Autostrada Tiranë-Durrës u jepet me koncesion Oligarkëve

970
Sigal

Ministrja Balluku dhe qeveria Rsma, edhe pse nuk kanë asnjë metër rrugë në autostradë deklarojnë se duke filluar nga vjeshta në rrugën Tiranë-Durrës do hyhet me pagesë. Në këtë aks qarkullojnë miliona banorë të Shqipërisë, Kosovës, të huaj që vijnë nga porti i Durrësit, aeroporti dhe mijëra biznese

 

Qeveria iu vendos drejtuesve të automjeteve taksë për rrugën ku qarkullojnë 1 milionë e gjysmë banorë

 

Urdhri i Ballukut, në Tiranë do hyhet dhe do dilet me pagesë

 

 

Ministrja Balluku nuk ka ndërtuar asnjë km rrugë, por autostradën  Tiranë-Durrës e bën me pagesë brenda vjeshtës

Brenda vjeshtës së këtij viti Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë planifikon nënshkrimin e kontratës koncesionare për autostradën Tiranë-Durrës, ku ndër të tjera synohet që kalimi për automjetet të bëhet me pagesë. Lajmi bëhet me dije nga ministrja, Belinda Balluku, e cila thotë se projekti për këtë aks iu është dorëzuar investitorëve, ndërsa pritet shprehja e interesit nga ana e tyre. “Unë kohët e fundit kam pasur kontakte me shumë investitorë të huaj. Ministria ka përgatitur fisha të veçanta për çdo projekt për të gjetur partneritetin e duhur, qoftë edhe nga pikëpamja e eksperiencave që investitorët e huaj kanë, por edhe nga pikëpamja e interesit të zhvillimit që ato kanë në vendin tonë. Kështu që, rruga Tiranë-Durrës është dorëzuar në duart e disa investitorëve të huaj që kanë treguar interes, pasi ai është aksi kryesor që lidh kryeqytetin me portin tonë ndërkombëtar. Ashtu sikurse dihet, ajo autostradë prek zonën industriale të Shqipërisë dhe jo vetëm Tiranën apo Durrësin. Kështu që, besoj edhe interesi nga ana e investitorëve, shumë shpejt do të jetë i shprehur. Ndaj mendojmë që të gjitha këto projekte, vjeshta do t’i gjejë në kohën e nënshkrimit të kontratave dhe të realizimit të tyre.” -tha ministrja. Megjithatë, Balluku sqaron se të gjithë projektet e rrugëve që synohen të jenë me pagesë, do të kenë edhe alternativën e tyre, që mund të aksesohet falas. “Të gjitha rrugët që do të konsiderohen të futen në një koncesion me pagesë do të jenë rrugë që kanë alternativën e tyre. Kjo do të thotë që qytetarët mund të përdorin rrugën alternative, pa pagesë. Gjithashtu, ajo çfarë ne synojmë në projektet tona për rrugët me pagesë është që ndërtuesi apo investitori duhet të marrë përsipër dhe rehabilitimin e rrugëve ekzistuese. Ky është një element i ri që ne po mundohemi të futim në kontratat e reja dhe që normalisht do të ishte në favor të qytetarëve dhe të shtetit shqiptar, sigurisht.” – tha Balluku. Kjo kërkesë vjen pas problematikës së shkaktuar me autostradën Milot-Morinë, ku aktualisht nuk ka asnjë rrugë alternative, ndërkohë që banorët e Kukësit janë të detyruara të paguajnë, ndonëse aplikohen tarifa të reduktuara.

 

Ja pse oligarkët e kanë lakmuar këtë koncesion

 

Historiku i dhënies me koncesion filloi që në mesin e muajit Qershor, ku deklarata e kryeministrit Edi Rama për kalimin me pagesë në autostradën Tiranë-Durrës bëri bujë. Futja në skemën e rrugëve me pagesë e arteries kryesore të infrastrukturës rrugore në vend u argumentua nga kreu i qeverisë si një mundësi për ta mirëmbajtur atë në standardet e nevojshme. Gazeta “Telegraf” ka publikuar  një raportim për këtë në datën 31 Tetor 2018.

Autostrada Tiranë Durrës do të bëhet me pagesë, 385 milionë euro pagesa e tenderit

 

Qeveria nuk ndalet në dhënien e koncesioneve, 2 miliardë euro fatura, FMN dhe BB kundërshtojnë

 

Qeveria e Rilindjes Socialiste nuk ndalet në dhënien e koncesioneve dhe të tenderëve, edhe pse deri tani fatura e 2.400 koncesioneve dhe tenderëve të dhëna i kalon 1,5 miliardë euro. Sipas nj studimi të kryer nga institucionet në SHBA, Shqipëria ia kalon edhe Francës në dhënien e koncesioneve, e krahasuar me madhësinë e ekonomisë, ndërkohë që borxhi publik i Shqipërisë rritet në përmasa të paparashikuara dhe shqetësuese, papunësia rritet, vendet e punës zvogëlohen. Ministria e Financave programon të paguajë vitin tjetër për financimin e koncesioneve rreth 12,6 miliardë lekë ose rreth 100 milionë euro me kursin aktual të këmbimit, sipas programit të projektbuxhetit 2019, me një rritje 72% ne krahasim me faktin e këtij viti. Vitin që vjen janë parashikuar të financohen 12,6 miliardë lekë nga 7,3 miliardë lekë të planifikuara për tu paguar këtë vit.

