“Babagjyshi” që mban peng kolltukun e Tatimeve

577
Informacioni që ka ardhur dje nga Korça, në redaksinë e Gazetës “Telegraf” edhe pse duket i zakonshëm, bën prezent një problem tepër shqetësues, që ka mbërthyer edhe qeverisjen e “Rilindjes”, lidhur me reformimin dhe freskimin e administratës e mbi të gjitha me punësimin, këtë “plagë” të cilën partitë politike që vijnë në pushtet e premtojnë me ‘daulle” gjatë fushatës elektorale, por e harrojnë sapo hipin në kolltuk. Siç dihet, që prej 23 qershorit 2013, pushteti i “Rilindjes”, për të justifikuar “pastrimin” e administratës nga drejtuesit politikë, analfabetë, të korruptuar, të paaftë e mbi moshë pensioni, deklaroi nisjen e një projekti rekrutimi, emërimi e punësimi të drejtuesve e nëpunësve të administratës publike, vetëm me konkurs. A ka ndodhur e po ndodh realisht kështu? 
Fakti/ Drejtori i tatimeve në Korçë, pensionist që as hiqet e as lëshon vendin!
Rasti që denoncohet në letrën e ardhur nga Korça, ka lidhje me këtë fakt: Drejtori Rajonal i Tatimeve të Qarkut të Korçës, i cili njëkohësisht është Zv/Drejtor i Përgjithshëm i Tatimeve të Shqipërisë, që në muajin dhjetor 2015 ka plotësuar moshën e daljes në pension dhe nuk lëshon vendin e punës as me dëshirë, por as shteti nuk e largon nga detyra dhe madje edhe nga puna. Sipas letrave të Zyrës së Gjendjes Civile, ky drejtor rezulton se ka kaluar moshën për të vijuar punën në administratën shtetërore dhe sipas ligjit në fuqi, duhet të nis kohën e pensionit. Faktikisht, me moshën që ka ai është pensionist, ndërsa me kolltukun që ka zënë dhe që nuk e lëshon e nuk ia heqin, ai është drejtor rajonal i tatimeve në Qarkun e Korçës! Por, njëherazi është edhe Zv/Drejtor i Përgjithshëm i Tatim-Taksave të Shqipërisë. Nuk e dimë, se cilat “duar” vazhdojnë ta mbajnë pensionistin në dy kolltukë shtetëror njëherazi, por dimë faktin që sipas letrës së ardhur në redaksinë e gazetës “Telegraf” dhe që tashmë është investiguar e është konfirmuar, ky zyrtar i lartë me “dopjo kolltuk”, ka një të drejtë ligjore, që bie ndesh me detyrën: Si Zv/Drejtor i Përgjithshëm i Tatimeve, ai duhet të kontrolloj veten se si e kryen detyrën si drejtor i tatimeve të qarkut. Ndërsa si drejtor Rajonal i tatimeve të Qarkut të Korçës, ai duhet të zbatoj urdhrat e t’i jap llogari vetes së tij si… Zv/Drejtor i Përgjithshëm i Tatimeve! Edhe nëse këto skandale abuzimesh ligjore flagrante, do t’i lejonte ligji që një zyrtar të jetë “Vetë Ali e vetë Kadi”, ka një ligj tjetër që nuk tolerohet e faktikisht nuk po tolerohet për qindra zyrtarë, drejtues, nëpunës e punonjës të tjerë të administratës publike, madje edhe për pastrueset: mosha e daljes në pension. Sa plotësohet kjo moshë, madje 1 muaj më parë, punonjësi njoftohet zyrtarisht për shkëputjen e marrëdhënieve kontratuale e financiare të punës, për shkak të plotësimit të moshës ligjore të daljes në pension pleqërie. Në rastin konkret, “plaku” që drejton tatimet e rajonit të Korçës dhe kolltukun nr. 2 të tatimeve të Shqipërisë, pacaka se ak plotësuar moshën e pensionit nuk po njoftohet të dalë në pension, nuk po nxirret në pension, nuk po del në pension, nuk po detyrohet sipas ligjit të dalë në pension pleqërie. Përkundrazi ai vazhdon të dy detyrat, njërën në Tiranë, ndërsa tjetrën në Korçë. Se në cilat ditë shkon “punon” e drejton në Tiranë dhe se në cilat ditë shkon punon e drejton në Korçë, këtë “çudi e aftësi” e di vetëm ai, dhe ata që e kanë emëruar në dy poste e i caktojnë planin ditor të punës. Ne dimë vetëm atë që thotë e përcakton ligji si detyrim për zbatim nga cilido qoftë, që ky njeri duhet të kishte dalë në pension qysh në muajin dhjetor 2015 e në rast kundërshtimi, duhej larguar nga detyra dhe nga puna, duke ia çuar dosjen tek sporteli i pensionit. Mirëpo kjo nuk është bërë e nuk po bëhet prej atyre që kanë në dorë dhe detyrim zbatimin e ligjit, ndaj dhe pensionisti vazhdon të qëndroj në dy detyrat e larta shtetërore. Ka një realitet që përbën shqetësim të madh aktualisht, kur qindra e mijëra specialistë qëndrojnë rrugëve pa punë edhe spe ajnë në moshë aktive pune. Vetëm në Korçë psh., janë të pa punë afro 1700 specialistë të çdo lloj profesioni nën moshën 40 vjeç, të cilët kërkojnë punë dhe nuk pranohen në punë, mbasi ashtu si në shërbimin tatimor në Korçë ku drejton një pensionist, por dhe në zyrat e tjera shtetërore të këtij qarku, janë afro 320 nëpunës, drejtues e punonjës që kanë plotësuar moshën e pensionit dhe as dalin në pension, as nxirren në pension. Realiteti është ky: Zyrat e administratës janë të mbushura me të paaftë, të korruptuar, të penalizuar, me familjarë e me nëpunës që kanë plotësuar edhe moshën e pensionit, por që mbajnë nga 2-3 poste, siç ndodh me rastin skandaloz a antiligjor të drejtorit rajonal të tatimeve të Korçës, njëherazi edhe Zv/Drejtor përgjithshëm të Korçës.
Sigal