“Auditimi, dije dhe zhvillimi” – lajtmotivi i kolanës së botimeve të KLSH

667
Nga Redi AMETLLARI
Auditues

Një shoqëri demokratike nuk kërkon thjesht një marrëdhënie individ-libër, por kërkon kalimin në një instancë më të lartë, mes institucionit dhe librit. Në kushtet e Shqipërisë, ku korrupsioni përbën një nga sfidat më të mëdha për vendin, lidhja e institucioneve me librin është pjesë integrale e luftës kundër korrupsionit. Dukshëm, binomi mirëqeverisje-kulturë është i pandashëm dhe për të ruajtur këtë ligjësi lipset afrimi i institucioneve shtetërore me librin, këtë “institucion” kulturor. 

Për Kontrollin e Lartë të Shtetit, arti i të shkruarit ka një rëndësi jetike për institucionit. KLSH e reflekton veprimtarinë e saj në raportet e auditimit, të cilat në vetvete përbëjnë një libërth. Sigurisht, ato nuk janë letërsi e as trill, porse një kronikë të një ndodhie, një ngjarjeje. Personazhi ynë kryesor është interesi publik, fondet publike të shqiptarëve dhe raporti në vetvete është narratori që zbardh ato personazhe negative si korrupsioni që cenojnë interesat e shqiptarëve. Në këtë këndvështrim, roli i audituesit merr tiparet edhe të një shkrimtari, pasi mënyra e të shkruarit të raportit ka aq rëndësi sa vetë evidencat. Këtë marrëdhënie, Kontrolli i Lartë i Shtetit e ka harlisur në një stad më të lartë, ku institucioni shërben si një shtëpi e librit dhe një pjesëmarrës sistematik i panaireve të librit, duke i shtuar kështu një dimension tjetër transparencës. 

KLSH vjen në pesë vitet e fundit 2012-2016 me një kolanë botimesh prej 67 titujsh, krahasuar me 12 botime të publikuara në 20 vjet (1991-2011). Çdo vit dinamika e botimeve të institucionit rritet me 10 për qind dhe përçon drejtimet strategjike të reformimit të institucionit, që janë rritja e kontributit në përmirësimin e qeverisjes publike. Botimet e KLSH-së janë zbatim i detyrimeve ndërkombëtare të angazhimit të institucioneve të auditimit edhe në fushën e botimeve të dokumentacionit për t’i mundësuar qytetarëve një akses më të gjerë. Plejada e botimeve, e cila pasurohet nga viti në vit, pasqyron çdo kronikë të reformave që ka nisur KLSH për të modernizuar institucionin drejt parametrave të SAI-ve evropiane. Përmes tyre, KLSH rrisim transparencën dhe llogaridhënien tonë si institucion pasi besimi i qytetarëve është burimi i pavarësisë sonë si institucion kushtetues

Përpos botimeve periodike e tradicionalë si “Audituesit në Shtypin e Përditshëm”, “Raporti Vjetor i Performancës”, “Analiza Vjetore”, “Konference Shkencore”, vlen të veçojmë tre numra të Revistës Shkencore “Auditimi Publik”, e cila aktualisht ka arritur në numrin 14 të saj. Rritja në numër e kësaj reviste, me një zhanër të veçantë si kërkimore-shkencore, është një indikator i rritjes së kapaciteteve audituese të vetë KLSH-së dhe reflekton punimet shkencore të stafit të KLSH-së, botës akademike si dhe praktikave më të mira nga SAI-et homologe e organizatat e BE-së si Programi SIGMA. Këtë vit kanë vijuar bashkëpunimin me KLSH për realizimin e Revistës personalitete të fushës së Ekonomisë nga vendi si dhe personalitete të njohura dhe me eksperiencë nga Institucionet Supreme të Auditimit (SAI) nga vende të rajonit e më gjerë, si: President i EUROSAI-t, njëkohësisht President i Gjykatës Holandeze, Arno Visser; Dr. Igor Soltez, zv/Kryetar i Komisionit të Parlamentit Evropian për Kontrollin e Buxhetit të BE-së, Prof. Dr. Sherif Bundo, Prof.Dr, Niko Panom, z.Zef Preçi, Prof. Dr. Omer Stringa, Prof. Dr Sazan Guri etj.

