Bajrami, KMSH apel qeverisë për ndërtimin e Xhamisë së re

640
Sigal

TIRANE– Pas një muaji agjërim, besimtarët myslimanë festojnë sot festën e Fiter Bajramit. Ceremonia e faljes së Bajramit nga besimtarët myslimanë u bë si çdo vit në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Bajrami u fal në orën 6:23, duke mbyllur kështu edhe muajin e madhërueshëm të Ramazanit. Gjithashtu vend falje e Bajramit është bërë edhe në segmentin rrugor të rrugës “Myslym Shyri” që bashkohet me bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, i cili shërbeu për faljen e grave. Në ditën e Fiter Bajramit, besimtarët myslimanë i kanë bërë apel qeverisë për ndërtimin e xhamisë së madhe. Këtij apeli i është bashkuar edhe Myftiu i Tiranës, Ylli Gurra, i cili duke iu drejtuar kryeministrit Rama, ka kërkuar që qeveria të marrë parasysh kërkesat e tyre. Sipas Gurrës, besimtarët myslimanë duan të kenë një vend ky të falen. Një ditë më parë, Kreu i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Skënder Bruçaj, uroi besimtarët për festën e Fiter Bajramit, si dhe u lut për viktimat e Gazës duke bërë thirrje për shuarjen e luftës.

Plani i masave për faljen e Bajramit
Namazi i Bajramit u fal në orën 06:23 në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, segmenti para ish-hotel “Dajtit”. Për të mos cënuar hapësirën publike dhe për të krijuar lehtësi në lëvizjen e qytetarë, Komunitetit Mysliman i Shqipërisë përgatiti një plan masash organizative. Besimtarëve nuk iu desh të merrnin sexhde apo mjete të tjera për të falur namazin pasi e gjithë sipërfaqja ishte e shtruar me material të posacëm. Nga ana tjetër KMSH në bashkëpunim me Policinë Rrugore ka përgatitur planin e masave për menaxhimin e lëvizjes së mjeteve dhe këmbësorëve në kuadër të kësaj feste. Duke filluar nga ora 24:00 deri në orën 08:00 të mëngjesit të sotëm, pati kufizim të lëvizjes së mjeteve në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, si dhe në pjesën jugore të sheshit “Skënderbej”.  Trotuarët ndërkaq, kanë qenë të lirë për lëvizjen e qytetarëve përgjatë gjithë gjatësisë së tyre duke u kufizuar me vendine faljes së beimtarëve me ndarëse metalike dhe shirit sinjalizues.

Politika përcjell urime për Fiter Bajramin

TIRANE– Në festën e Fiter Bajramit nuk kanë munguar urimet e politikës shqiptare. Kryeministri Rama ka përcjellë urimet nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë. Në mesazhin e tij, kreu i qeverisë ka uruar të gjithë shqiptarët për festën e Fiter Bajramit, duke u shprehur se “në këtë ditë jemi të gjithë të barabartë”.

Po kështu edhe deputeti i Partisë Socialiste Pandeli Majko ka uruar shqiptarët për më shumë paqe e begati.

Nishani: Urimet më të mira të gjithë besimtarëve myslimanë
Në ditën e Fiter Bajramit nuk ka munguar edhe urimi nga Presidenti Bujar Nishani. Pas vizitës në Komunitetin Mysliman, kreu i shtetit përcolli mesazhin e urimit për të gjithë besimtarët myslimanë, ndërsa shtoi se “Nderojmë klerikët myslimanë që kontribuuan për vendin”.

Meta: Të reflektojmë për një të ardhme më të mirë
Kreu i Kuvendit Ilir Meta në urimin e tij për të gjithë shqiptarët për festën e Fiter Bajramit, tha se kjo është një ditë për të reflektuar për një të ardhme më të mirë. “I uroj të gjithë shqiptarëve dhe besimtarëve myslimanë gëzuar Fiter Bajramin. Është një ditë kur duhet të tregohemi më të gatshëm për të reflektuar për një të ardhme më të mirë për gjithë vendin. Sot është një festë që nuk duhet të ndikohet nga zhvillimet e javës”, u shpreh kreu i Kuvendit Ilir Meta, njëherësh kreu i LSI.

Basha: Askush mos t’i ikë përgjegjësisë, të mbahet premtimi për Xhaminë e madhe
Kreu i PD Lulzim Basha, ndërsa ka uruar besimtarët myslimanë për festën e Fiter Bajramit, është ndalur tek çështja e Xhamisë së Madhe të Tiranës. Kreu i PD, njëherësh kryetar i Bashkisë së Tiranës ka bërë apel që “të mos i ikë askush përgjegjësisë, por të mbahet premtimi për nderimin e xhamisë së madhe”.

“Uroj që besimtarë që agjëruan prej 1 muaji të shpërblehen për sakrificën e tyre. Uroj gjithashtu që askush të mos i ikë përgjegjësisë në këtë komunitet, dhe askush të mos i ikë përgjegjësisë për premtimin për ndërtimin e xhamisë së madhe, si një premtim i kahershëm. Uroj që ky muaj reflektimi, faljesh, lutjesh, të na shërbejë sa më mirë për të realizuar këtë projekt, dhe për të na dhënë forcë dhe vizion të gjithëve për të zgjedhur rrugën e drejtë përmes vendimeve të drejta, duke i shërbyer qeverisë”, tha Basha.

Arvizu: Gëzuar Bajramin! Për reformën duhet kompromis
Për festën e Bajramit ka përcjellë urime edhe ambasadori i SHBA në Tiranë, Aleksander Arvizu, pas vizitës në Komunitetin Mysliman. Duke uruar besimtarët myslimanë për Fiter Bajramin, ambasadori Arvizu tha se qeveria ka bërë punë të mirë. I pyetur për reformën territoriale, ambasadori Arvizu tha se “duhet të merren parasysh sugjerimet. Kompromisi është rruga më e mirë”.

Idrizi: Falja në rrugë të marrë fund, apel qeverisë të nisë ndërtimin e xhamisë
Kreu i PDIU Shpëtim Idrizi, duke uruar besimtarët myslimane për festën e Fiter Bajramit, i ka bërë apel qeverisë që të nisë ndërtimin e Xhamisë së Madhe të Tiranës. Sipas Idrizit, besimtarët myslimanë shqiptarë “meritojnë dinjitet”. “Uroj të gjithë besimtarët gëzuar festën e Fiter Bajramit. Mora pjesë në faljen e Fiter Bajramit për t’u solidarizuar me besimtarët myslimanë. Falja në rrugë duhet të marrë fund, i bëj apel qeverisë të nisë ndërtimin e Xhamisë së madhe të Tiranës. Besimtarët myslimane meritojnë dinjitet”, Shpëtim Idrizi.