BAJRAM CURRI, “Faqe të zezë vetit s’i la”

1054
Gëzim Prengzi
Me rastin e 93-vjetorit të vrasjes së Heroit të Popullit, Bajram Curri…varrimi i tij javën e parë të prillit të 1925-s
Hero i Popullit Bajram Curri lindi në Gjakovë. Të parët e tij u shquan si luftëtare në kryengritjet antiosmane. Bajram Curri u shqua si veprimtar i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare të Rilindjes, duke qenë një ndër udhëheqësit politikë e ushtarakë të kryengritjeve popullore kundër osmane dhe të luftës për çlirim e bashkim kombëtar të vendit… Konflikti midis dy familjeve të mëdha gjakovare “Curri” e “Kryeziu” i ka fillesat herët kur këto synonin kreun e Gjakovës. Ky konflikt megjithëse herë fshihej e herë shfaqej, mbeti i gjallë. Kryezinjtë ose Riza beg Kryeziu ishin të kamur e gëzonin privilegje të mëdha, ndërsa familja “Curri” nuk kishin pasuri as nuk ishin bajraktarë por gëzonin reputacion si familje atdhedashëse. “Lidhja e Pejës” 1899-1900 u përgatit dhe u organizua nga Haxhi Zeka e B. Curri, të cilët hasën në kundërshtinë e fortë të Riza Kryeziut, i cili mbajti qëndrime negative deri në Kuvendin e Junikut. B. Curri merr pjesë si drejtues në kryengritjet e viteve 1908-1912 kur mbërrin fitimtar në Shkup bashkë me Hasan Prishtinën. Shpallja e Pavarësisë e gëzoi pa masë, por vendimet e padrejta të Konferencës së Londrës 1913 që lanë jashtë kufirit të shtetit amë Kosovën e viset e tjera e obligojnë më shumë për çështjen kombëtare. Më 1913 Bajram Curri njihet me një djalë 18 vjeçar, Ahmet Zogun, dhe më 1914 të dy do ishin në mbrojtje të Princ Vidit. Pas një plagosjeje me atentat nga Ceno begi, Bajram Curri arratiset për disa vite në Vjenë por pa u shkëputur nga çështja kombëtare. Më 1 maj 1918, në Shkodër formohet Komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, kryetar ishte Hoxha Kadri Prishtina dhe Bajram Curri do të ishte nga anëtarët më aktivë të saj. Ky Komitet në vitet 1920, 21, 22, 23 u përpoq të organizojë kryengritje për çlirimin e Kosovës dhe kishin prioritet bashkimin e saj me shtetin amë, por Ahmet Zogu nuk i përkrahu. Më 1920 Qeveria e kryesuar nga S. Delvina e fton B. Currin në postin e min. pa portofol, ndërsa A. Zogu min.i brendshëm. Deri këtu nuk kishte gjurmë konfliktesh mes tyre. Dhjetori i vitit 1923 ndërron 4 qeveri në një muaj, ajo me kryemin. Xhafer Ypin e emëron A. Zogun min.të brendshëm. B. Curri e kundërshton këtë zgjedhje duke u kthyer në një nga kundërshtarët më të ashpër të saj dhe synonte rrëzimin e saj. Organizimi i një kryengritjeje për rrëzimin e qeverisë nga B. Curri e Elez Isufi në mars 1922 nuk arriti sinonimin, pasi vetëm E. Isufi hyri në Tiranë. Situatën e qetësoi ambasadori britanik me ndërhyrjen e tij. Konflikti mes B. Currit e A. Zogut mori përmasa aq sa me insistimin e Zogut, i hiqen gradat, nxirret jashtë ligjit dhe dënohet me vdekje B. Curri. Më 1922, A. Zogu fejon motrën e tij Nafijen me Ceno beg Kryeziun, ky moment nuk mund të kalojë pa lënë gjurmë, pasi ky kishte lidhje të forta me Beogradin, kjo i vinte përshtat edhe A. Zogut për të shuar lëvizjet e Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” ku B. Curri kishte ndikim të fortë. Vrasja e A. Rustemit dhe Revolucioni i nisur nga B. Curri në Malësinë e Gjakovës duke mbërritur në Tiranë, rrëzon Qeverinë e Zogut që arratiset jashtë shtetit. Në qeverinë e Nolit B. Curri nuk mori asnjë post zyrtar por pranoi të dalë në pension, te paktën kështu u tha…megjithatë B. Currin në gusht e shohim me L. Gurakuqin në Vjenë në Lidhjen e Kombeve. Ndërkohë A. Zogu i ndihmuar nga Serbia e Pashiçit po përgatitej të hynte në Shqipëri. Me 10 dhjetor i shoqëruar me forca të shumta bjellogardiste të armatosura e që paguheshin me napolona ari pas një qëndrese të fortë në Peshkopi nga forcat e E. Isufit, i cili plagoset dhe vdes nga plagët, A. Zogu hyn në Tirane. Fan Noli dhe përkrahësit e tij largohen jashtë shtetit, përveç B. Currit, i cili qëndron në Shqipëri për të nisur duelin historik. Në fillim të vitit 1925 A. Zogu emëron kunatin e tij Ceno Begun si komandant Operacioni për Veriun për të eliminuar kundërshtarët e tij. U ngrit një strukture e posaçme për të eliminuar kundërshtarët, si të arratisurit jashtë por edhe brenda. Në funksion të kësaj u hap edhe një fond i quajtur “FONDI I HJEKSAVE” për të bërë vrasje enigmatike por edhe të drejtpërdrejta. A. Zogu i bëri thirrje B. Currit të dorëzohej e të hiqte dorë nga çështja kombëtare duke i premtuar pension të madh e shuma parash, por ai këmbëngul për të mos u dorëzuar. Duke qenë një figurë me reputacion në Kosovë e Malësinë e Gjakovës, B. Curri u ndoq ngado, pasi duhej të shuhej “Komiteti Mbrojtja e Kosovës”. Në këto kushte B. Curri ne mars 1925 shkon në Shpellën e Dragobisë. Më 29 mars forca të shumta xhandarësh e rrethojnë duke e vrarë/vetëvrarë (ekzistojnë dy versionet), po ç’rëndësi ka kjo. Atë e vrau A. Zogu…dhe po vetë ky organizon varrimin e B. Currit ne Krumë në fillim të prillit ku prefekt ishte Hasan Kryeziu, i vëllai i kunatit të A. Zogut, Ceno Begut, komandantit të operacionit për vrasjen e tij (shih qëndrimin e Hasanit te kryet e B. Currit, fotoja flet vetë). Në varrimin e tij morën pjesë rreth 2000 vetë. Por më pas u shtruan konaqe e “ia pinë sherbetin” me paret që u dhanë për vrasjen e tij. Me 1926 A. Zogu bën një kthese 360 gradë, zgjedh Italinë si aleate…kjo i shkakton konfliktualitet me kunatin e tij Ceno Begun, i cili ishte ithtar i Beogradit zyrtar. Shkëmbejnë replika të forta mes tyre aq sa Zogu e këshillon të mbyllë gojën, gjithsesi pa rezultat, por ia gjeti çelësin. Ceno beg Kryeziun e dërgoi atje ku ai ndihej rehat, ambasador në Beograd, ku vritet me atentat nga një i ri elbasanas në Evrope, i cili dinte 4 gjuhë të huaja. Ky i fundit në sallën e gjyqit shpjegoi vetëm se ishte pjesë e një organizate, por pa e cilësuar atë, dhe kjo mbeti enigmë pasi edhe ky u vra në sallën e gjyqit nga truproja e Kryeziut!!!


Sigal