“Asht i mjerë ai popull që nuk ia del me zotnue bijtë e vet të këqinj”

244
Sigal

Më 28 gusht 1924 u lind në Bogë, Malësi e Madhe, At Zef Pllumi, frati françeskan, publicisti dhe shkrimtari që vuajti rreth 25 vite si i dënuar politik në burgjet komuniste

Ai zgjodhi t’ia kushtonte jetën shërbimit shpirtëror, edhe pse gjysmën e këtyre viteve, jo në kuvende e kisha, por në burgje e kampe pune, ku mblodhi shumë rrëfime shpirtrash që vuanin duke u munduar t’i qetësojë.

Fillimisht u arrestua më 14 dhjetor 1946. Edhe pse ishte më i riu ndër të arrestuarit, 22 vjeç, edhe ai u dënua. Shkak për arrestimin e tij, ishte të qenët sekretari personal i Provincialit dhe komunistët mendonin se duhej të dinte shumë. E dënuan me tre vjet burg që i vuajti në Burgun e Madh të Shkodrës dhe në kampet e Bedenit në Myzeqe dhe Orman-Pojanit në Maliq.

Kthehet në Kuvendin Françeskan kur negociatat mes Kishës e Qeverisë u “qetësuan”. Nga viti 1949–1951 merret me numizmatikë si teknik i Muzeut të Shkodrës. Në vitin 1958 shugurohet meshtar dhe për 12 vjet shërben si meshtar i Dukagjinit me qendër në Shosh, për ku niset në shtator 1958. Në vitin 1967 arrestohet dhe për 23 vjet vuan dënimin në Spaç, Reps, Skrofotinë të Vlorës, Ballsh, Zejmen-Shënkoll, Shën Vasil dhe Tiranë.

Pas daljes nga burgu dhe rikthimit të lirisë së fesë në Shqipëri nis shërbimin si meshtar dhe punën si publicist. Përjetimet personale dhe dëshmitë e mbledhura në vitet e dënimit, i ka rrëfyer në librin-ikonë të letërsisë së burgut “Rrno vetëm për me tregue”.

U nda nga jeta në vitin 2007 në Romë.