AZHBR  konfirmon bujqësinë elektorale,1 muaj para zgjedhjeve nis shpërndarja e 146 mln euro

203
Sigal

Prezantohet programi IPARD-III në Shqipëri. AZHBR  “asi nën mëngë” i bujqësisë elektorale e cila do të shpërndajë 1 muaj para zgjedhjeve për fermerët e bujqësisë dhe blektorisë 146 mln euro. Edhe pse OSBE-ODIHR në zgjedhjet e përgjithshme e cilsoi shpërndarjen e granteve dhe tollonave të naftës si ndikim në rezultatin e zgjedhjeve, por ky raport ka rënë në veshin e shurdhër të ministres Krifca

Ministrja Krifca tradhëtohet nga shifrat e insitucionit të vetë. Si u mashtrua me: Bujqësia u rrit me 15 për qind

Gjatë raportimit të arritjeve të vitit të kaluar dhe sfidat e objektivat që i ka vendosur Ministrisë së Bujqësisë për këtë vit, ministrja Frida Krifca foli edhe me shifra. Krifca tha se në 12 muajt e 2022 bujqësia njohu rritje, si në vlerën e eksporteve, ashtu edhe në sasinë e tyre. Për vlerën, ministrja përmendi shifër mbi gjysmë miliardi euro, ndërsa për sasinë tha se bujqësia u rrit me 15.6 për qind. Ministrja nuk shtjelloi në zëra se cilët sektorë të bujqësisë ishin rritur dhe me sa ishin rritur. Por, nëse shifrat e dhënë për rritjen e eksporteve në vlerë mund të jenë të besueshme për shkak të rritjes së përgjithshme të çmimeve, shifra e dhënë nga Krifca për sasinë nuk mbështetet nga të dhënat zyrtare të INSTAT. Bujqësia jo vetëm që nuk u rrit në nëntëmujorin e parë të vitit të kaluar, por u tkurr lehtë. Sipas të dhënave të INSTAT, deri në shtator të 2022-it, bujqësia ishte i vetmi sektor me rënie, edhe pse e gjithë pjesa tjetër e ekonomisë raportonte rritje, udhëhequr nga ndërtimi dhe turizmi. Statistikat për të gjithë vitin e kaluar nuk janë publikuar ende, por mjaftojnë të dhënat e nëntë muajve të parë të vitit të kaluar për të vendosur seriozisht në pikëpyetje pretendimet e ministres së Bujqësisë për rritje me mbi 15 për qind të sasisë së eksporteve bujqësore.…vetëm nëse kjo rritje është regjistruar në tre muajt e fundit të vitit të kaluar. E thënë më thjeshtë, ministren në këtë rast e tradhtojnë vetë shifrat e nxjerra nga institucioni i saj, duke pasur parasysh se INSTAT i harton raportet periodike bazuar në të dhënat që i dorëzon Ministria e Bujqësisë dhe drejtoritë e zyrat që ajo ka në varësi.

 IPARD 3 “Asi në mëngë” i bujqësisë elektorale

Një muaj para zgjedhjeve konfirmohet bujqësia dhe blegtoria elektorale. Nis aplikimi për 146 milionë euro ndihma për fermerët

Zgjedhjet sjellin avazin e tollonave të naftës falas për fermerët në faliment nga mungesa e tregut dhe subvencionet. Peshqeshit elektoral 146 milionë euro i nisin aplikimet në muajin mars, kurse  zgjedhjet janë në maj

Është kthyer në avazin e përhershëm që sa herë afrohen zgjedhjet, zyrtarët lëshojnë dorën me lëmoshën që u ofrojnë qytetarëve. Duke nisur që në zgjedhjet e kaluara me tollonat e naftës falas për fermerët, ndërkohë fakt është, se ajo “pikë naftë” që fermerët marrin nga qeveria, nuk mund të quhet rimbursim, por lëmoshë, që nuk i ndihmon as për 1 rrugë transport prodhimi, nga fushat e serat deri në pikat e grumbullimit, prandaj detyrohen ta blejnë naftën në treg me çmimin që është. Sipas një krahasimi, konstatohet se fondi i vitit 2022 për rimbursimin e naftës së 400 mijë fermerëve, është i barabartë me  fondin vjetor të karburanteve që harxhon kryeministri dhe 16 ministrat me drejtorët e tyre qëndror në 1 vit.

