Armata e mjekëve të familjes, e keqpajisur për të trajtuar pacientë të COVID-19

285

Pas vendimit të Ministrisë së Shëndetësisë për të përfshirë në vijën e parë edhe mjekët e familjes, organizata “Together for Life” shpreh shqetësimin për mungesën e pajisjeve mbrojtëse dhe të informimit mbi mënyrën se si ata do të angazhohen me pacientët që trajtohen në shtëpi nga COVID-19.

Sigal

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu njoftoi më 6 prill se mjekët e familjes do të bëheshin pjesë e vijës së parë të frontit kundër epidemisë së COVID-19.

“Kjo është një luftë dhe të gjitha batalionet duhet të jenë në të njëjtën vijë të luftës,” tha ministrja nga qendra shëndetësore nr.5 në Tiranë, duke shtuar se mjekët e familjes do të ndiqnin të gjitha rastet me COVID-19 që janë në kushte shtëpie.

Por një vëzhgim i organizatës jo-fitimprurëse “Together for Life” tregon se armata e mjekëve të familjes nuk është e pajisur në mënyrën e duhur me mjete mbrojtëse për të përballuar këtë situatë, ndërkohë që ata janë të painformuar dhe konfuzë për pacientët që po trajtohen në kushte shtëpie.

“Mjekët e shërbimit parësor, veçanërisht nëpër rrethe raportojnë mangësi në sigurimin e masave minimale të mbrojtjes. Mjekët e familjes kanë mungesa në doreza apo maska kirurgjikale, pasi këto janë të vetmet elementë mbrojtës që u janë dhënë,” tha Eglantina Bardhi, drejtore ekszekutive e “Together for Life”.

“Shumë mjekë janë shprehur se po i blejnë këto materiale privatisht,” shtoi Bardhi.

Me 1600 mjekë familjeje dhe 350 mjekë specialistë, Shqipëria zë vendin e fundit në rajon përsa i përket raportit të mjekëve me numrin e banorëve. Një mjek familjeje mbulon mesatarisht 1700 banorë –duke e kthyer mbrojtjen e personelit mjekësor në prioritet kryesor gjatë pandemisë.

Që prej fillimit të marsit, mbi 40 mjekë dhe infermierë janë infektuar me COVID-19 në Shqipëri, por fatmirësisht më shumë se gjysma e tyre rezultojnë të shëruar.

Organizata “Together for Life” bëri thirrje për garantimin e shëndetit të personelit mjekësor në shërbimin parësor, duke siguruar pajisjen e tyre me maska, doreza, syze, veshje speciale mbrojtëse apo edhe dezinfektues, sapun dhe pajisje të tjera higjienike. Gjithashtu, Bardhi shton se për t’u përfshirë në betejë, mjekët e familjes duhet të informohen dhe të trajnohen për të trajtuar pacientë me COVID-19.

“Një tjetër shqetësim, që shpresojmë të qartësohet shpejt është se mjekët ndjehen konfuzë sesi do të funksionojë angazhimi i tyre. Në komunikimet me ta, janë shprehur se nuk u ka ardhur një listë me emrat e pacientëve të konfirmuar me COVID-19, por që trajtohen në kushte shtëpie,” tha Bardhi për BIRN.

“Pra, ata nuk janë të orientuar për mënyrën se si do të identifikohen pacientët e konfirmuar me COVID-19, që janë me simptoma të lehta,” shtoi ajo.

Organizata “Together for Life” kujton gjithashtu mungesat e mëdha në personel shëndetësor në Shqipëri në këtë kohë pandemie, për shkak të emigrimit të një numri të madh mjekësh të infermierësh.  Bardhi bën apel për reflektim ndaj autoriteteve shtetërore dhe marrjen e masave për t’i mbajtur mjekët dhe infermierët në Shqipëri.

“Kjo situatë është serioze! Ne mund të planifikojmë dhe mund të blejmë pajisjet mjekësore, aparaturat e nevojshme, por nuk mund të krijojmë apo blejmë mjekë, infermierë dhe teknikë të kujdesit shëndetësor,” apeloi “Together for life”.

“Në qoftë se vendi nuk maksimalizon përpjekjet për të trajnuar personelin mjekësor, nuk u siguron pajisjet e nevojshme për të bërë punën e tyre të sigurt dhe t’i ofrojnë familjes së tyre një masë sigurie, rrezikojmë t’i humbasim ata,” përfundon organizata.