Babë e bir humbën jetën nga përmbytjet, presidenti Begaj ngushëllon familjen

113
Sigal

Presidenti Bajram Begaj i ka shprehur ngushëllimet familjes Rushaj për humbjen e bashkëshortit dhe djalit të vogël për shkak të përmbytjeve në zonën e Malësisë së Madhe.

Përmes një telegrami ngushëllimi, Begaj shpreh trishtimin për humbjen e jetëve, ndërsa i qëndron pranë familjes.

“Të dashur familjarë të të ndjerëve Pjetër e Jason! Më trishtim të thellë përjetova lajmin e humbjes tragjike të jetës së dy pjesëtarëve të familjes tuaj, për shkak të reshjeve të rrëmbyera të ditëve të fundit. Ju shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta për humbjen e babait dhe birit tuaj! Në këto momente kaq të vështira që po kaloni, përmes këtij mesazhi dëshiroj të jem sa më pranë jush”, shkruan Begaj.

Babë e bir, Pjetër dhe Jason Rushaj, humbën jetën pasi makina me të cilën udhëtonin u mor nga rrjedha e ujit në Malësinë e Madhe. Trupat e tyre u gjetën pas 16 orësh kërkime intensive në Bogë.