Artur AJAZI/ Të mbash peng Amfiteatrin 3 mijë vjeçar!

634
Sigal

Gjithmonë arkeologët në Durrës, duke mos e kuptuar realisht se çfarë fshihet nën rrogoz, pyesin se, kush e mban peng Amfiteatrin, zbulimet e reja dhe promovimin e vlerave të tij. Aktualisht,  duke e parë situatën teknikisht, vërtetojmë në terren se, një  banesë  e amortizuar  dykatëshe, vazhdon të mbetet pengesë për zbulimin e mëtejshëm të arenës së amfiteatrit antik të Durrësit, i cili daton që në shekullin e I të e.s. Transferimi i familjeve që banojnë në këtë godinë private ka nisur të diskutohet që në vitin 2004, kur bashkia me mbështetjen e qeverisë deklaroi nismën për realizimin e projektit  arkeologjik  urban “Durrësi”, pjesë  e të cilit ishte edhe vënia në dispozicion të publikut e pjesës më të madhe të shkallareve,  galerive  si  dhe  arenës  së  monumentit më të madh të lashtësisë  tonë. Qëndrimi i bashkisë në mbështetje të kësaj nisme nuk ka ndryshuar, por realiteti në qendër të lagjes Kala të qytetit ku ndodhen rrënojat madhështore të amfiteatrit, është i njëjtë me fillimin e viteve 2000. Megjithëse, familjarët që banojnë në këtë godinë kanë pranuar shpronësimin dhe transferimin me kushte të njëjta në banesa të tjera asgjë nuk ka ndryshuar.  Shkallaret në formë elipsi me lartësi mbi 20 metra janë “fshehur” pas ndërtesës 80-vjeçare, gjysmë të shkatërruar. Ekspeditat italo-shqiptare që vijojnë prej 6 vjetësh në pjesën juglindore të monumentit tashmë janë bllokuar thuajse në themelet e banesës që pengon hapjen e arenës së amfiteatrit, e cila sipas përllogaritjeve ndodhet afro 8 metra nën nivelin e rrugës. Specialistët e Institutit të Arkeologjisë në Tiranë, si dhe ata të universiteteve italiane “La Sapienza” të Romës, kanë konstatuar me ndihmën e aparaturave dhe teknologjive moderne se, në arenën e pahapur ka ndërtime të tjera, të cilat mund të sjellin të dhëna të rëndësishme arkeologjike. E mbi të gjitha kështu do t’i hapej rrugë realizimit të një projekti të paraqitur nga qeveria italiane në Tokio, në një seminar mbi arkeologjinë, tre vjet më parë, i cili synon që bashkë me rivitalizimin e monumentit dhe të vlerave muzeale të shfrytëzojë arenën si një sallë verore spektaklesh me kapacitet 1500 spektatorë. Amfiteatri i Durrësit është zbuluar në vitin 1966, falë këmbënguljes së arkeologut të njohur Vangjel Toçi dhe bashkëpunëtorëve të tij. Për hapjen e shkallareve dhe galerive të pjesës perëndimore që ishte ndërtuar në faqen e kodrës që ndan qendrën e qytetit nga pjesa bregdetare janë prishur 33 shtëpi, ku banonin 50 familje të vjetra durrsake si Kthupi, Njala, Velja, Kapedani, Bebeziqi, Plepi etj.. Ekspeditat intensive për hapjen e amfiteatrit kanë vazhduar nga viti 1966 deri në vitin 1970, e megjithatë, ky monument antik nuk u zbulua dot plotësisht. Misionet e mëvonshme qenë të shkurtra dhe të karakterit shkencor. Që nga viti 2004 një ekspeditë italo-shqiptare e financuar nga Ministria italiane e Punëve të Jashtme dhe Instituti i Arkeologjisë në Tiranë, ka mundësuar gërmimin në një sipërfaqe prej 600 metra katrorë në pjesën juglindore të monumentit. Zbulimet kanë hedhur dritë mbi mënyrën e jetesës së banorëve gjatë periudhës nga shek. 9-13, si dhe në evidentimin e rrënojave të një pallati madhështor të ndërtuar në fillim të shekullit të 13. Katër skelete të pjesëtarëve të një familjeje, të cilët kishin humbur jetën nga një tërmet në vitin 1273, si dhe mjaft objekte të tjera si enë qeramike, qelqi, monedha etj, ishin prova të qarta për vazhdimësinë e jetës në qytetin bregdetar edhe pas rënies së shkëlqimit të Durrësit, qytetit më të vjetër në bregun lindor të detit Adriatik. Ekspeditat janë pjesë e projektit të parkut arkeologjik urban “Durrësi” që parashikon realizimin e një itinerari turistik, ku bashkë me amfiteatrin, vizitorët mund të “shijojnë” edhe forumin rrethor, muret mesjetare të periudhës bizantine, Torrën veneciane si dhe muzeun arkeologjik të qytetit 3000-vjeçar. Gjatë këtij sezoni veror numri i vizitorëve në amfiteatrin e Durrësit është dyfishuar, ndërsa vetë amfiteatri i ndërtuar në shekullin e parë të erës sonë vazhdon të tërheqë interesimin e botës shkencore. Amfiteatri i Durrësit ndodhet në qendër të qytetit, afro 350 metra larg detit në drejtimin jugor. Ndërtimi i tij fillon në rrafshin e arenës në kuotën 5.50 metra mbi nivelin e detit dhe dy të tretat e tij mbështeten në kodër. Nga studimet e deritanishme rezulton se, amfiteatri i Durrësit ka arkitekturë romake dhe është ndërtuar në periudhën e perandorit Hadrian. Ai është shfrytëzuar për dyluftimet e gladiatorëve dhe të shtazëve të egra për afro 2 shekuj. Në shek. 5 të erës sonë, amfiteatri nisi të braktisej si pasojë e dekretit bizantin për ndalimin e ndeshjeve të gladiatorëve dhe në mjediset e tij u ndërtuan një kapelë (kishëz) bizantine. Në muret e kapelës janë kompozuar vertikalisht disa afreske dhe mozaikë, të cilët përbëjnë një rast unik ndër mozaikët e zbuluar në vendin tonë. Boshti i madh i amfiteatrit është 127 metra, ndërsa boshti i vogël 103 metra. Përmasat e arenës me formë ovale janë përkatësisht 63 dhe 39 metra. Të dhënat më të rëndësishme për ekzistencën e amfiteatrit i ka dhënë historiografi i shquar shqiptar Marin Barleti në shek. 16-të, i cili në veprën e tij mbi jetën dhe veprën e Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu shkruan se në Durrës “ndodhet një arenë ose amfiteatër, i ndërtuar me zgjuarsi dhe mjeshtëri të admirueshme. Amfiteatri i Durrësit ka përmasa mesatare mes 45 amfiteatrove të zbuluar të botës antike nga Roma deri në Budapest dhe Lion.