Avokatët e Lushnjës dhe Vlorës bashkohen me kolegët, protestë dhe bojkot proceseve gjyqësore

587
Sigal

Dhoma e Avokatisë në Vlorë dhe Lushnjë i janë bashkuar vendimit të kolegëve të tyre në Elbasan dhe në Korçë për të bojkotuar proceset gjyqësore që kanë në ngarkim, si shenjë proteste pas vrasjes së avokatit Ravik Gurra.

Duke nisur që sot bojkoti i avokatëve do të vijojë për tre ditë me radhë. Në shenjë proteste avokatët kanë varur në kangjella dhe uniformat e tyre.

Avokatët e Elbasanit nga ana tjetër, dy ditë më parë morën vendimin për të bojkotuar punën për një javë rresht.

Avokati Ravik Gurra u qëllua mbrëmjen e 22 marsit me një pistoletë me silenciator nga një person i maskuar, i cili më pas është larguar me një automjet tip “Benz”. Krimi ndodhi rreth orës 19:35, në një lokal në qendër të Elbasanit, ku Gurra ishte ulur te pjesa e verandës.

Hetimet e policisë janë shtrirë në disa pista, ku kryesorja mbetet ajo për shkak të detyrës. Gurra gjatë karrierës së tij ka mbrojtur grupin e Çapajve në Elbasan si dhe Emiljano Shullazin dhe grupin “Hakmarrja për Drejtësi” vite më parë.