Bajram Begaj merr pjesë në homazhet e lamtumirës për piktorin Ali Oseku: Me veprat e tij, na tregoi dritën që nuk shihnim

25
Sigal

Presidenti i Republikës së Shqipërisë Sh.T.Z Bajram Begaj, dërgoi sot një kurorë lulesh në homazhet e lamtumirës për piktorin Ali Oseku , “Nderi i Kombit”

Presidenti Begaj gjithashtu i shprehu ngushëllime  vajzës së artistit përmes një telegrami:

“E nderuar Alis,

Lajmi i ndarjes nga jeta i piktorit Ali Oseku,  “Nderi i Kombit”, ka prekur zemrat e të gjithë shqiptarëve.

Të gjithë ne do ta kujtojmë si mjeshtrin e  dritës, qetësisë sublime, që me veprat e tij antikoformiste solli në Shqipërinë e izoluar modernizmin në art.

Ali Oseku, artisti rezistent përballoi burgosjen politike,  vetësakrifikoi veprat e tij dhe  me durim dhe vullnet u ringrit në majat e artit figurativ shqiptar.

Ali Oseku na tregoi përmes veprave të tij dritën që nuk e shihnim, dhe burrërinë që duhet të kishim për ndryshimin e Shqipërisë.

Pranoni ju lutem ngushëllimet e mia të sinqerta!

Ali Oseku u prehtë në paqen e dritës!

I Juaji

Bajram Begaj

President i Republikës së Shqipërisë