Bahri Omari, “Nderi i Kombit Shqiptar’’

1438
Nga Luan Çipi

Në përvjetorin e lindjes 
Bahri Omari u lind në 10 Shkurt të vitit 1889 në qytetin e Gjirokastrës dhe ishte biri i Iljazit dhe Rehos, që formonin një familje të nderuar qytetare gjirokastrite në gjendje të mirë ekonomike dhe me tradita të lashta atdhetarie. U shkollua në vendlindje dhe më tej, në Shkollën Civile të Administratës Mbretërore “Mülkiye-i-Sehahané” për Shkencat Politike-Administrative, në Stamboll. Në moshën 25 vjeçare u emërua nënprefekt i Himarës. Në këtë funksion, në vitet 1913-14, pati nderin të organizojë dhe udhëheqë çetat patriotike kundër andartëve të pushtimit grek të Shqipërisë së jugut, gjatë Luftës së Parë Botërore. Në vitin 1915 Bahri Omari, emigroi në ShBA, ku shpejt doli në krye të djalërisë shqiptare përparimtare atje dhe shpejt u bë drejtor i gazetës “Dielli” të Shoqatës Atdhetare Pan-Shqiptare “Vatra”. Në vitin 1919 ai u kthye i ftuar në Shqipëri dhe mori pjesë dy herë, në zgjedhjet parlamentare, në 1921 dhe 1923, si përfaqësues i opozitës, duke i qëndruar përballë me sukses në prefekturën e Gjirokastrës, partisë së Myfit bej Libohovës. Në vitin 1924, gjatë qeverisë së Fan Nolit, themeloi dhe u zgjodh Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Demokratike-Nacionale dhe botoi e redaktoi organin e saj, “Shekulli”. Janë të njohura qëndrimet e tij të spikatura, plot dashuri e adhurim për kosovarët dhe çamët. Bahri Omari shprehet në artikujt e “Diellit”: “Një Shqipëri e copëtuar, pa zëmrën e saj Çamërinë dhe Janinën, pa kryen e saj Kosovën e Gjakovën, s’mundet të ketë jetë të gjatë midis fqinjëve të saj lakmues.” Pas rrëzimit të qeverisë së Nolit nga Ahmet Zogu në vitin 1924, Bari Omari, si kundërshtar i tij, u detyrua të lëvizi me fanolistët nëpër Evropë. Gjatë kësaj kohe u formua dhe “Bashkimi Kombëtar”, ku ai aderoi ndër të parët. U vendos në Bari të Italisë për një kohë të gjatë dhe qëndroi atje deri në vitin 1939, kur u kthye në Tiranë dhe atje i ndjekur dhe i përgjuar nga italianët. Me mjaft interes dhe kuriozitet kundrohen nga opinioni, marrëdhëniet me kunatin e tij, Enver Hoxhën, (20 vjeç më të ri) ku spikat kujdesi dhe përpjekjet e vazhdueshme të Bahri Omarit për edukimin, shkollimin dhe punësimin e nxjerrjen në jetën normale të tij. Këtu përfshihen për një periudhë të gjatë, ndërhyrja ndër miqtë e mbetur në Shqipëri, për t’i siguruar atij bursë studimi në Francë. Në vitin 1942 Bahri Omari u bë anëtar i organizatës së Balli Kombëtar. Enver Hoxha vazhdonte të strehohej shpesh në shtëpinë e tij në Tiranë. Kunati i kujdesshëm, vazhdoi ta ndihmojë shumë Enver Hoxhën ekonomikisht edhe gjatë kësaj periudhe, ashtu siç e kishte ndihmuar edhe më parë, gjatë studimeve dhe punësimit të tij në perëndim. Pas pushtimit të Shqipërisë nga Gjermania naziste, Bahri Omari, u bë Ministër i Punëve të Jashtme në qeverinë e Rexhep Mitrovicës, për periudhën shkurt – qershor 1944. Ky ishte shkaku që në muajin prill të vitit 1945, Gjyqi Special me prokuror po gjirokastritin (ish-toger të Zogut) Bedri Spahiu dhe kryetar, (teneqexhiun fillorist) Koçi Xoxe, e dënoi me vdekje bujarin e ditur, Bahri Iljaz Omarin, për fajin politik “se ishte me Ballin Kombëtar dhe kishte punuar 5 muaj si Ministër i Jashtëm i Shqipërisë, në Qeverinë pro Gjermane të Rexhep Mitrovicës dhe për akuza të tjera ordinere”, pa asnjë fakt personal veprimi kriminal. Thjesht se ai e mendonte të dobishëm bashkëpunimin e përkohshëm me pushtuesin “rrugë kalues” (edhe pse duke gabuar) duke e quajtur këtë si më “të mirin” veprim për vendin e vet, për ta pasur atdheun me kufi të plota, duke përfshirë Kosovën dhe Çamërinë. Ai, bashkë me shumë nacionalistë të tjerë të kohës (përfshirë dhe kreun e tyre, nacionalistin e provuar, Mitat Frashërin), u lidhën me boshtin Italo-Gjermano Japonez, dhe të ndërgjegjshëm e si antikomunist të vendosur, mendonin që aleanca me Ruso-Anglezo-Amerikanët, do rrezikonte copëtimin dhe ndofta deri asgjësimin e Kombit Shqiptar. Gjyqi u zhvillua në kinema “Kosova” (sot “Teatri Kombëtar”), ndërsa mijëra vetë e ndiqnin atë nëpër rrugë, seancat transmetoheshin edhe nga altoparlantët që qenë vendosur kudo në Tiranë. Vendimi u dha më 13 prill 1945, ora 10.00. U ekzekutua ditën e nesërme dhe trupi u hodh në një hendek tek “Kodra e Priftit” në Tiranë. Mendoj, veç të tjerave, se nuk duhet harruar një fakt historik, (që do më ngelej peng, po mos ta përmendja): Italia Fashiste e hoqi fare postin përfaqësues të Ministrit të Jashtëm Shqiptar. “Kuislingët” pro Gjerman, e krijuan atë. Kjo, është e vërteta, është një shfaqje pavarësie e krenarie shqiptare. Nga ana tjetër, nuk u lidh asnjë pakt zyrtarisht me Gjermanët dhe, “Qeveritarët” Shqiptar, refuzuan dhe ndaluan të dërgonin në luftë forca ushtarake në ndihmë të frontit, me gjithë kërkesat e përsëritura të gjermanëve. Duhet të theksoheshin me rastin e gjykimit, virtytet e larta të publicistit, atdhetarit dhe politikanit demokrat Bari Omari dhe sidomos guximi dhe trimëria e tij, që spikati sidomos para pushkatimit, në moshën 56 vjeçare, kur, pa iu trembur syri, u thirri shokëve: “Ktheni ballin nga pushkët! Ne nuk jemi tradhtarë”. Dhe në këto momente madhështie kulmore trimërie, (po të përjashtojmë 5 muajt kur vërtetë gaboi deri në faj), gjithkujt i del para syve me admirim, jeta e tij plot përpjekje, atdhetari e deri heroizëm, si publicist, nëpunës shteti, deputet e politikan demokrat, që veproi gjithë jetës me qytetari e në luftë parimore: Në Parlamentin Shqiptar ai ishte pjesëtar i opozitës, krahas personaliteteve të njohura si Fan S. Noli, Luigj Gurakuqi, Sulejman Delvina si edhe më të rinjve: Stavro Vinjau dhe Ali Këlcyra. U shqua si pjesëmarrës në diskutime për çështje të rëndësishme, siç qenë plotësimet kushtetuese të Lushnjës, që njihen si ”Statuti i zgjeruar i Lushnjës” dhe ku, ndër të tjera, dilte në mbrojtje të laicitetit të shtetit shqiptar. Vlen të përmendet veprimtaria e tij aktive parlamentare në mbrojtje të të drejtave të njeriut, në mënyrë të veçantë të të drejtave të grave. Gjithashtu kujdesi për pavarësinë e parlamentit, ku mbahet mend këmbëngulja e tij me postulatet: “Mjerë ai shtet që ligjet i bazon në ambicionet politike”, ose “Parlamenti nuk duhet të shndërrohet në gjykatë”, dhe “Qeveria duhet të marrë informata…që nëpunësit që emëron të mos kenë kryer krime”. E të tjera ndërhyrje parimore demokratike që vlejnë si model edhe për ditët tona. E tillë është p.sh., vërejtja që bën për zbatimin e ligjit në mënyrë të barabartë për të gjithë shtetasit. Ose porosia për lirinë e shtypit, që: “Gazetarët duhet të kenë të drejtë të kritikojnë qeverinë.” dhe shumë ndërhyrje të tjera që e dëshmojnë si shembull të njeriut të ditur e të deputetit, që është vërtet në shërbim të interesave të elektoratit dhe që evidentojnë veçanërisht kompetencën e tij në fushën e administratës publike, për të cilën ishte diplomuar. Bahri Omari dallohej edhe për mendimin e tij të pavarur