Avokatët Antikorrupsion bëjnë kallëzim penal për Fullanin

617
Sigal

Shoqata e njohur e avokatëve kërkon nxjerrjen para përgjegjësisë së Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë

Shoqata e Avokatëve Antikorrupsion Shqiptare, me qendër në Tiranë e me kryetar Ndue Pjetran, kërkoi procedimin penal të Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Z. Adrian Fullani, pas skandalit të fundit financiar të vjedhje së 713 milionë lekëve nga Banka e Shqipërisë. Shoqata reagoi ashëpr, duke bërë edhe kallëzimin penal të drejtuar prokurorit pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, ku sipas saj ajo një sërë argumentesh në lidhje me faktet korruptive të kryera gjatë ushtrimi të detyrës, me veprimin dhe mosveprimin e Guvernatorit Fullani, apo krijimin e një mjedisi dhe terreni kriminal, korruptiv, familjar, thellësisht nepotik dhe klientelist në Bankën e Shqipërisë.

Gazeta “Telegraf” publikon të plotë kallëzimin e bërë nga Shoqata e Avokatëve Antikorrupsion Shqiptare

Shoqata e Avokatëve Antikorrupsion Shqiptare

Lënda : Dërgohet kallëzimi penal në ngarkim të Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë z.Ardian Fullani

KALLËZIM

Kallëzuesi : Shoqata e Avokatëve Antikorrupsion Shqiptare, në adresë : Rruga “Ibrahim Rugova”. Kompleksi “Green Park”, Pallati 26, Kati II-të, Tiranë. Nr.Tel. Kontakti Cel +355692020512, përfaqësuar nga Kryetari Ndue Pjetra.

Objekti : Kërkohet procedimi penal i z.Ardian Fullani, me detyrë Guvernator i Bankës së Shqipërisë, për veprën penale të “Shpërdorimit të Detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
Baza Ligjore: Neni 281 pikat 1-4, të Kodit të Procedurës Penale.

DREJTUAR: PROKURORIT PRANË GJYKATËS SË RRETHIT GJYQËSOR
TIRANË

I nderuar z. Prokuror!

Misioni i Shoqatës Avokatëve Antikorrupsion është ndihmë, mbështetje dhe mbrojtje për shtetasit në luftën kundër veprimeve korruptive dhe shkeljeve të të drejtave e lirive të njeriut nga punonjësit e organeve të administratës publike dhe të organeve të tjera publike e jo publike, që cenojnë kërkesat e Kushtetutës dhe akteve ligjore e nënligjore në zbatim të saj, si dhe akteve ndërkombëtare të ratifikuara nga vendi ynë.

Me të drejtën që i jep neni 281, pikat 1-4, të Kodit Pr.Penale, Shoqata Avokatëve Antikorrupsion Shqiptare, kërkon procedimin penal të z. Ardian Fullani, me detyrë Guvernator i Bankës së Shqipërisë, Tiranë, për veprën penale të “Shpërdorimit të Detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, duke parashtruar arsyet që vijojnë :

Elementët thelbësor të fakteve

Grabitja spektakolare se Bankës së Shtetit Shqiptar, në shumën 730 milion lekë ( 7 milion USD) pavarësisht skandalizimit dhe tronditjes së opinionit publik, është një akt i paralajmëruar, pjellë e drejtpërdrejtë e një klime, mjedisi dhe terreni kriminal, korruptiv, familjar, thellësisht nepotik dhe klientelist në Bankën e Shqipërisë. Ndonëse vjedhja e thesarit të bankës u konsiderua si vjedhje e shekullit, që ka cenuar sigurinë kombëtare, ka baltosur imazhin e bankës dhe ka destabilizuar tregun, ky skandal është thjeshtë një medalje më shumë në karrierën korruptive të Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, i cili e ka kthyer bankën e shtetit në një oaz qokash politike, dhe në një $erdhe që gjeneron afera me shifra të frikshme, ku vidhen parat e shqiptarëve nën hundën e Prokurorisë, katër auditeve, KLSH, Kuvendit të Shqipërisë dhe Qeverisë.
Bilancin e punës korruptive dhe të veprimeve mosveprimeve kriminale të Ardian Fullanit në krye të bankës së shtetit do ta përmblidhnim në tre drejtime kryesore :

Grabitja spektakulare se bankës së shtetit shqiptar, në shumën 730 milion lekë ( 7 milion USD).
Rritja e shpenzimeve duke e 20-fishuar atë në Bankën e Shqipërisë gjatë 9 vjetëve të fundit, duke arritur kulmin në vitin 2010, ku shpërdoroi 40.4 miliardë lekë, me anë të një manovre për të financuar pushtetin e S.Berishës.
Arriti ta shndërrojë lehtësisht institucionin që drejton, në një kartel të zi nepotik, me anë të të cilit bleu heshtjen dhe miratimin e të gjithë krahëve të politikës, për të gjitha dallaveret, aferat, shpenzimet, shpërblimet dhe kontratat korruptive që orkestron. Si të mos mjaftonte punësimi i kunatës së Berishës, i grave të deputetëve, i hallave, tezeve, vajzave, dajave dhe mbesave të pushtetarëve, ditët e fundit Fullani punësoi dhe gruan e Bujar Nishanit, duke e bërë më të plotë tablonë familjare të Bankës së Shqipërisë.

