Av. Idajet Beqiri/ Priftërinj, apo kriminelë ordinerë?

791
Sigal

Ajo çka ndodh në Përmet me klerikët e Kishës Ortodokse është ngjarja më e paprecedentë, e cila e kompromenton rëndë misionin e kishës. Madje, kjo ngjarje kompromenton shumë rëndë shtetin dhe diplomacinë greke, të cilët bënë një ndërhyrje, që është diametralisht e kundërt me principet e qytetërimit europian, të një shteti të mirëfilltë ligjor, si dhe të një diplomacie serioze. Problemi i ambienteve të Pallatit të Kulturës në Përmet është një problem i mirëfilltë ligjor. Ka vite që është krijuar një mosmarrëveshje pronësie. Kisha Ortodokse pretendon se Pallati i Kulturës dhe trualli, ku qëndron ky objekt, janë prona të kishës. Sikundër kemi anën tjetër, atë të shtetit shqiptar, i cili pretendon se kjo pronë është publike, sepse mbi këtë truall shteti ka ndërtuar një Pallat Kulture, i cili u shërben interesave të gjithë qytetarëve të Përmetit. Konflikti i krijuar, me qenë se ka karakter juridik, e vetmja rrugëzgjidhje e tij është që palët e interesuara t’i drejtohen gjykatës. Pallati i Kulturës në Përmet është pronë publike, nën administrimin e Bashkisë së Përmetit. Kjo Bashki ka fituar betejën juridike me Kishën dhe Gjykata ka dhënë një vendim gjyqësor të formës së prerë, me anën e të cilit i kërkohet Kishës të lirojë të gjitha ambientet e Pallatit të Kulturës. Kisha i ka patur të gjitha instrumentet juridike të paraqiste pretendimet dhe ankesat e veta në gjyq. I ka paraqitur ato, në të gjitha shkallët e gjykimit. Gjykatat e Shkallës së Parë dhe të Apelit i kanë konsideruar antiligjore të gjitha pretendimet e Kishës. Në këto kushte vendimi gjyqësor, sipas koncepteve të një shteti juridik, ka tashmë fuqinë e ligjit dhe zbatohet pa ekuivok. Veprimet e zyrës përmbarimore dhe e policisë për të ekzekutuar këtë vendim gjyqësor janë të drejta dhe në përputhje të plotë me ligjin. Kundërshtimi, që kanë bërë priftërinjtë ortodoksë kundër veprimeve të ligjshme të përmbaruesit gjyqësor, ditën që është ekzekutuar ky vendim gjyqësor, është vepër penale. Janë me dhjetëra e dhjetëra raste në Shqipëri, që veprime të tilla, si ky i kryer nga priftërinjtë ortodoksë në Përmet, janë dënuar penalisht për pengim në ekzekutimin e vendimit gjyqësor. Pra, pengimi i ekzekutimit të një vendimi gjyqësor është vepër penale, e parashikuar në nenin 320 të Kodit Penal dhe dënohet deri në dy vjet burg. Nëse priftërinjtë kanë bindjen se e drejta është me ta, rruga e vetme që zgjidhet në një vend të qytetëruar, ku funksionon shteti ligjor, është kundërshtimi në gjykatë i veprimeve përmbarimore. Rruga e “rezistencës”, prej priftërinjve, quhet dhunë kundër organit, që ka për detyrë ligjore të zbatojë vendimet gjyqësore, për rrjedhojë, të penalizon. Në këto kushte, priftërinjtë duhen denoncuar për kryerjen e krimit të pengimit në ekzekutimin e një vendimi gjyqësor. Ndërsa, akti tjetër i priftërinjve, të cilët përmes krimit të vetëgjyqësisë kanë kundërshtuar me dhunë punonjësit e policisë bashkiake dhe janë futur në Pallatin e Kulturës, duke e zaptuar atë me forcë, është një akt tjetër i pashembullt. Madje, deklaratat e priftërinjve, se, “do e mbrojnë ambientin e kishës me kokën e tyre”, në një kohë që kjo pronë nuk është e tyre, sepse, që të jetë e tyre, duhet akti i pronësisë, është provokuese e kërcënuese. Pronësinë ligjore mbi këtë pronë e ka shteti shqiptar, domethënë Bashkia. Fitimi i pronësisë, prej Bashkisë, është bërë mbi bazën e një akti të mirëfilltë ligjor. Edhe sikur historikisht kjo pronë të ishte e kishës, sikurse pretendojnë priftërinjtë, përsëri ligji mbi kthimin dhe kompensimin e pronave, që ka dal në vitin 1993, e ka nënvizuar qartë dhe prerë se nuk u kthehen pronarëve të vjetër ato prona që janë tjetërsuar dhe i shërbejnë një interesi publik. Pallati i Kulturës është pronë publike. Kisha, pronare në këtë rast, kompensohet me një pronë tjetër. Pra, edhe në gjenezë, priftërinjtë nuk kanë të drejtë. Në këto kushte, të veprosh si bandit, sikurse veprojnë priftërinjtë ortodoksë në Përmet, duke shkelur me të dyja këmbët ligjet e shtetit, dhe duke kryer tre krime të rënda, atë të pengimit të ekzekutimit të vendimit, të dhunës kundër punonjësve të policisë si, dhe krimin e vetëgjyqësisë, është jo vetëm një veprim kriminal, por edhe antifetar dhe i dyshimtë në pikëpamjen morale e kombëtare. Pikë së pari, që besimi fetar dhe institucionet e tij nuk janë antishtet. Shenjtërinë e shtetit ligjor e kanë pranuar dhe e respektojnë me rigorozitet të gjithë besimtarët, e jo më krerët e besimit të tyre. Dhuna e priftërinjve ortodoksë, përmes pengimit të ekzekutimit të një vendimi gjyqësor, që është ligj dhe nuk mund të shkelet për asnjë arsye, dhuna e tyre kundër punonjësve të policisë si dhe dhuna e përdorur për të rimarrë jo me rrugë ligjore, por me vetëgjyqësi, diçka që me dokumente i takon shtetit shqiptar, domethënë bashkisë së qytetit, tregon se nuk kemi të bëjmë me besimtar dhe me priftërinjtë ortodoksë, por kemi të bëjmë me një bandë kriminale, e cila duhet të ndëshkohet rëndë. Ndërhyrjet e segmenteve të papërgjegjshme të shtetit grek, në këtë rast, me deklarata jo serioze, marrja në mbrojtje prej tyre e krimeve të tilla, që kryejnë disa priftërinj ortodoksë në Përmet, të cilët e bëjnë këtë gjë thjesht dhe vetëm për interesa “të duken më katolik se papa”, për t’u bërë “të pëlqyer” prej qarqeve shoviniste greke dhe për të përfituar si shpërblim disa euro të pista, janë akte të dënueshme për të gjithë botën e qytetëruar. Nëse një akt i tillë do të kishte ndodhur në Greqi, pseudo-priftërinj të tillë do të ishin përplasur pa hezitim prapa hekurave të burgut. Veprimi i kundërt i autoriteteve greke bënë të reflektosh thellë se kemi të bëjmë me një shovinizëm, që i ka rrënjët jo në qarqet e caktuara greke, por brenda vet këtij shteti. Dhe akte të tilla nuk duhen toleruar prej shtetit shqiptar dhe diplomacisë sonë. Nëse Greqia, e cila po falimenton krejt Europën, mendon se, me akte të tilla, do t’i imponohet shtetit shqiptar të “lëshojë pe”, ndryshe do të vendosi veton kundër anëtarësimit të Shqipërisë në BE, dhe nëse vetë BE-ja do i tolerojë edhe në të ardhmen këto akte shoviniste si dhe këto mospërfillje të hapura që i bëhen një shteti ligjor dhe një vendi sovran, një BE e tillë që thotë: “Bëni si them unë, por mos bëni s’i bëj unë”, nuk i duhet një Shqipërie demokratike, të qytetëruar dhe sovrane.