e origjinal, kur del në disa raste edhe kundër mendimit të kolegëve të tij të opozitës, ndërsa u qëndron besnik deri në fund parimeve që mbronte opozita demokratike me vendosmëri. Vlen të vihet në dukje se, sikurse pjesa më e madhe e deputetëve të kohës, ai dallohej për etikën e lartë në debatet parlamentare, shpeshherë të nxehta, pa kaluar asnjëherë në fyerje ndaj kundërshtarëve, çka mungon sot dhe duhet të jetë shembull e mësim i mirë për çdo parlamentar. Pa dyshim një periudhë e vështirë e jetës së Bahri Omarit ishte Shqipëria e fillim viteve 1944, kohë kur desh të zgjidhte mes pushtimit nazist dhe Shqipërisë komuniste. Ajo zgjedhje e vështirë vuri në mëdyshje shumë burra shteti. Ishte nga një anë pushtuesi, që sillte bashkimin e tokave shqiptare dhe për kundrejt, “aleatët”, pro grek e sllav, nga rrezikohej deri cungimi e mohimi i krejt Shqipërisë. Një shqetësim tjetër imediat ishte frika nga komunizmi për Shqipërinë, një regjim që s’kishte sjellë rezultatet e pritura gjetiu. Nga ana tjetër ballas ishte mendimi se, duke mos zhvilluar luftën e duhur ndaj pushtimit nazist, pas lufte, Shqipëria rrezikonte shpërbërjen si shtet i pavarur. Sidoqoftë, pjesëmarrja në anën e kundërt, pra në Organizatën e Ballit Kombëtar, që bashkëpunoi me Gjermanët, si edhe pranimi i funksionit si këshilltar shtetëror dhe për më tepër, ministër gjatë pushtimi gjerman, i kushtuan shtrenjtë Bahri Omarit. Këtu mendoj se ndikoi për keq dhe lidhja familjare me Enver Hoxhën, i cili vuri pandehmën e shpikur se, ndërhyrja për t’i shpëtuar jetën të kunatit, ishte “kurth ndaj tij për ta denigruar politikisht”! Askush nuk e mendonte dhe nuk do kërkonte deri dënimin me vdekje të Bahri Omarit. Një dënim simbolik, si i përfshirë në disa pikëpamje me kundërshtarin politik po, por kurrsesi jo dënim kapital. Edhe vet babai i diktatorit, Mulla Halili, mbajti qëndrim të prerë dhe e dënoi deri me mohim të përkohshëm birin e tij, gati indiferent e mosmirënjohës. Dënimi kapital i Bahri Omarit ishte një ekstremitet i paligjshëm i një trupi gjykues inkompetent, tendencioz dhe partiak, që nuk kishte asnjë jurist në përbërjen e tij. Gjyqi patjetër duhet të kishte marrë parasysh kontributin e tij në shërbim të vendit, si deputet i parlamentit të parë shqiptar, si publicist i njohur atdhetar, si veprimtar i shquar te shoqëria VATRA e shqiptarëve të Amerikës, si politikan i ndershëm e demokrat, të merrte parasysh se postin e ministrit e mori në një kohë kur kjo ishte një sakrificë me rrezik e pa asnjë përfitim vetjak dhe së fundi, duhet të vlerësonte ndihmën që i dha lëvizjes kundër pushtuesit dhe vetë kreut të kësaj lëvizjeje. Një shtet ligjor nuk do ta ekzekutonte, por shteti shqiptar i pas 1944-ës, jo vetëm që nuk ishte as demokratik, mandej as i ligjshëm e deri atëherë, as i votuar e as i zgjedhur. Kaluan mbi 73 vjet nga koha e pushkatimit prej komunistëve të atdhetarit Bahri Omari dhe ende gjëmon në vesh thirrja dhe profecia e tij prej trimi: “Ne, nuk jemi tradhtarë! Historia do të jetë gjyqtari i paanshëm”. Erdhi shpejt koha që ai burrë i shquar i kombit, deputet, publicist dhe demokrat përparimtar, vatran i Amerikës, u rigjykua nga historia dhe nga ish-Presidenti i Republikës, (që ishte edhe jurist në arsimim dhe njëkohësisht kreu e përfaqësuesi i drejtimit legjislativ të vendit) u shpall “Nderi i Kombit”, çka është njësoj si të jetë falur, rilindur e nderuar në shkallë kombëtare. Dhe kjo, gëzoi dhe qetësoi shumë shqiptarë!


Sigal