Av. Kujtim CAKRANI/ Farsa zgjedhore dhe “Xhaketat e kthyera” të Universitetit të Vlorës

754
Në datën 20 prill 2016, institucionet e Arsimit të Lartë në të gjithë vendin u përfshin nga zgjedhjet për drejtuesit e rinj. Natyrisht, edhe në Universitetin e Vlorës u zhvilluan të ashtuquajturat zgjedhje, por në fakt ato nuk ishin zgjedhje sepse, përveç zëvendësimit apo freskimit të postit të rektorit që për hir të së vërtetës i zgjedhuri Rolandë Zisi, që më parë nuk ka patur poste drejtuese në Universitetin e Vlorës dhe që vlerësimi do jepet nëse do ndërmarrë reforma të thella, të gjithë të zgjedhurit e tjerë duke filluar nga dekanë, shefa departamentesh, senat etj, janë po ata, të njëjtët fytyra, të cilët e kanë katandisur universitetin në sytë e mbarë botës si më të korruptuarin në institucionet e larta. 

Farsa e zgjedhjeve

Por le t’i bëjmë një përmbledhje, se si u zhvilluan zgjedhjet dhe kush janë “xhaketat e kthyera” që janë zgjedhur? Në fakt ata ishin fitues që më parë, data e zgjedhjeve dhe votimi ishte një procedurë që duhej bërë që këta të legjitimoheshin, zyrtarisht. Ky proces të sjell në mend kohën e afërt të diktaturës që zgjedhjet bëheshin vetëm për procedurë sepse fituesit ishin përcaktuar, procesi zgjedhor bëhej vetëm që populli dhe bota të bindeshin se në Shqipëri bëhen zgjedhje demokratike. Falsifikimet me titujt dhe gradat shkencore, por edhe ata të gjoja diplomuarit jashtë vendit që nuk kanë ekuivalentuar akoma titujt e fituar është faza e parë e manipulimit të procesit. Në universitetin e Vlorës nuk pati zgjedhje sepse zgjedhjet u kontrolluan nga njerëzit e ish-rektorit Qarri, duke filluar nga komisioni i zgjedhjeve i të gjithave niveleve, këta individë u përzgjodhën me kujdes më parë nga ish- rektori Qarri, pasi ndaj tij kishin një detyrim për faktin se i ka punësuar si pedagogë universitarë. 

Rokada nga rektor në dekan

Në Fakultetin më të madh të këtij Universiteti, atë të Ekonomisë për Dekan u zgjodh ish-rektori Albert Qarri, i cili gjatë gjithë mandatit të tij si rektor e kaloi duke falsifikuar dokumente me qëllim vjedhjen e fondeve të UV fakt ky tashmë i njohur botërisht nga çdo qytetar i këtij vendi. Nga burime brenda Universitetit ish rektori Qarri, për të zgjedhur beniaminët e tij në senat, këshilla fakulteti, dekanë, shefa departamentesh në mënyrë “mafioze” të jashtëligjshme ka përdorur presionin mbi pedagogët duke i thirrur ata çdo ditë në zyrë, edhe pse mandat i tij ligjërisht kishte përfunduar më 7 mars 2016. Ish rektori Qarri tashmë Dekan Fakulteti i Ekonomisë, ka arritur rekorde, ku për një vend pune ka punësuar 4 apo 5 persona. Shembulli i qartë është zyra Juridike në të cilën janë të punësuar 5 juristë, ndërkohë që organigrama e përmban vetëm një. E kështu me radhë të gjitha zyrat e tjera. Ky individ, shembull i korrupsionit me anë të falsifikimeve, por fatkeqësisht do drejtojë për 4 vitet e ardhshme Fakultetin e Ekonomisë, a nuk është “Xhaketë e kthyer”? Natyrisht që po! Shefat e Departamenteve të Fakultetit të Ekonomisë, janë shembulli tjetër i farsës zgjedhore në Universitetin e Vlorës, për faktin se, u rizgjodhën përsëri të njëjtët individë. Natyrisht këta nuk patën rival ishin të vetëm sepse, kështu u krijuan rrethanat që këta të rizgjidheshin pa rival. Si mund të quhen zgjedhje këto, ku përsëri janë të njëjtët individë që kanë përgjegjësinë për korrupsionin masiv që ka përfshirë Universitetin e Vlorës? Natyrisht që po! 