Për ti bërë më të qarta këto veprime kriminale të Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani me rrezikshmëri të lartë për taksapaguesit dhe shtetin, si dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare po japim disa detaje :

1. Grabitja spektakulare se bankës së shtetit shqiptar, në shumën 730 milion lekë ( 7 milion USD). nga punonjësit përgjegjës të Bankës, të ndihmuar nga moskërkesa e llogarisë nga drejtuesit e lartë të kësaj banke dhe të vet titullarit Ardian Fullani.
2. Rritje e shpenzimeve në 20-fishin në Bankën e Shqipërisë gjatë 9 viteve të fundit, në kundërshtim me të gjithë aktet ligjore e nënligjore, duke arritur kulmin në vitin 2010 me një shumë 4.47 milionë lekë .
3. Nëpërmjet arkës së shtetit kanë dalë 450 mijë euro, tarifë kjo e ryshfetit dhe e gjobës në këmbim të shlyerjes me një javë të kontrollit të një banke të nivelit të dytë, në Tiranë.
4. Ndërhyrje të vet guvernatorit te katër bankat e nivelit të dytë në Tiranë për t’i dhënë vjehrrit të tij, Bajram Xhaja, 15 milion euro kredi, për ta bërë aksionar të Fabrikës së Tullave Prezë, për të cilat ka 8 vjet që nuk është paguar asnjë këst.
5. Mos deklarimin në Inspektoriatin e Deklarimit të Pasurive të pasurisë vilën në fshatin e Samir Manes pas TEG-ut me vlerë rreth 1 milion euro, një vilë me vlerë 250 mijë dollarë në Mavrovo të Maqedonisë, një dyqan 400 metra katrorë të TEG me vlerë 800 mijë euro në emër të vajzës Fiona Fullani.
6. Me veprime fiktive blen “Hotel Dajtin” me paratë e shqiptarëve për 30 milionë euro, në një kohë që nuk i duhet Bankës së Shqipërisë dhe as që ka nisur ende rikonstruktimi i objektit.
7. Rritjen e numrit të punonjësve dhe drejtorive e sektorëve të Bankës pa asnjë kriter dhe bazë ligjore, nga 320 punonjës në vitin 2005-2006, arriti në 502 punonjës në vitin 2012. Pagat e larta të tyre (që arrin në 5-fishin e punonjësit të administratës jashtë bankës) dhe dhënia edhe e makinave e karburantit për ta që arrin në 150 milion lekë në vit. Në një kohë që taksapaguesit në mjerim mezi nxjerrin shpenzimet e ditës dhe pagesën e detyrimeve dhe ilaçeve.
8. Shpenzime tërësisht të pa justifikuara në aktet ligjore e nënligjore, rreth 280 mijë dollar për sport nga paratë e shqiptarëve , caktimi I një fondi prej 19.964.000 lekë për “uniforma, veshje pune”, si dhe parashikimi në buxhetin e vitit 2010, lekë 10.900.000 për “kompensim ushqimi” për stafin e Bankës së Shqipërisë”.
9. Disa Banka të nivelit të dytë dorëzonin paratë e dëmtuara dhe merrnin disafish më shumë kartëmonedha të reja.

Këto veprime dhe mosverpime të autoritetit më të lartë të Bankës së Shqipërisë, sipas nenit 248 të Kodit Penal përbëjnë veprën penale të “Shpërdorimit të Detyrës” dhe tregojnë rrezikshmërinë e lartë të autorit dhe të veprës, dhe si të tilla janë të dënueshme sepse :

Në këtë dispozitë penale parashikohet :
Kryerja ose moskryerja me dashje e veprimeve a e mosveprimeve në kundërshtim me ligjin, që përbën mospërmbushje të rregullt të detyrës, nga personi që ushtron funksione publike, kur i kanë sjellë atij ose personave të tjerë përfitime materiale ose jomateriale të padrejta a kanë dëmtuar interesat e ligjshëm të shtetit, të shtetasve dhe të personave të tjerë juridikë, nëse nuk përbën vepër tjetër penale, dënohet me burgim deri në shtatë vjet dhe me gjobë nga treqind mijë deri në një milion lekë.

