Arrestimi i Alda Klosit, reagon policia: Tre akuzat që rëndojnë mbi ish-zyrtaren e kryeministrisë

96
Sigal

Policia e Tiranës ka dhënë detajet zyrtare në lidhje me arrestimin e ish Këshilltares në kryeministri, Alda Klosit.

Në një njoftim për mediat, Policia bën me dije se ndaj zyrtares së shtetit janë ngritur akuza për veprat penale:

“Refuzim për deklarim, mos deklarim, fshehjen ose deklarim i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur e nënpunësve publik, ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”;

“Pastrimi i produkteve të veprës penale ose të veprimatrisë kiminale”;

dhe “Deklarata e rreme përpara oficerit të policisë gjyqësore”.

Alda Klosi u arrestua mbrëmjen e 3 shkurtit pasi në banesën e saj, dyshohet se në muajin dhjetor, u vodhën mbi 120 mijë euro dhe 30 mijë dollarë nga Rozeta Dobi, e cila punonte si pastruese në banesën e marrë me qera prej zyrtares.

Dyshimet ndaj Klosit u shtuan, pasi ajo dha dy deklarime të ndryshme mbi paratë e vjedhura.

Ditën kur ndodhi grabitja në banesën e saj ajo deklaroi në polici se i mungonte vetëm një sasi parash që nevojiteshin për shpenzime dhe mbarëvajtjen jetike të përditshme.

Dhe vetëm 3 javë më pas, në 7 Janar, kur u arrestua Rozeta Dobi, ajo befas njoftoi se kishte konstatuar se i mungonin mbi 120 mijë euro dhe 30 mijë dollarë që sipas saj i kishte marrë nga xhaxhai i saj, për t’u kujdesur për shtëpinë dhe djalin e tij, ndërkohë që ai ishte për kurim në SHBA.

Njoftimi:

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe Asetet Kriminale ekzekutuan urdhrin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe ndaluan shtetasen A. K. (Ç)., 41 vjeçe, banuese në Tiranë, e dyshuar për veprat penale “Refuzim për deklarim, mos deklarim, fshehjen ose deklarim i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur e nënpunësve publik, ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose të veprimatrisë kiminale” dhe “Deklarata e rreme përpara oficerit të policisë gjyqësore”.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.