Raste të tjera abuzuese

Një tjetër individ që u zgjodh Dekan i Fakultetit të Shkencave Teknike është ish- zv/ rektori Hajdar Kiçaj, krahu i djathtë i ish-rektorit Qarri, bashkëpunëtor në çdo aferë korruptive. Jo rastësisht ai u vendos Dekan në Fakultetin e Shkencave Teknike, për këtë punoi fort me klanin e tij ish-rektori, i cili ju bëri një presion të vazhdueshëm pedagogëve për ta votuar dhe natyrisht ai fitoi se dihet: votat i numëronin njerëzit e përzgjedhur prej tij. Pra duket qartë se ata që drejtuan dje dhe e katandisën Universitetin në ditën e hallit, sot kanë ndryshuar poste duke u zgjedhur Dekan. A nuk është edhe ky një “Xhaketë e kthyer”? Natyrisht që po! 

Farsa zgjedhore vazhdoi edhe për anëtarët e Senatit Akademik

Në organin më të rëndësishëm të Universitetit u rizgjodhën të njëjtët individë vetëm me pak ndryshime këtë radhë u fut në senat edhe bashkëshortja e ish-rektorit dhe tani janë aty burrë dhe grua, këta do të marrin vendime për të ardhmen e UV. Në përbërje të tij, janë të njëjtët ish-ushtarët apo beniaminët e ish-rektorit Qarri, pra të njëjtat fytyra që nuk dinë të bëjnë gjë veçse servilin sahanlëpirësin ndaj shefit të radhës. Farsa zgjedhore në universitetin e Vlorës, nuk konsistonte vetëm në rizgjedhjen e të njëjtave fytyra të paafta dhe korruptuara, por ajo kishte brenda përveç presioneve të vazhdueshme të ish-rektorit Qarri ndaj pedagogëve sidomos atyre që ai kishte rekrutuar gjatë mandatit të tij, por në këtë farsë zgjedhore janë përdorur edhe falsifikime me titujt dhe gradat shkencorë, rasti më rastet më flagrante janë ato të, kandidatit për shefin e Departamenti të Juridikut dhe Matematikës që nuk kanë ekuivalentuar diplomën e doktoraturës e gjoja përfunduar jashtë vendit, por në fakt nuk figurojnë si të tillë. Normalisht sipas ligjit këta individë nuk duhej të futeshin fare për konkurrim pa përfunduar më parë këtë procedurë. 

Falsifikimi i kthyer në sistem

Por në Universitetin e Vlorës falsifikimi është kthyer në sistem; gjysma e pedagogëve të punësuar me gjoja diplomë të përfunduar jashtë vendit është procedurë antiligjore më vete sepse, këta nuk kanë të ekuivalentuar diplomat sipas ligjit nga Ministria e Arsimit. Transparenca e kandidatëve nuk funksionoj fare sipas ligjit, asnjë nga kandidat për postet drejtuese nuk dorëzoi sipas ligjit dëshminë e penalitetit apo vërtetimin nëse janë apo në ndjekje penale nga organi i Prokurorisë, apo vërtetimin nga Gjykata nëse janë apo jo në procese gjyqësore penale, kjo procedurë nuk u zbatua edhe pse sipas ligjit të ri për dekriminalizimin që tashmë ka hyrë në fuqi e kërkon atë në mënyrë të detyrueshme. 

Krimi i organizuar ka kapur universitetin

Pra edhe këto zgjedhje treguan se, Universiteti i Vlorës është i kapur nga “Krimi i organizuar”, që ka për organizator dhe udhëheqës ish-rektorin Albert Qarri, që e shkatërroi edhe këtë radhë të ashtuquajturin proces zgjedhor duke mos i lënë asnjë pedagogë të ndershëm të këtij Universiteti të kandidonte duke përdorur forma presioni të tipit mafioz. Të shkruash për çka ndodhur gjatë gjithë të ashtuquajturit proces zgjedhor në universitetin e Vlorës, duhen shume faqe por, e rëndësishmja që të vëmë në dukje dhe të bëjmë publike se, aty nuk pati zgjedhje por vetëm kthim të xhaketave nga krahu tjetër, dhe riciklim të korruptuarish. Pra, është detyra e rektorit të ri të këtij Universiteti, zotit Rolandë Zisi që të shkatërroj këto klane tipike mafioze që ka ndërtuar me shumë kujdes ish-rektori Qarri dhe ta fus këtë institucion në shinat e ligjshmërisë. Çdo gjë është e mundur pasi shembulli është, të gjithë jemi dëshmitar të asaj periudhe kur universitetin e Vlorës e drejtonte një njeri që vinte nga qytetaria dhe fisnikëria e këtij qyteti prof. Tanush Shaska, i cili e renditi këtë institucion në ranketimet botërore, si asnjëherë më parë. 
Sigal