Arrestohet 31 vjeçari “i rrezikshëm” në Tiranë, u kap në banesë me kallashnikov

171
Sigal

Një 31 vjeçar me inicialet L.Z është vënë në pranga nga forcat e policisë në Tiranë, pasi në kuadër të operacionit të kontrollit të zhvilluar në banesën e tij, iu gjetën municione ushtarake dhe armë zjarri.

Shtetasi L.Z u arrestua në flagrancë brenda banesës së tij në Yrshek dhe më pas është bërë edhe sekuestrimi i armës së tij kallashnikov.

Njoftimi i Plotë:

Tiranë

Finalizohet operacioni policor i koduar “Yrsheku”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje.

Operacioni u zhvillua nga Komisariati i Policisë Nr. 6.

Sekuestrohen një armë zjarri kallashnikov dhe municion luftarak.

Vihet në pranga 31-vjeçari që i posedonte, i dënuar më parë për shkatërrim prone.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 6, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, se një shtetas mbante armë zjarri në banesë, kanë organizuar punën dhe kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Yrsheku”.

Në kuadër të këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit:

– L. Z., 31 vjeç, banues në Yrshek, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Gjatë kontrollit të banesës së këtij shtetasi, në rrugën “Mihal Duri”, në Yrshek, shërbimet e Policisë, gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri kallashnikov dhe municion luftarak.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.