 

Janullatos, hiq dorë nga provokimet dhe dhuna ndaj institucioneve shqiptare

At’ Nikolla Marku

Çfarë po na shohin sytë! Një grup arrogantësh, të mbledhur si helmi i gjarprit në autobusë dhe disa të veshur me rrobën e priftit, ushtrojnë dhunë skandaloze ndaj punonjësve të veshur me uniformë! Si është e mundur që qytetarët e Përmetit bëjnë sehir një turp të tillë?! Janullatos, misionit tënd shovinist në dëm të Shqipërisë po i vjen fundi. Të paralajmëroj drejtpërdrejtë se, po vazhdove me lojëra të tilla në Përmet, do të mbash ti përgjegjësi direkte për ato çka mund të ndodhin më pas. Po shkojmë ne me autobusë dhe do të mbrojmë vlerat e historisë sonë. Askush në Shqipëri nuk kërkon të marrë kisha me forcë në dëm të besimtarëve ortodoks, por problemi me Shtëpinë e Kulturës në Përmet është çështje që zgjidhet me drejtësi dhe jo me konflikt. Si guxon kisha ortodokse greke të flasë dhe të bëjë presion ndaj kishës ortodokse shqiptare dhe shtetit shqiptar? Me ç’të drejtë ndërhyn në punët e një shteti të pavarur dhe një kishe të pavarur ortodokse siç është kisha shqiptare? Çfarë kërkon Ministria e Jashtme Greke dhe shtypi i saj me deklarata dhe prononcime shoviniste kundër institucioneve të shtetit shqiptar, si dhe kundër njerëzve që mbrojnë ligjin dhe të drejtën e besimit, por dhe lirinë e pacenueshme të kishës ortodokse të pavarur Shqiptare dhe të besimtarëve të saj sa ortodokse po aq dhe patriote, në dobi të kombit të tyre? Kush guxon të trajtojë atdheun tonë si një province Greke? Sa e ndyrë dhe e pështirë është ajo shfaqe që bëjnë pseudo priftërinjtë në Përmet, të cilët janë shërbëtorët e agjenturës shoviniste greke me në krye Janullatosin, si dhe autorët e veprimeve makabër në dem të kombit shqiptar me shfarosje dhe varreza memorial vorio-epirote? Kujt i ka ikur mendja që kërkon të cenojë historinë, lirinë dhe dinjitetin shqiptar, besimin e ndritshëm fetar të çdo lloji? Kush mendon se ne shqiptarët jemi kaq të pafuqishëm duke na provokuar në durimin tonë hyjnor dhe tolerancë fetare të përjetshme që kemi? Kjo bandë, me disa priftërinj të shitur në dëm të Shqipërisë si qershitë mbi tortë, po kurdisin ngjarje të ardhshme të rrezikshme. Unë dua t’i kujtoj këtyre bashibozukeve të paguar nga Asfalia greke se, këtu është Shqipëri dhe se fundi i tyre do të jetë shumë tragjik. Reagimi ynë si ortodoksë, por dhe si shqiptarë që e duam vendin dhe popullin tonë do të jetë i menjëhershëm. Askush nuk do të mund të përdhosë vlerat e besimit fetar në Shqipëri, por dhe vlerat tona kombëtare në përgjithësi.

