Avokati i Popullit: Të zbatohet procedura ligjore në prishjen e ndërtimeve pa leje

931
Sigal

Avokati i Popullit rekomandon marrjen e masave administrative për respektimin e procedurave ligjore, lidhur me prishjen e ndërtimeve të paligjshme, për të cilat ende nuk është vendosur nga ALUIZNI, përjashtimi apo jo nga procedura e legalizimit. Kjo mësohet nga një dokument zyrtar, drejtuar Kryeinspektorit të Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar, znj. Dallëndyshe Bici. Gazeta “Telegraf” boton të plotë rekomandimin e Avokatit të Popullit.

***

E nderuara znj. BICI,

Institucioni i Avokatit të Popullit, në funksion të ushtrimit të kompetencave kushtetuese dhe ligjore, për mbrojtjen e të drejtave, lirive dhe interesave të ligjshme të shtetasve nga veprimet apo mosveprimet të organeve të administratës publike, në bazë të Ligjit nr.8454, datë 04.02.1999 “Për Avokatin e Popullit”, plotësuar me ligjin nr.8600 datë 10.04.2000, ndryshuar me ligjin nr.9398, datë 12.05.2005, në kuadër të një inspektimi të ndërmarrë me iniciativë në zonën e “Selitës”, Tiranë, ku po zbatohet projekti i ndërtimit të Unazës së madhe, ka pranuar një sërë ankesash që janë paraqitur nga banorët që kanë ndërtuar objekte banimi në këtë zonë.

Nga shqyrtimi i ankesave dhe dokumentacionit përkatës na rezulton se pjesa më e madhe e tyre kanë filluar procesin e legalizimit dhe janë në faza të ndryshme të zhvillimit të tij. Ndërkohë, na rezulton se ALUIZNI, ende nuk ka dalë me një vendimmarrje përfundimtare për legalizimin ose jo të këtyre objekteve të ndërtuara nga subjektet.

Nga ankesat e administruara nga Institucioni i Avokatit të Popullit, si dhe përgjigja zyrtare e Drejtorisë së ALUIZNI Tiranë rezulton konkretisht se:

– Shtetasi Bujar Mehmet Muharremi rezulton vetëdeklarues me nr. 205 prot. datë 25.03.2005, për të cilin është miratuar kalimi i pronësisë me VKM nr. 805 datë 22.07.2009.

– Shtetasi Arben Bektash Barzezi rezulton vetëdeklarues me nr. 1355 prot. datë 15.03.2005, për të cilin është miratuar kalimi i pronësisë me VKM nr. 450 datë 06.05.2009.

– Shtetasi Ramiz Myftar Malushaj rezulton vetëdeklarues me nr. 378 prot. datë 15.03.2005, për të cilin është miratuar kalimi i pronësisë me VKM nr. 450 datë 06.05.2009.

– Shtetasi Përparim Emin Gatali rezulton vetëdeklarues me nr. 215 prot. datë 09.03.2005, për të cilin është miratuar kalimi i pronësisë me VKM nr. 646 datë 28.07.2010.

– Shtetasi Nazmi Mehmet Muharremi rezulton vetëdeklarues me nr. 226 prot. datë 10.03.2005, për të cilin është miratuar kalimi i pronësisë me VKM nr. 1038 datë 14.10.2009.

– Shtetasi Esat Ahmet Jashari rezulton vetëdeklarues me nr. 121 prot. datë 22.05.2005, për të cilin është miratuar kalimi i pronësisë me VKM nr. 646 datë 28.07.2010.

– Shtetasi Krenar Riza Ibrahimi rezulton të jetë pajisur me leje legalizimi nr. 69619 datë 14.06.2013.

– Shtetasi Ilir Hekuran Hyseni rezulton vetëdeklarues me nr. 107 prot. datë 16.02.2005, për të cilin është miratuar kalimi i pronësisë me VKM nr. 677 datë 18.06.2009. Në këtë kuadër, është lidhur kontrata e kalimit të pronësisë së parcelës ndërtimore me datë 23.07.2013 dhe është në fazën e fundit të procedurës së legalizimit.

– Shtetasja Shqipe Belul Peza rezulton vetëdeklaruese me nr. 2891 prot. datë 20.11.2006.

