As Tiranë as Elbasan, ja ku zhvendoset këtë vit festa e Ditës së Verës

479
Një qytet me një traditë të hershme, ndonëse shumë pak e dinë.
I tillë është Përmeti, qyteti i bukur i luleve, i cili këtë 14 mars duket se do të rrëmbejë vëmendjen e shumë vizitorëve vendas dhe të huaj. Jemi mësuar që çdo vit të fokusohemi tek Tirana apo Elbasani për të festuar Ditën e Verës, por ja që edhe në Përmet “bëhet nami”. Nën moton “Duaje Tokën – Mbro Të Ardhmen” të organizatës botërore Slow Food International, këtë vit Përmeti tregon ngjyrat e tij të vërteta.
Një seri aktivitetesh duke nisur që nga dreka tipike e Ditës së Verës me gatime unike sipas zakoneve tona. Tryeza e kuzhinës së tre brezave, shfaqje gatimesh e disa prej pjatave të “Ditës së Verës” me shef Urim Jaçe i Aleancës Slow Food së bashku me gjyshet përmetare. Nxjerrja e rakisë me kazan bakri, kapërcimi i zjarrit me dëllinja, sazet e Përmetit me tingujt e gërnetës apo ekspozita e prodhimeve të fermerëve dhe blegtorëve. Pa harruar sigurisht lojrat popullore argëtuese si molla “rrotulluese”, patatja “ngatërrestare” , vezët “akrobate” si dhe daljet për “OZI-BOZI” të fëmijëve me shporta në duar teksa këndojnë “oziiii, boziiii erdhi martallloziii…”, ndërkohë që shportat mbushen me ëmbëlsira. Kujtojmë se ishte ish Kryeministri i vendit zoti Fatos Nano ai që e ktheu Ditën e Verës në festë zyrtare në vitin 2004. Mirëpo ‘ekskluziviteti” i Elbasanit për këtë festë nuk zgjati shumë pasi menjëherë sapo erdhi në pushtet, Kryeministri aktual zotit Edi Rama, vendosi ta sjellë Ditën e Verës në Tiranë. Mesa duket këtë vit festa nuk do të ketë më ngjyrime politike, sikundër ishte ideja e Ministrisë së Kulturës për ta zhvendosur atë në Përmet. Me pak fjalë një festë “e lëvizshme” që nuk dihet se ku do kemi fatin ta festojmë vitin e ardhshëm