Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare dhe Banka Qendrore e Republikës së Kosovës nënshkruajnë Memorandum Mirëkuptimi

257
Sigal

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare dhe Banka Qendrore e Republikës së Kosovës nënshkruan sot, më 21 tetor 2020, një Memorandum Mirëkuptimi, në kuadër të bashkëpunimit mes autoriteteve financiare, në funksion të rregullimit, licencimit dhe mbikëqyrjes së tregjeve.

Memorandumi i Mirëkuptimit, që zëvendëson atë të vitit 2008, u nënshkrua në Tiranë nga Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i AMF-së, z.Ervin Mete dhe Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, z. Fehmi Mehmeti.

Në fjalën e mbajtur në ceremoninë e nënshkrimit të memorandumit, z. Mete theksoi se marrëveshja e re e bashkëpunimit i përgjigjet jo vetëm zhvillimeve të kohës, por edhe çështjeve që kanë dalë në pah ndër vite mes Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare dhe Bankës Qendrore të Kosovës.

Memorandumi thellon linjat e bashkëpunimit mes dy rregullatorëve në funksion të mbikëqyrjes së integruar dhe efektive, në veçanti përmes Kolegjeve Mbikëqyrëse të grupeve të sigurimit, për shoqëritë vendase të sigurimit dhe risigurimit, të cilat kanë investime apo degë të tyre në vende të tjera.

Gjithashtu, sa i përket tregut të sigurimeve palët angazhohen të adresojnë çështje të veçanta të mbikëqyrjes në të dy vendet, si vlefshmëria reciproke e policave të sigurimit të detyrueshëm motorik për përgjegjësinë ndaj palëve të treta, detyrimet reciproke mbi praktikat e dëmeve apo trajtimin dhe pagesën e dëmeve.

Në lidhje me tregjet e kapitalit, Shqipëria është në një stad më të avancuar përsa i përket kuadrit ligjor, nëpërmjet ligjeve të miratuara së fundmi, si edhe ka krijuar infrastrukturën e tregut, Bursën dhe Regjistrarin. Autoriteti është i gatshëm të asistojë Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës në këtë drejtim. Gjithashtu, dy rregullatorët do të bashkëpunojnë në funksion të përmirësimit të sistemeve të teknologjisë së informacionit dhe digjitalizimit, duke iu përgjigjur evoluimit të vazhdueshëm të tregjeve nën mbikëqyrje.

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës në fjalën e tij, u ndal te rëndësia e bashkëpunimit reciprok mes dy rregullatorëve në adresimin e çështjeve me interes të përbashkët, në funksion të mbarëvajtjes dhe zhvillimit të tregjeve nën mbikëqyrje.