Av Ndue Pjetra/ Qeveria e Ramës si grupi “Lemeria”, shteti kërkon etiketat, por nuk rregullon pusetat

570
Sigal

Kohët e fundit ka plasur një polemikë e madhe në lidhje me masat shtrënguese të shtetit, ose më saktë për gjobat policore ndaj atyre drejtuesve të automjeteve që udhëtojnë pa kutinë e ndihmës së shpejtë, pa fikësin e zjarrit, apo pa etiketat përkatëse sipër tyre. Sipas Kryeministrit, apo ministrave përkatës, kjo bëhet në emër të mbrojtjes së jetës, por në fakt kjo është skemë e propagandës mashtruese të shtetit shqiptar, e cila nuk bën gjë tjetër veçse hap rrugën e abuzimit për policët, duke mbushur fletët e gjobave, ose duke mbushur xhepat e policëve rrugorë. Nga ana tjetër, duke kërkuar kutinë e ndihmës së shpejtë, fikësin e zjarrit, etj., brenda një kohe të shkurtër, qeveria e Ramës ka harruar detyrimet ndaj qytetarëve, ose më saktë ndaj drejtuesve të automjeteve. Dhe nuk ka përmbushur asnjë detyrim karshi tyre në lidhje me infrastrukturën, tabelat e rrugëve, dëmtimet e urave, gropat e mëdha që trefishohen çdo ditë, pusetat e hapura, mosshtrimin ose vonesën e asfaltimit të rrugëve, etj., etj.. Për këtë shkak qeveria shqiptare meriton një gjobë shumë të rëndë nga ana e qytetarëve të vet.

Le t’i marrim me radhë gjërat!

-Kush mban përgjegjësi për mungesën e pusetave të rrugëve, në Kino-Studio, Laprakë, Kombinat, te ish Parku i Autobuzëve, te rruga “Qemal Stafa”, te Unaza e Re, pranë Brylit, apo te zona e Maternitetit të Ri? Thuhet shpesh nga policia, ose nga drejtuesit lokalë se këto puseta janë vjedhur nga njerëz të papërgjegjshëm! Po kush mban përgjegjësi për ruajtjen e tyre si edhe për moskapjen e hajdutëve? A mos vallë duhet të dalin qytetarët me pushkë për të ruajtur pusetat gjatë natës, ndërkohë që kontigjenti i Ministrisë së Brendshme e ka mendjen te kontrollet e kutive të ndihmës së shpejtë, për të përfituar ndonjë lekë nën dorë?

-Pyetja e dytë ka të bëjë me mungesën e tabelave të rrugëve, ku shpesh ka mungesa të pajustifikueshme tabelash dhe herë të tjera ka tabela ku nuk merret vesh asgjë se çfarë shkruhet. Dhe kjo neglizhencë krijon konfuzion e keqinformim te shoferët, sidomos të atyre që vijnë nga jashtë kufijve zyrtarë të vendit tonë.

-Gjithashtu, ka shumë probleme në rrugët e reja të porsandërtuara, si p.sh. te Rruga e Kombit, Durrës-Kukës, apo te rruga Tiranë –Elbasan. Sepse shpesh tunelet shemben dhe makinave u duhet të kthehen për të vazhduar drejtimin nga rruga e vjetër, duke harxhuar kështu kohë dhe karburant, pa llogaritur konsumimin e makinës.

-Përveç kësaj, një pjesë e madhe e urave janë gjysmë të shkatërruara dhe makinat rrinë në radhë, për të kaluar në anën tjetër duke u lëkundur mbi gropa të mëdha e të vogla. Sepse paratë e tenderëve të meremetimit të këtyre urave, janë vjedhur me kohë nga qeveritarët e të gjitha ngjyrave. Po kush mban përgjegjësi për këto vjedhje dhe sidomos për konsumin e gomave të makinave, apo për dëmtimet e tyre në gropat përkatëse. Kush mban përgjegjësi për kohën e humbur në pritje të gjata, ku ka trafik dhe konfuzion, siç është rasti, p.sh te ura e Qytetit të Nxënësve, ku pas orës 9.00 të mëngjesit kalimi bëhet një mision i pamundur? Sepse qeveria, ose bashkia nuk kanë mundur dot të ndërtojnë aty, një mbikalim që do të ulë shumë kostot e qarkullimit të automjeteve.

Për të gjitha këto, qeveria shqiptare meriton një gjobë të rëndë, nga qytetarët e vet. Por qytetarët shqiptarë janë njerëz të urtë e të durueshëm, prandaj kasta e Ramës, është bërë si grupi i dikurshëm i Yzberishtit, me emrin “Lemeria”. Që para disa vitesh, nëpërmjet shantazhit dhe dhunës i fuste frikën banorëve të Yzberishtit, përpara se t’i grabiste ata.