Artan Hoxha tregon si u njoftua Basha per Toyota Yaris

201

Paratë ishin të një grupi të lidhur me të

Nga Artan Hoxha

Sigal

Një ndihmë e vogël për Bashën, që nuk dëshmon dot se nga e mori informacionin për ardhjen e Toyota Yaris me 1.5 milionë euro të narko-trafikut.

Por dhe një indicie për prokurorët belg, përpara se të largohen nga Shqipëria, që të mos lodhen më me linjën Bruksel-Tirane, për të marrë në pyetje shefin e PD-së zyrtare.

Pyetja bazë e prokurorëve federalë belgë, por dhe e opinionit shqiptar, është si e mori vesh Lulzim Basha se drejt Shqipërisë po vinte një autoveturë me një sasi të madhe parash të narko-trafikut??!!

Saktësia e informacionit që ai publikoi në Kuvendin e Shqipërisë më 22 qershor 2018 është e denjë për skena filmash të Netflix.

Informacioni i Bashës ishte aq i saktë, sa duket e çuditshme pse pronarët e 3.4 milionë eurove, vendosën të mos e ndryshonin itinerarin e trajlerit të nisur nga Belgjika.

Ngjarjet në 48 orët në vijim, u zhvilluan pikë për pike siç e deklaroi Basha në Kuvend.

Me të vetmin ndryshim, paratë nuk ishin të grupeve të Elbasanit, që kishin lidhje me pushtetin, siç tha Basha, por të një grupi tjetër, i cili për fat të keq rezultoi se kishte lidhje me Bashën dhe partinë e tij.

Mundësitë që kreu i opozitës të kishte këtë informacion kaq të saktë, për një lëvizje miliona euroshe të krimit të organizuar janë vetëm dy:

E para; njëri nga grupet kriminale rivale, njoftoi opozitën në mënyrë që operacioni i kundërshtarëve të tyre, të bëhej publik, dhe paratë të kapeshin duke dëmtuar rëndë rivalët.

E dyta; informacioni “rrodhi” nga ndonjë agjenci e zbatimit të ligjit, ku një zyrtar “dashamirës” i opozitës, duke mos pasur besim te eprorët e tij, njoftoi për dijeni dhe Lulzim Bashën…

Kronologjia e ngjarjes rrodhi në këtë menyrë:

22 qershor 2018,

Basha denoncon në Kuvend transferimin e parave të narko-trafikut nga Europa drej Shqipërisë, prej një organizate kriminale, e cila ka lidhje me qeverinë e Rames dhe me eksponentë të rëndësishëm të PS-së.

Ai tha se 1.5 milionë euro po vinin në Shqipëri me një Toyota Yaris.

24 qershor 2018,

Policia e Shtetit bën “bingo” pasi ndalon në portin e Durrësit një trajler që vinte nga Belgjika, në të cilin u kapën dy autovetura Toyota Auris, me 3.4 milionë euro brenda tyre.

Por çfarë ka ndodhur në të vërtetë?!

Me datë 20 qershor 2018, 48 orë përpara se shefi i opozitës të fliste në Kuvendin e Shqipërisë, një mesazh mbërrin në telefonin e një drejtuesi të lartë të shtetit shqiptar.

Saktësisht në orën 09:31 minuta të datës 20 qershor 2018, një person që identifikohet si punonjës i Shërbimit Informativ Shqiptar, njofton se, një mjet transporti, karroatrec me disa vetura të ngarkuara sipër tij, pritet të futet në territorin e Shqipërisë deri në mbrëmje.

Informatori thotë se, një veturë po transporton një sasi të madhe parash për llogari të një klani trafiku.

Burimi është aq i bindur ne informacionin e tij, sa jep të dhëna për targën e mjetit, madje dhe emrin e shoferit.

Ai sqaron se, me “90% paratë do hyjnë nga Porti i Durrësit”.

Por thotë se paratë mund të hyjnë dhe nga pikat e kalimit kufitar në veri të Shqipërisë, në Muriqan ose në Hanin e Hotit.

Në fund dërguesi i mesazhit edhe pse është punonjës shteti, kërkon të ngelet 100% anonim, madje uron që kapja e parave, të realizohet nga policia…

Këtë sms (të cilën nuk e di nëse ndodhet në dosjen e prokurorisë) të dërguar një drejtuesi të lartë të shtetit, dy ditë përpara se shefi i opozitës te fliste në Kuvend dhe 4 ditë përpara se të kapej ngarkesa me 3.4 milionë euro, po e publikoj më poshtë.

Ky fakt, uroj së paku të kthjellojë shefin e PD-së, Lulzim Basha se nga i ka ardhur informacioni.

Por dhe të orientojë prokurorët belg, për çfarë saktësisht ta pyesin dëshmitarin e vyer të tyre…