Atentatori grek sherr në palestër me Kasmin para vrasjes…Kamerat ‘fundosin’ Meshinin

548
Mario Meshini do të qëndrojë prapa hekurave nën masën e arrestit me burg për akuzën e bashkëpunimit në vrasjen e Devi Kasmit, tre ditë më parë në Tiranë.
Vendimi u mor nga gjykatësja Ardiana Bera, sipas kërkesës së bërë nga prokuroria, e cila e akuzon Meshinin për akuzat e “vrasjes me paramendim”, kryer në bashkëpunim në rolin e ndihmësit dhe “armëmbajtjes pa leje”.
Por, ndërsa gjykatësja ishte tërhequr për të shpallur vendimin, prokurori Artan Lulo u largua me urgjencë drejt drejtorisë së policisë në kryeqytet, pasi u informua se ishin arrestuar të dyshuarit për krimin, mes të cilëve dhe një shtetas grek në rolin e dyshuar si ekzekutor i Devi Kasmit.
Dyshimet se një shtetas i huaj ishte i përfshirë në ekzekutimin mafioz që tronditi Tiranën, u ngritën menjëherë sapo të afërmit e Kasmit informuan policinë se njeriu i tyre tri ditë përpara se të vritej kishte patur një debat në palestër, me një person që nuk ishte shqiptar, pra shtetas të huaj.Sipas tyre, personi në fjalë ishte i gjatë rreth 1.80 dhe mbante mjekër. Me këto karakteristika e përshkroi edhe Mario Meshini, personin që i qëlloi para syve ish-mikun e tij, të cilin dyshohet se e nxori në pritë.
Në dritën e këtyre fakteve, grupi i hetimit të kërkim të një vrasësi me pagesë i ardhur nga vendet fqinje.
Në fakt, 72 orë më vonë, në pranga përfundoi ish-efektivi i forcave special Greke, Efthimiu Efthimias, i cili dyshohet se qëlloi Kasmin kundrejt një shume të majme eurosh.
Edhe gjatë seancës për caktimin e masës së sigurisë ndaj Meshinit, avokati i tij Ferdinand Doja, kërkoi nga prokuroria të marrë pamjet filmike dhe të vërtetojë këto fakte, duke këmbëngulur se i mbrojturi prej tij nuk kishte lidhje me krimin.
Po ndërsa i riu mohon akuzat në dosjen e prokurorisë thuhet se nga rrëfimet e dëshmitarëve rezulton e provuar që i dyshuari Meshini ishte nën shoqërinë e Kasmit kur këtë të fundit e qëlluan për vdekje me pesë plumba.
Madje – thotë prokurori – Meshini shfaqet me dorën drejtuar viktimës, duke ngritur dyshime se edhe ai mund të ketë qëlluar në drejtim të mikut të tij.
Për këtë arsye, ndaj 25-vjeçarit është ngritur dhe akuza e armëmbajtjes pa leje.
Por nëse ai ka qëlluar ose jo në drejtim të 42-vjeçarit, prokuroria është në pritje të rezultateve të laboratorit kriminalistik, ku janë dërguar për ekzaminim armët e gjetura.
Pozitën e Meshinit në krim e kompromentuan, jo vetëm thëniet kontradiktore dhënë para hetuesve, por edhe fakti se pas krimit 25-vjeçari nuk shkoi në polici të kallëzonte ngjarjen, por doli të darkonte me të njohur. Ndaj për të gjitha këto fakte ai është kyçur të paktën për momentin prapa hekurave.
Sigal