Elementët e veprës penale

Tani të shikojmë nëse ky personalitet z. Ardian Fullani, në ushtrimin e detyrës së tij, i ka konsumuar këto element të kësaj figure të rëndë krimi :

Objekt i krimit të shpërdorimit të detyrës janë ato marrëdhënie juridike të vendosura me ligj ose akte nënligjore për të siguruar veprimtarinë e rregullt të autoritetit shtetëror, zbatimin e ligjeve, si dhe mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të ligjshme të shtetasve ose shtetërore, të mbrojtura posaçërisht me legjislacionin penal nga veprimet ose mosveprimet kriminale. Zoti Ardian Fullani, me veprime dhe mosveprime me dashje nuk ka zbatuar kërkesat e parashikuara në Ligjin Për Bankën e Shtetit, Ligjin “Për auditin e Brendshëm, Ligjin “Për Organizimin dhe Funksionimin e Ministrisë së Financave, Ligjin për funksionimin e Bankave të nivelit të dytë, etj., për të parandaluar shkeljet e shumta dhe në mënyrë të veçantë skandalin e grabitjes së thesarit në shumën 730 milion lekë ( 7 milion USD), në Bankën e Shtetit, si dhe për të vënë përpara përgjegjësisë personat drejtues për këto shkelje e veprime të rënda korruptive, që kanë sjellë pasoja të rënda në dëm të interesave të ligjshme të shtetasve e Shtetit.

Nga ana objektive krimi i shpërdorimit të detyrës kryhet me veprime ose mesveprime që synojnë të pengojnë zbatimin e ligjit, d.m.th. kemi të bëjmë me veprime ose mosveprime të kundërligjshme. Veprimi karakterizohet nga fakti se ai kryhet:
a) Nga personi në sajë të detyrës, por vjen në kundërshtim me ligjin, me përmbushjen e rregullt të detyrës.
b) Që nga veprimi ose mosveprimi i kundërligjshëm të kenë ardhur pasoja të rënda, për interesat e shtetasve ose shtetit.
c) Ekzistenca e lidhjes shkakësore të drejtpërdrejtë midis veprimit ose mosveprimit të paligjshëm dhe pasojës së rëndë të ardhur.

Ardian Fullani me cilësinë e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë veprimet dhe mosveprimet korruptive, që favorizojnë dhe sigurojnë korrupsionin këtë të keqe të përhapur në rritje, pa ndalim në të gjitha organet shtetërore dhe ato të drejtësisë e rendit. Nga këto veprime kanë ardhur pasoja të rënda interesave të shtetasve dhe shtetit. Gjithashtu në veprimet e tij të kundërligjshme dhe pasoja të rënda të ardhura ekziston lidhja shkakësore e drejtpërdrejtë.

Subjekt i krimit të shpërdorimit të detyrës është subjekt i posaçëm i veshur me cilësinë e posaçme funksionale e që në sajë të detyrës, i përdor ato cilësi për kryerjen e veprimeve ose mosveprimeve të paligjshme duke shkaktuar pasoja të rënda interesave të ligjshme të shtetasve apo atyre shtetërore. Zoti Ardian Fullani kryerjen e veprimeve dhe mosveprimeve i bën në saj të detyrës së tij të posaçme të Guvernatorit, duke shkaktuar pasoja të rënda interesave të shtetasve dhe shtetit.

Nga ana subjektive për krimin e shpërdorimit të detyrës kërkohet dashja për kryerjen e veprimeve apo mosveprimeve në kundërshtim me ligjin, që përbën mospërmbushje të rregullt të detyrës. Nuk mund të mendohet që zoti Ardian Fullani veprimet dhe mosveprimet për të mos kryer asnjë procedurë ligjore, që garanton ligji për ruajtjen dhe administrimin e parave, dhe për më tepër që për këto procedura ka një legjislacion bashkëkohor të përafruar me ato të BE.

Të mos harrojmë se krimi i shpërdorimit të detyrës konkurron me vepra penale të tjera, kur parashikohen element përbërës i figurave të veprave penale, si Korrupsioni aktiv dhe pasiv, që parashikohen nga nenet 319 e 319/a të Kodit Penal, etj.

Burimet e Provave
Pretendimet e Shoqatës, që përbëjnë kallëzim penal në ngarkim të të lartë përmendurit i provojmë me këto dokumente e dëshmitarë :
1. Artikujt e shumtë të Medias, që nga fillimi i muajit Korrik 2014 e në vazhdim që i publikon në mënyrë të vazhdueshme këto veprime dhe mosveprime të kundërligjshme, që Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, të kryera me dashje nga një drejtues i lartë i shtetit, në institucionin e rëndësishëm dhe jetik për shqiptarët dhe shtetin shqiptar.
2. Arrestimet e shumta të organit të Prokurorisë të drejtuesve të ndryshëm të këtij institucioni.
3. Fjalimet e këtij drejtuesi në Komisionin e Ligjeve dhe përpara organit të Prokurorisë, etj.
4. Veprimet administrative të vetë guvernatorit, për nxjerrjen e urdhrave e vendimeve për shkarkimet nga detyra të vartësve të tij për skandalin e bujshëm të vjedhjes së thesarit.

Nisur sa sipër, mbështetur në nenet 277, 280, 281|4, 283 dhe 287 të Kodit të Procedurës Penale:

KËRKOJMË :
Fillimin e procedimit penal në ngarkim të z. Ardian Fullani, për veprën penale “Shpërdorimi i Detyrës”, të parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.

Kallëzuesi
Për Shoqatën e Avokatëve Antikorrupsion Shqiptare
Kryetari
Ndue Pjetra