Nisma e marrë një muaj para zgjedhjeve lokale konsiderohet si peshqesh elektoral, pasi la fermerët pa ndihmë gjatë pandemisë, i çoi në faliment nga mungesa e tregut sa u detyruan të hidhin në kanale prodhimet që i mbollën me mund të madh, derdhën qumështin dhe kjo krijoji dyndje të qumështit pluhur që ka mbushur marketet. Fshatrat çdo ditë e më shumë po zbrazen dhe toka po lihen djerrë.

E gjithë situata bie në vesh të shurdhër, pasi karamelet elektorale si fondet një muaj para zgjdhjeve duket se janë më me rëndësi që Ministrja Frida Krifca, të plotësojë statistikat dhe do t’ia japë kryeministrit Rama t’i publikojë në “facebook” e t’i recitojë në parlament para opozitës e shqiptarëve.

Raporti më i fundit Koalicioni për Reforma, Integrim dhe Institucione të Konsoliduara (KRIIK) ku thuhej se vendimet e qeverisë para zgjedhjeve janë haptazi për qëllime elektorale, administrata të mos përdoret për vota, është dukshëm një këmbanë alarmi dhe pasqyrim i veprimeve  me tendencë elektorale të maskuar si ndihmë për qytetarët me afrimin e zgjedhjeve. A thua se hallet e shqiptarëve mbarojnë për një apo dy muaj njëlloj siç mbarohet mielli në këmbim të votave, apo në rastin konkret fondet për bujqësinë , aplikimet e të cilit nisin pikërisht në muaj mars, të jetë rastësi vallë meqenëse zgjedhje janë në maj?

 

Në gjurmët e Ministres Bilali?

Tashmë nuk është sekret, pasi u tha dhe stërtha nga denoncimet në media që Ministrja Edona Bilali financoi familjet e miliarderëve  fëmijët e oligarkëve në emër të inovacionit, listë me emra në konflikt të pastër interesi morën paratë e  “start-up(et)”. Tani do shikojmë nëse edhe përfituesit e fondeve në bujqësi do jenë fermerët e thjeshtë apo biznesmenët me lidhje me qeverinë, kjo mbetet për t’u parë.

Nxitoni para zgjedhjeve!146 milionë euro për projektet në bujqësi e blegtori

146 mln euro është shuma e përgjithshme e IPARD 3, me të cilën do të mbështeten projektet për zhvillimin e bujqësisë dhe blegtorisë. Kushdo që ka një projekt në zonat rurale mund të aplikojë duke filluar nga muaji mars. Në muajin mars nisin aplikimet për përfitimin e fondeve në mbështetje të bujqësisë nga fondet e IPARD III. Në total janë 146 mln euro, që do të shkojnë për financimin e projekteve të reja dhe mbështetjes së fermerëve aktivë. Këtë vit, skema do të zgjerohet me 5 masa të reja, për të cilat do të investohen 33 mln euro. Nga këto 16 mln euro do të shkojnë për përmirësimin e infrastrukturës rurale, 7 mln për mbrojtjen e pyjeve, 5 milionë për zbatimin e strategjive që mbeshtesin grupime lokale në fusha social-kulturore dhe pjesa tjetër përmirësimin e prodhimeve bujqësore dhe shërbime këshillimi. Gjithashtu nën këtë program sipas raportit të marrëveshjes së miratuar nga Kuvendi janë parashikuar edhe sektorë të rinj që marrin fokus kryesor, si sektori i ullirit, bimët mjekësore aromatike dhe përpunimi i produkteve të peshkimit.Për sektorin e vajit të ullirit aplikimet do të kryen nga bashkitë dhe fermerët, për ngritjen e pikave të grumbullimit dhe përpunimit, duke zbatuar për herë të parë projektin pilot në 4 bashki për bashkimin e fermerëve.