– Shtetasi Besnik Kasem Peza rezulton vetëdeklarues me nr. 334 prot.

– Shtetasja Nadire Alush Çaushllari rezulton vetëdeklaruese me nr. 488 prot. datë 15.09.2014.

– Shtetasi Gëzim Seit Berisha rezulton vetëdeklarues me nr. 225 prot. datë 10.03.2005.

– Shtetasi Kujtim Sulejman Maliqi rezulton vetëdeklarues me nr. 341 prot. datë 17.03.2005.

– Shtetasi Gëzim Ahmet Jashari rezulton vetëdeklarues me nr. 272 prot. datë 15.03.2005.

– Shtetasi Agim Xhemal Mustafaj rezulton vetëdeklarues me datë 28.07.2006.

– Shtetaset Floresha dhe Natasha Sherifi rezulton vetëdeklaruese me nr. 37 prot. datë 01.08.2006.

– Shtetasi Astrit Bashkim Demiri rezulton vetëdeklarues që me datë 10.05.2005.

 

Problematika

Shqetësimi i shprehur nga ana e ankuesve qëndron në faktin se sikurse janë vënë në dijeni nga media vizive dhe e shkruar, INUK ka filluar tashmë një aksion të gjerë në të gjithë qytetin e Tiranës përfshirë këtu edhe zonën e Selitës, për prishjen e objekteve të ndërtuara pa leje, ku ndër të tjera përfshihen dhe objektet e ndërtuara nga subjektet që janë ankuar pranë Institucionit tonë. Në këto kushte, nisur nga sensibiliteti i çështjes kemi analizuar në parim të gjithë bazën ligjore ekzistuese në fuqi, mbi të cilën rregullohet veprimtaria vendimmarrëse nga ana e INUK për të gjitha rastet e parashikuara nga ligji, për ndërtimet pa leje. Na rezulton se në pikën 3 të VKM Nr. 994 datë 06.10.2010 “Për disa ndryshime dhe shtesa të vendimit Nr. 438 datë 28.06.2006 të VKM “Për përcaktimin e kritereve, të procedurave dhe dokumentacionin e zbatueshëm, për të kualifikuar objektet në ndërtim, që legalizohen ose jo”, parashikohet shprehimisht se: “Kur objektet ndodhen në kushtet e moskualifikimit për legalizim, organet shtetërore përgjegjëse kanë të drejtë t’i kërkojnë ALUIZNI-t ndërprerjen e legalizimit, duke specifikuar dhe shkakun konkret sipas pikave 2 e 3 të këtij vendimi, për të cilin ALUIZNI është i detyruar të ndërpresë procesin. Kërkesës duhet t’i bashkëlidhet, detyrimisht, dokumentacioni provues. ALUIZNI është i detyruar, që, brenda 2 (dy) javëve nga data e depozitimit të kërkesës, t’u konfirmojë ndërprerjen e procedurave organit shtetëror përgjegjës dhe personit të interesuar për legalizimin e ndërtimit pa leje. Në rast se, me kalimin e këtij afati, ALUIZNI nuk ka konfirmuar ose ka refuzuar ndërprerjen e legalizimit, organi shtetëror përgjegjës ka të drejtë t’i kërkojë Këshillit të Ministrave pezullimin e procedurave të legalizimit të objekteve pa leje. Këshilli i Ministrave vendos sipas afateve dhe procedurës së përcaktuar në paragrafin e dytë të pikës 1 të nenit 13 të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006 “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar.””

 Analiza

Në analizë të të gjithë problematikës së lartpërmendur dhe që mbetet si çështje e verifikimit konkret dhe të menjëhershëm nga ana e INUK, konstatohet se vendimet administrative, të cilat duhet të nxirren nga ana e INUK për prishjen e objekteve pa leje që nuk mund të legalizohen, kanë si kërkesë parësore proceduriale vendimmarrjen paraprake dhe shprehjen konkrete me vendim përfundimtar nga ana e ALUIZN-it për përjashtimin ose jo të objekteve për të cilat është aplikuar për legalizim nga ky proces.