  GSHDNJ, apo G(Greke)DNJ-i i Janullatos?

Grupi Shqiptar i të Drejtave të Njeriut, në një deklaratë të saj, lidhur me dhunën që kanë ushtruar disa priftërinj dhe besimtarë të importuar nga jashtë Përmetit në Përmet, ka harruar tërësisht detyrën dhe statutin e tij dhe ka marrë tërësisht në mënyrë të njëanshme anën e priftërinjve dhe besimtarëve të importuar, teksa përdor një frazeologji, jo juridike, jo qytetare, por gjuhën e shpifjeve dhe të kërcënimeve. GSHDNJ-i i quan “fyerje”, “qëndrim agresiv kundër Kishës Ortodokse”, ata që u ngarkuan që të zbatonin një vendim të gjykatave, madje edhe të Gjykatës Kushtetuese. GSHDNJ-i, shkon edhe më tej në qëndrimin e vet provokativ kundër shtetit ligjor të Shqipërisë, teksa në deklaratën e vet, nënvizon se e ka ndjekur gjithë procesin gjyqësor të konfliktit të pronësisë të Kishës me Bashkinë e Përmetit dhe thekson se: “Ky akt nuk është vetëm një ekzekutim rutinë i një vendimi gjyqësor, ( të Gjykatës Kushtetuese) por dëshmon haptazi një procedurë tipike nën frymën e urrejtjes fetare për këtë komunitet”. GSHDNJ-i vlerëson urrejtje fetare vendimin e Gjykatës Kushtetuese!!! Bukën e kujt ha kësisoj GSHDNJ-i? Përse nuk reagon GSHDNJ-i për poshtërimin që u bën shteti grek emigrantëve shqiptarë në pikat kufitare, për hakmarrje shtetërore për ngjarjet në Përmet? A nuk shqetësohet fare GSHDNJ-i për të drejtat e emigrantëve shqiptarë, që nëpërkëmben nga një shtet dhe jo thjesht nga disa policë? Apo GSHDNJ-i bën politikën e Janullatos dhe shqetësohet vetëm për të synimet e djallëzuara shoviniste të Kishës greke kundër Kishës  Ortodokse Autoqefale Shqiptare?

 Ministri i Jashtëm Bumçi “fle në këmbë” përballë revanshizmit diplomatik grek

 Neonazistët grekë erdhën në Himarë, kërcënuan se kanë ardhur për të çliruar me luftë Himarën, por nga Ministria e Jashtme e Shqipërisë nuk u bë asnjë reagim. Pasuan dhuna dhe zaptimi i disa besimtarëve dhe priftërinjve të importuar në marrjen me dhunë të Pallatit të Kulturës në Përmet, ku Ministria e Jashtme greke, në mënyrë flagrante, duke shkelur të gjitha rregullat dhe ligjet e marrëdhënieve diplomatike ndërkombëtare, ndërhyn haptazi në punët e brendshme të Shqipërisë, teksa qëllimisht kërkon që të imponojë politikën e saj edhe në çështjet e besimit fetar në Shqipëri, mirëpo vetëm Ministria e Jashtme shqiptare hesht dhe nuk reagon. Ministri i Jashtëm, Aldo Bumçi, siç duket, “fle në këmbë”, derisa nuk reagon, që të dërgojë një notë proteste Athinës, që t’i vejë kufirin te thana e të mos imponojë Athina, politikën e saj edhe në çështjet e besimit fetar në Shqipëri. Kisha Ortodokse Autoqefale është shqiptare dhe jo helene, ndaj ministri i Jashtëm, Aldo Bumçi duhet të …zgjohet nga gjumi i mefshtësisë dhe paaftësisë diplomatike.