Modernizimi i KLSH-së është një proces i vazhdueshëm e që bazohet në disa piketa, në standardet e INTOSAI-t, të cilat mbeten në qendër të linjës botuese të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Kësisoj, libri “ISSAI, 1- 400” përbën një botim që reflekton shkallën e përthithjes nga KLSH të standardeve të auditimit por edhe sfidat që ka institucioni në adoptimin e plotë të tyre, me qëllim rritjen e kapaciteteve audituese dhe modernizimin e KLSH-së në nivelin e SAI-ve evropiane. Me fokus në edukimin profesional të audituesve publikë, KLSH sjell tek lexuesit e interesuar, që përfshijnë jo vetëm audituesit por dhe studentët, profesionistë të fushave të tjera të lidhura më auditimin, botimin “Direktivat e BE-së e mbi Prokurimin Publik dhe Kontratat Koncesionare”, si udhëzues të këshillueshëm për t’u lexuar e studiuar, duke i paraprirë kështu sfidave që sjell integrimi i Shqipërisë në BE-në në fushën e prokurimeve dhe koncesioneve. 

Në mars të 2016 filloi implementimi i Projektit të Binjakëzimit, në kuadër të asistencës së BE për Shqipërinë dhe të zbatimit të Instrumentit të Parazgjerimit, IPA 2013. Konferencën e Përurimit të këtij projekti e kemi pasqyruar në një botim të posaçëm për shkak se aty përcaktohen drejtimet kryesore të projektimit dhe rezultatet që synohen të arrihen në modernizimin e institucionit dhe në krijimin e një auditimit të jashtëm publik shqiptar në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe praktikat më të mira të vendeve evropiane, ku vlen të theksohet eksperienca e NIK-ut Polak, SAI-t Kroat të cilët po asistojnë KLSH në realizimin e një reformimi të thellë të Kontrollit të Lartë të Shtetit, rezultatet e së cilës do të kenë një impakt të gjerë jo vetëm për institucionin, por për forcimin e mirëqeverisjes dhe luftën kundër korrupsionit.

Auditimi i performancës, një term “ekzotik” ky për KLSH-në e para 2012, sot është një realitet i reflektuar me ngritjen e një Departamenti për Auditimin e Performancës. Ky format auditimi është lëvruar me profesionalizëm dhe me përkushtim në KLSH, jo vetëm si auditim por edhe si kulturë menaxheriale, dhe impakti në publik e mirëqeverisje të këtij auditimi flet vetë për suksesin e arritur në këtë fushë. Botimi “Auditimi i Performancës në KLSH, 2012-2015” është përgatitur nga Kryetari i KLSH-së, z.Bujar Leskaj dhe nga z.Rinald Muça, Drejtori i Departamentit të Auditimit të Performancës. Ky libër përbën një kronikë e rrugëtimit të auditimit të performancës në Kontrollin e Lartë të Shtetit dhe libri pasqyron punën e shtrirë në 30 auditime dhe në mbi 130 institucione të audituara gjatë periudhës 2012-2015.

Libri “4 vjet Auditim i Jashtëm Publik”, i përgatitur nga Kryetari, z.Bujar Leskaj, bën një plotësim të lajtmotivit “Auditimi, dije dhe zhvillim” të linjës botuese që ndjek Kontrolli i Lartë i Shtetit. Ky botim shpalos përpara lexuesit të thjeshtë dhe atij të interesuar shqiptar, përmes dokumenteve të Kryetarit, ndryshimin dhe evoluimin e KLSH-së në kulturën e punës audituese si dhe në rritjen e cilësisë së gjetjeve dhe rekomandimeve të saj. Në tërësi, libri ofron një tablo të përmasave të transformimeve drejt një organizate evropiane të auditimit suprem, e cila udhëheq nëpërmjet shembullit që jep, në përputhje me orientimin Strategjik të INTOSAI-t dhe EUROSAI-t. Kolana e botimeve së është një mozaik i reformave që janë kryer në KLSH. Prezenca e figurave të shquarat të botës akademike, komunitetit të INTOSAI-t, shoqërinë civile, institucioneve të tjera shtetërore flet për reformat që janë ndërmarrë për të shndërruar KLSH-në në një Institucion Suprem Europian të Auditimit të Jashtëm Publik.

Biblioteka e KLSH-së është e aksesueshme online për cilindo të interesuar dhe librat mund të shkarkohen falas e të bëhen pjesë të bibliotekës personale për këdo të interesuar.
Sigal