Avokati i Popullit reagon pas ngjarjes në Elbasan: Tensioni, dhuna e konfrontimet largojnë qytetarin nga shprehja e vullnetit!

260
Sigal

Avokati i Popullit dënon ngjarjen e rëndë ndodhur ditën e sotme në qytetin e Elbasanit dhe bën thirrje për një fushatë të qetë, të matur e të fokusuar te respekti e kujdesi për jetën dhe dinjitetin e çdo qytetari.

“Zgjedhjet janë një moment kur demokracia flet andaj fushata që u paraprin e i parapërgatit ato, meriton të jetë një vitrinë e qytetërimit, dialogut dhe kulturës. Tensioni, dhuna e konfrontimet nuk vlejnë për kurrgjë më shumë sesa për ta larguar qytetarin nga shprehja e vullnetit apo për ta njollosur e deligjitimuar procesin zgjedhor.

Avokati i Popullit u bën thirrje gjithë palëve, subjekteve garuese në zgjedhje e mbështetësve të tyre që të distancohen e të dënojnë fuqimisht çdo akt që çon në deformimin e votës si dhe çdo akt dhune. Nxitja e pasionit për fitore me çdo kusht lypset të këmbehet me nxitjen e pasionit për një demokraci të fituar përmes paqes e urtësisë”, deklaron institucioni i Avokatit të Popullit.