 

Edhe 2 miliardë euro të tjera për koncesionet e reja

 

Qeveria shqiptare ka planifikuar të nënshkruaje edhe tre kontrata të reja koncesionare në infrastrukturën rrugore dhe aeroportuale. Ndër to spikat dhënia me koncesion e Autostradës, Tiranë- Durrës kundrejt vlerës 49 miliardë lekë ose rreth 385 milionë euro. Projekti përfshin ndërtimin dhe mirëmbajtjen e rrugës. Projekte të reja janë autostrada Kashar-Rrogozhinë me 84 miliardë financim ose 660 milionë euro. Gjithashtu kontrata e koncesionit për aeroportin e Vlorës parashikohet te financohet me PPP me 14 miliardë lek ose rreth 110 milionë euro dhe Aeroporti i Kukësit me një vlerë 884 milionë lekë ose rreth 5 milionë euro. Të gjitha koncesionet reja që pritet të nënshkruhen vitin që vjen me PPP që përfshijnë shkollat në Tiranë, Spitalin rajonal të Fierit, 6 akse rrugore dhe dy aeroporte kushtojnë gjithsej 262 miliardë lekë, duke e kaluar vlerën e 2 miliardë eurove.

 

FMN dhe BB kundërshtojnë fort koncesionet e qeverisë së Rilindjes

 

Shqipëria para disa javësh u detyrua të merrte një borxh të ri prej 500 milionë euro, në formën e eurobondit, shumë kjo që ende nuk është reflektuar në borxhin publik. FMN dhe BB e kanë kundërshtuar me forcë dhënien masive të koncesioneve dhe tenderëve, të cilat nuk bëjnë investime publike, nuk kanë hapur vende të reja pune, nuk kanë sjellë aspak rritjen e të ardhura në buxhetin e shtetit. Përkundrazi. Në 8 mujorin e parë të 2018-s u krijua një “gropë” e zezë në të ardhura, pasi munguan 500 milionë lekë.

 

Qeveria jep me koncesion rrugët dhe vendos pagesën

 

Shumë rrugë, të cilat janë ndërtuar deri tani në Shqipëri, po jepen me koncesion nga qeveria, dhe koncensionari po vendos tarifa, që ata që kalojnë në to, të paguajnë, siç ndodhi në”Rrugën e Kombit”. Autostrada, të cilat janë ndërtuar me fondet publike, po u jepen koncesionarëve për t’i shfrytëzuar, mirëmbajtur, duke vendosur pagesat. Madje, edhe rrugët e reja që planifikohen të ndërtohen, do të jenë me PPP, domethënë do të ndërtohen me fonde publike dhe koncesionari do t’i shfrytëzojë, duke vendosur tarifa pagese në çdo rrugë. Por vendosja e detyruar e tarifave në rrugët tona është e jashtëligjshme, sepse nuk ka rrugë të tjera alternative, paralele, ku secili të zgjedhë, në kë rrugë të udhëtojë: Në atë me pagesë, apo në rrugën dytësore pa pagesë.

 

Grabitje me tarifat në rrugë. Shqiptarët paguajnë 200 milionë euro/vit taksë rruge

 

Vendosja e pagesave në çdo rrugë, është një vjedhje e hapur, pasi shqiptarët paguajnë çdo vit 200 milionë euro taksë rruge,ku fondet duhet të përdoren vetëm dhe ekskluzivisht për mirëmbajtjen e rrugëve. Mirëpo qeveria këto 200 milionë euro, që i vjel çdo vit si taksë rruge, i përdor për qëllimet e veta, ndërkohë që mirëmbajtjen e rrugëve do ta jap me koncesion dhe koncesionari vendos tarifat.

 

Tiranë Durrës  do qarkullohet  me …pagesë

 

Shumë shpejt kalimi në autostradën Tiranë-Durrës do të bëhet me pagesë.. Bëhet fjalë për një propozim, ku i gjithë investimi do të kryhet nga privati dhe kalimi në rrugë do të jetë me pagesë,’- deklaroi Ministria e Infrastrukturës në një sqarim zyrtar të shpërndarë për mediat. Sipas relacionit të projektbuxhetit 2019, koncesioni i rrugës Tiranë-Durrës ka një vlerë prej 49.1 miliardë lekësh ose 330 milionë euro. Sipas planit, këto para privati do i investojë për të zgjeruar rrugën me korsi shtesë si dhe për mirëmbajtjen e saj për një periudhë deri në 30 vjet. Në këmbim përgjatë kësaj kohe qytetarët shqiptarë do të paguajnë tarifë sa herë që kalojnë në rrugën Durrës-Tiranë. Ministria e Infrastrukturës nuk e ka bërë publike se sa është tarifa e kalimit që ka propozuar kompania private në ofertën e pakërkuar të koncesionit. Pagesë dyfish Rruga Tiranë-Durrës është aksi me qarkullimin më të madh në Shqipëri. Sipas të dhënave zyrtare, në këtë segment qarkullojnë mesatarisht 35 mijë mjete në ditë, por në periudhë piku trafiku ditor kërcen edhe mbi 50 mijë mjete. Më parë, duhej të ndërtohej rruga Tiranë – Ndroq – Plepa, që qytetarët të zgjidhnin në kë rrugë alternative të kalonin, por qeveria qëllimisht nuk e ndërton, që të detyrojë drejtuesit e mjeteve të kalojnë nga autostrada, që t’i “rrjepë” ekonomikisht.