Atentat në Vlorë, ekzekutohet me armë 32-vjeçari

583
Sigal

Një person ka humbur jetën gjatë një atentati me armë zjarri në Vlorë. Ngjarja e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së dielës rreth orës 18:00 në afërsi të portit.
Sipas policisë, persona ende të paidentifikuar kanë qëlluar 4 herë me armë zjarri pistoletë në drejtim të një automjeti. Mësohet se automjeti mbi të cilin është qëlluar me armë zjarri është me targa AA 606 ID, ndërsa i vrarë ka mbetur shtetasi me iniciale R. Tore.
Makina ishte e parkuar dhe 32-vjeçari ndodhej brenda mjetit dhe do të zbriste për të takuar disa persona. Mendohet se në atentat kanë qenë të përfshirë dy persona, ku njëri prej tyre ka qëlluar dhe më pas janë larguar me makinë në dretjim të rrugës Transballkanike.
Ndërkohë janë shoqëruar disa persona dhe po pyeten në lidhje me ngjarjen, ndërsa janë sekuestruar pamjet filmike të bizneseve përreth.
Policia sqaron se: Rreth orës 17:57, në vendin e quajtur “Ish-Parku i Tregëtisë”, në rrugën e kësaj zone është qëlluar me armë zjarri në mjetin e tij “Mitsubishi” me targë AA 606 ID, një shtetas i cili për shkak të plagëve në trup ka ndërruar jetë rrugës drejt Spitalit Rajonal. Nga verifikimet paraprake rezulton se viktima është shtetasi R.T 32 vjeç, banues në Vlorë, i cili njihet si person me precedent kriminal dhe me rekorde të theksuara kriminale. Dyshohet se autori pasi ka kryer krimin është larguar me shpejtësi me një automjet, për të cilin po punohet për zbulimin e tij.
Policia ka ngritur pika kontrolli në rrugët dalëse dhe hyrëse të qytetit të Vlorës me qëllim kapjen e autorit.
Ndërkohë kanë nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.