“Babit nuk i ka ardhur radha për t’u futur brenda”, pacientët mbesin në autoambulanca

316
Sigal

Numri i lartë i pacientëve të infektuar me Covid-19 që kanë nevojë për trajtim mjekësor në spitale ka mbingarkuar spitalin Covid 1. Ditën e djeshme, rreth 10 ambulanca qëndronin në ambientet e jashtme të spitalit dhe brenda mbanin pacientët, të cilët prisnin radhën që të liroheshin shtretërit për t’u hospitalizuar.

“Babi është në ambulancë dhe akoma nuk i ka ardhur radha për t’u futur brenda. Isha te Covid 3, por nuk më pranuan pasi më thanë se i transferojnë vetë”, është shprehur një qytetare, e cila kishte sjellë të atin për trajtim mjekësor.

Mbingarkesa e spitaleve Covid është konfirmuar edhe nga Ministria e Shëndetësisë më herët, ndaj edhe hapi spitalin Covid 3, po në Qendrën Shëndetësore “Nënë Tereza”.

Por, me sa duket, kjo nuk ka lehtësuar situatën.

Ndërkohë, përmes një reagimi në “Facebook”, kreu i departamentit të shëndetësisë në PD, Gazment Koduzi, u shpreh se masat e marra nga qeveria nuk kanë ndikuar në parandalimin e infektimeve.

Sipas Koduzit, që nga momenti kur qeveria vendosi mbajtjen e maskës me detyrim edhe në ambiente të hapura, incidenca ditore jo vetëm që nuk ra, por madje u rrit me 59%.

“Me anë të Aktit Normativ Nr.32, dt.12.10.2020 u sanksionua vendosja e detyrueshme e maskës edhe në ambiente të hapura, rrugë duke filluar nga 15 tetori. Nëse pranojmë periudhën e inkubacionit 3-7 ditë, atëherë efektet e kësaj mase duhet të fillonin të ndiheshin pas 1 jave. Grafiku tregon që jo vetëm nuk pati efekt kjo masë, por incidenca ditore është rritur me 59%. Nisur edhe nga argumentet e ministrit të Shëndetësisë që bëjmë testime aq sa duhen, shifrat tregojnë që efekti maskë ka qenë 0 me xhufkë. Të gjitha institucionet prestigjioze të shëndetit publik dhe protokollet e menaxhimit të epidemive, thonë që thelbësore është ndërprerja e zinxhirit të transmetimit nga njeriu te njeriu duke qenë se përhapja bëhet nga njeriu te njeriu përmes spërklave dhe kontaktit, çfarë siguron që numri i rasteve të reja të gjeneruara nga çdo rast i konfirmuar (effective reproduction number) të jetë më i vogël se 1, dhe kjo bëhet përmes identifikimit të rastit (testim), izolim, gjurmimi i kontakteve dhe karantinimi i tyre. Për aq kohë sa nuk i bën këto ndërhyrje, mos u bini në qafe qytetarëve me gjoba dhe terror Znj. Ministre!”, shkroi Koduzi.