Arben Malaj: Shqiptarët e Italisë, të talentuar e krenarë

816
Arben Malaj: Leksioni në universitetin e Maceratës, takova shqiptarë të talentuar dhe krenarë

Një leksion i hapur në Universitetin e Maceratës në Itali, një prej universiteteve më të vjetra në Evropë, i themeluar në vitin 1290 , ishte një mundësi e veçantë për të takuar kolegë italianë si edhe kolegë e studentë shqiptarë të talentuar. Në Mecerata dhe Fermo takova shqiptarë të talentuar dhe krenarë, ambiciozë për të qenë të mirëarsimuar dhe të përkushtuar për suksesin e familjeve të tyre edhe atje në emigracion. Takova të rinj nga Lezha, Durrësi dhe Vlora, disa ishin në programin e studimeve të doktoraturës. Takova z. Paolo Calcinaro kryetarin e bashkisë së Fermos ( i cili kishte fituar si i pavarur, propozuar nga shoqëria civile) ishte i kënaqur që qendrën më të madhe sociale në Fermo do ta drejtonte një shqiptare e talentuar. Ishte shumë impresionues takimi me znj Stefania Monteverde zv Kryetaren e bashkisë së Macerates dhe drejtoreshën e bibliotekës të kësaj bashkie. Në bibliotekën e Maceratës kishte një kënd të veçantë për fëmijët shqiptare që mësonin gjuhën shqipe. Biblioteka hapej edhe ditën e shtunë vetëm për t’iu lehtësuar mësimin fëmijëve shqiptare. Në Fermo ishte sheshi dhe statuja e Skënderbeut dhe shumë shpejt do të jetë një shesh me emrin dhe statujën e Nënë Terezës. Thjeshtësia e komunikimit, aksesi që autoritetet italiane iu ofronin shoqatave, studenteve dhe shqiptarëve, mbështetja me shumë seriozitet dhe dashamirësi e projekteve të tyre është shumë domethënëse kur e krahason me realitetin tonë. Jo vetëm pas kësaj vizite, një këshillë dashamirëse për politikanët tanë në nivel vendor dhe kombëtar, mos u lodhni me takime protokollare me kryeministra dhe ministra, takoni dhe u shprehni mirënjohje autoriteteve lokale ku jetojnë, punojnë dhe mësojnë shqiptarët! 
Sigal