Zv.Kryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, me vendim të Gjykatës Kushtetuese, do të rikthehet në detyrë. Me shumicë votash, u vendos pezullimi i vendimit të GJKKO-së i datës 20 nëntor. Më herët, Gjykata kishte vendosur të merrte në shqyrtim ankimin e Kryeministrit Rama për një përplasje kompetencash së krijuar nga akti i GJKKO-së
Sapo vendimI i kësaj të premteje i Kushtetueses të botohet në Fletoren Zyrtare, zëvendës kryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku është e lirë të rikthehet në zyrën e saj.
Gjykata arriti në përfundimin se “vazhdimi i masës ndaluese “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” ndaj shtetases Belinda Balluku, njëkohësisht zëvendëskryeministre dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, rrezikon të sjellë pasoja që prekin interesat shtetërorë gjatë ushtrimit të kompetencave kushtetuese të pushtetit ekzekutiv në drejtim të përcaktimit të politikave të përgjithshme shtetërore.”
Tre gjyqtarë, Asim Vokshi, Ilir Toska dhe Marsida Xhaferllari, ishin kundër pushimit të efekteve të pezullimit të Ballukut. Sipas tyre:
“pezullimi i vendimeve gjyqësore të shkallës së parë, që presin të shqyrtohen në apel shkakton pasoja të tilla, që jo vetëm nuk zgjidhin ndonjë mosmarrëveshje kushtetuese, por dëmtojnë ekuilibrin e drejtë kushtetues që duhet të ekzistojë midis interesave që janë të pranishëm në çështjen konkrete (nga njëra anë miradministrimi dhe pavarësia e pushtetit gjyqësor, ndërsa nga ana tjetër ushtrimi i rregullt i kompetencave nga organet kushtetuese, Kryeministri, Këshilli i Ministrave, Prokuroria e Posaçme dhe Gjykata e Posaçme).”
Kryeministri Rama i cili që në momentin e parë foli për një ndërhyrje brutale të një pushteti si ai gjyqësor, në kompetencat e një pushteti tjetër, si ai ekzekutiv, mund t’i gëzohet kështu një suksesi të parë.
Më herët, trupa e 8 anëtarëve aktualë të Gjykatës Kushtetuese, po me shumicë votash, 5 me 3, kishte vendosur edhe kalimin për shqyrtim të ankimit të Ramës, duke e legjitimuar atë si palë në proces.
“Me shumicë votash, kalimin e çështjes për shqyrtim në seancë plenare publike për shkak të interesit të lartë publik që ka kjo çështje dhe thirrjen në cilësinë e subjekteve të interesuara të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, Kuvendit të Shqipërisë dhe Presidentit të Republikës”, njoftoi Gjykata Kushtetuese.
Seanca publike u caktua të mbahet më 22 janar, nga ora 10:00 për shqyrtimin e ankimit, për të cilin do të shprehet nëse GJKKO ka fuqi për pezullimin e një anëtar të Këshillit të Ministrave. Në këtë seancë, përveç qeverisë, Kushtetuesja ka thirrur edhe përfaqësuesë nga Prokuroria dhe Gjykata e Posaçme, si dhe nga parlamenti e Presidenca si subjekte të interesuara.
Pezullimi i vendimit të GJKKO-së që e rikthen në detyrë Ballukun, nuk prek masën tjetër të sigurimit ndaj saj, atë të ndalimit të daljes jashtë shtetit, masë kjo e paankimuar nga qeveria. Pasaporta e zv/Kryeministres vijon të jetë e bllokuar.
Gjykata Kushtetuese, e cila në kohën e seancës më 22 janar do të ketë drejtues të ri, do duhet të zgjidhë konfliktin e kompetencave GJKKO-Këshilli i Ministrave, pra nëse Gjykata e Posaçme ka ekskluzivitet për të pezulluar nga detyra një anëtar qeverie. Kjo është vetëm një prej pikave të ankimit të Ramës, i cili shfuqizimin përfundimtar të vendimit të GJKKO-së.
Në ankim, kryeministri i kërkon Gjykatës Kushtetuese të interpretojë dhe nenin 103 të Kushtetutës, i cili i njeh anëtarit të Qeverisë imunitetin e deputetit.
Më 20 nëntor, Gjykata e Posaçme pezulloi nga detyra Belinda Ballukun në 2 pozicionet e saj qeveritare, duke i ndaluar gjithashtu të drejtën për të dalë jashtë vendit. Ajo është marrë e pandehur për procedurat në tenderin e tunelit të Llogorasë dhe është nën hetim për tenderin e Lotit 4 të Unazës së Madhe. Në të dy rastet, dyshohet se fituesi është paracaktuar.





