Nëse nga ana e INUK, janë zbatuar me korrektësi parashikimet e bëra nga Ligji nr. 9780, datë 16.07.2007 “Për inspektimin e ndërtimit”, pika 3 e VKM 994 datë 06.10.2010 “Për disa ndryshime dhe shtesa në vendimin nr. 438, datë 28.06.2006 të Këshillit të Ministrave “Për përcaktimin e kritereve, të procedurave dhe dokumentacionit të zbatueshëm, për të kualifikuar objektet në ndërtim, që legalizohen ose jo”, si dhe paragrafi i parë i nenit 23 të Kodit të Procedurës Administrative, atëherë gjykojmë se vendimmarrja e INUK është në përputhje me ligjin.

Problem shqetësues, që evidentohet në këtë rast, lidhet ngushtësisht me faktin se ndërkohë që është njoftuar fillimi i procedurave për ushtrimin e përgjegjësive, me qëllim ekzekutimin e vendimeve për prishjen e banesave në fjalë, për interes publik në akset/veprat kryesore të infrastrukturës publike, nuk ka asnjë vendim nga organi i parashikuar me ligj (ALUIZNI i Qarkut), që të jetë shprehur për ligjshmërinë apo jo të këtyre objekteve, si pasojë e së cilës një numër i madh familjesh nxirren tashmë të pastreha. Sa më lart, vlen të përmendet se jemi në shkelje të një parimi thelbësor për një shtet të së drejtës, siç është parimi për zhvillimin e një procesi të rregullt ligjor, pasi dhe pas 8 vitesh nga vetëdeklarimi që kanë kryer, ankuesit ende nuk kanë një vendim administrativ që do të mund të shprehej për objektet e tyre informale, duke iu mohuar të drejtën e një mjeti efektiv të ankimimit, qoftë dhe të vendimit të dhënë nga ALUIZNI për moskualifikimin e procedurës së legalizimit.

 Rekomandimet

Sa më sipër, referuar nenit 63, pika 3 të Kushtetutës së Shqipërisë, “Avokati i Popullit ka të drejtë të bëjë rekomandime dhe të propozojë masa kur vëren shkelje të të drejtave dhe lirive të njeriut nga administrata publike”, nenit 100, pika 2 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ”Këshilli i Ministrave merr vendime me propozim të Kryeministrit ose ministrit përkatës”, nenit 24/a, të Ligjit nr.8454 datë 4.02.1999 “Për Avokatin e Popullit”, i ndryshuar, ku përcaktohet shprehimisht se; “Kur Avokati i Popullit vëren se është vetë përmbajtja e ligjit ose e akteve të tjera normative dhe jo zbatimi i tyre shkaku që krijon premisa për shkelje të të drejtave të njeriut, të njohura nga Kushtetuta ose nga ligjet e tjera, ka të drejtë:

– t’u rekomandojë organeve që kanë të drejtën ligjvënëse të bëjnë propozime për ndryshimin dhe përmirësimin e ligjeve”, rekomandojmë:

1. Verifikimin e menjëhershëm të gjithë procedurave administrative, të ndjekura nga ana e INUK lidhur me vendimmarrjet mbi objektet e ndodhura në zonën e Selitës (segmenti i Unazës së Madhe), në përputhje me përcaktimet e dhëna në pikën 3 të VKM Nr. 994 datë 06.10.2010 “Për disa ndryshime dhe shtesa të vendimit Nr. 438 datë 28.06.2006 të KM “Për përcaktimin e kritereve, të procedurave dhe dokumentacionin e zbatueshëm, për të kualifikuar objektet në ndërtim, që legalizohen ose jo”.

2. Pezullimin e ekzekutimit të vendimeve të nxjerra nga ana e INUK, për prishjen e këtyre objekteve që rezultojnë se janë në proces legalizimi, që janë ndërtuar në segmentin e unazës së re të zonës së Selitës, deri në vendimmarrjen nga ana e ALUIZNit sipas legjislacionit të sipërcituar.

3. Marrjen e masave paraprake, për respektimin rigoroz të legjislacionit në fuqi lidhur me vendimmarrjen e INUK mbi objektet e tjera ekzistuese në zonën e Selitës, të cilat rezultojnë në proces legalizimi, dhe për të cilat ende nuk ka një vendimmarrje nga kjo e fundit.