Artur AJAZI/ Korrupsioni, kjo epidemi që ka prekur mbarë vendin

507
Sigal

Korrupsioni, asnjëherë nuk ka qenë më i përshfaqur si një epidemi e rrezikshme për Shqipërinë se sot. Institucionet dhe qytetarët e këtij vendi, asnjëherë më tepër se sot, nuk janë ndjerë më të kapitulluar dhe të pafuqishëm para këtij uragani që ka prekur çdo zyrë të shtetit. Korrupsioni është e keqe e madhe e cila e ka kapluar shoqërinë tonë. Por në vend që të luftohet ai po trashet , dhe vështirë  ti tundësh qoftë edhe një fije  këtij fenomeni kriminal. Korrupsioni është bërë gangrenë, e cila çdo shoqëri e degradon skajshmërisht, veçanërisht atë shqiptare. Shqipëria  ka strukturat të panumërta “antikorrupsion”, por nuk po ndërmerr plane zbatuese shumë konkrete, ose të këtë strategji edhe kombëtare në luftë kundër kësaj të keqeje të madhe. Organet relevante për luftë ndaj krimit  dhe veçanërisht korrupsionit, të klasifikuar si njëlloj i veçantë krimi, shumë pak po bëjnë që ta fitojnë betejën kundër tij. Kur korrupsioni bëhet sistem, siç ka ndodhur tek ne, atëherë situata komplikohet më shumë. Strukturat shtetërore antikorrupsion kanë paraqitur para organeve të drejtësisë shumë raste ku në afera te korrupsionit gjenden të përfshirë edhe njerëzit e politikës, të cilët sigurisht  pasurinë e krijuar e kanë në shumë raste  të paligjshme. Korrupsioni tek ne ka shtrirje në të gjitha sferat e jetës  dhe kjo e vështirëson luftën kundër tij. Korrupsioni nuk është diçka e thjeshtë dhe shpesh ai paraqitet me elemente antiligjore dhe antishtetërore. Ligji duhej të vepronte shumë ashpër kur mblidhen fakte se ka korrupsion në strukturat e larta  të shtetit. Lufta kundër korrupsionit është edhe luftë kundër aparatit burokratik dhe oligarkik. Në rast se dëshirojmë të kemi shoqëri të shëndoshë, duhet eliminuar korrupsioni, pasi kjo e keqe ka mbërthyer duke nisur nga krerët e organeve shtetërore dhe veçanërisht politikanët. Lufta ndaj këtij fenomeni bëhet e shtrirë në të gjitha pushtetet, ku konstatohet dhe zbulohet se aty ka korrupsion. Çdo zyrtar me ndërgjegje të pastër as nuk korruptohet dhe as nuk korrupton njeri, por kjo vetëdije pozitive  mungon në të shumtën e rasteve, dhe e ka krijuar në sistem korrupsionin. Ka shumë organe shtetërore që janë angazhuar të  luftojnë korrupsionin, si Ministria e Drejtësisë, Ministria e Brendshme, kurse përsa i përket  gjykatave, ato duhet të jenë  shumë transparente. Duhet të jenë të tilla pasi  ato janë ndër më të  akuzuarat për korrupsion. Korrupsioni është shkak dhe pasojë, edhe për krimin ekonomik. Struktura të korruptuara ka deri lart në piramidë, dhe kjo e ka stopuar dukshëm luftën ndaj tij. Prej vitesh ne jemi  peng i vetvetes, duke dhënë shembull të keq në bërjen e shtetit ligjor. Pikërisht lakmia për të qenë i pasur ka korruptuar shumë politikanë që  po mundohen të ruajnë pozicionet politike, para dhe pas  pushtetit. Epidemitë gjithmonë mposhten  kur ndaj  tyre shpallet  lufta frontale nga gjithë shteti. Në rastin e korrupsionit, Shqipëria ende nuk ka një front të përbashkët nga i cili mund të shpresojmë fitoren ndaj kësaj epidemie, e cila po gërryen themelet e institucioneve kushtetuese, duke rrezikuar progresin  e duke krijuar  invazionin ekstrem ndaj shtetit ligjor.