementët e fleksibilitetit për të reaguar në linjë me dinamikën e zhvillimeve. “Ekspozimi i drejtpërdrejt i sektorit bankar ndaj vendeve në konfliktin e mësipërm, është i vogël dhe nuk do të ndikojë në treguesit e qëndrueshmërisë financiare të veprimtarisë. Por, ekspozimi i tërthortë përcaktohet nga ecuria e ekonomisë, qëndrueshmëria makroekonomike dhe performanca e huamarrësve. Si edhe më parë, për sektorin bankar mbetet aktuale rëndësia e vlerësimit të rregullt të shkallës së ekspozimit ndaj rreziqeve te reja dhe e ruajtjes së një qëndrimi proaktiv në drejtim të marrjes së masave për zbutjen dhe përballimin e tyre. Në këtë drejtim, Banka e Shqipërisë mbetet e gatshme të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme sipas ligjit, për të mbështetur veprimtarinë bankare dhe kontribuar në stabilitetin e sistemit financiar,” tuhet në Deklaratë.

Në mbledhjen e sotme, Këshilli Mbikëqyrës vendosi gjithashtu rizgjedhjen e Natasha Ahmetajt në funksionin e Zëvendësguvernatorit të Dytë të Bankës së Shqipërisë. Natasha Ahmetaj e mbajti këtë detyrë deri në dhjetor 2021, kur përfundoi edhe mandati i saj i parë si anëtare e Këshillit Mbikëqyrës. Në fund të muajit mars, ajo u votua nga Kuvendi përsëri si anëtare e Këshillit, së bashku me Anastas Angjelin.