Apostol Anastas Qëndrothanasi, kryebashkiaku i parë i Sarandës, modeli i spikatur i antikorrupsionit

822
Agron MEMA

Koha e sotme, sidomos kjo post-tranzicion, e ka bërë të pashpresë popullin shqiptar ndaj të ardhmes dhe mosbesues tek e sotmja. Kjo është më e dukshme sidomos tek pushteti lokal, të zgjedhurit që vijnë drejtëpërdrejtë nga vetë komuniteti, se sa për qeverinë qëndrore, ku ministra e deputetë janë ekskluzivitet e krerëve të partive, ndaj të cilëve populli e ka braktisur besimin. Por ndodh çudia me pushtetin vendor; më ujqër nga ujku vetë. Dhe ky refren i shfryrjes së ankthit dhe zemërimit popullor ka një refren pasthirme: “Eh, kot! Kush është dënuar deri sot për marrëzitë dhe matrapazllëqet, për masakrat mjedisore dhe urbanistike, për korruopsion dhe grabitje të pronës publike?!” Vetë shteti bën vetvrasje kur KLSH-ja kap dhe denoncon grabitjet dhe përvetësimet e pasurisë publike për vjedhje e abuzime financiare dhe kryeministri mjaftohet me një të qeshur dhe kruajtje koke. Por a ka patur burra që duhet të jenë model i qeversjes vendore? Patjetër që po. Po sjellim njërin prej tyre. Ky është Apostol Anastas Qëndrothanasi, kryebashkiaku i parë i qytetit të Sarandës në vitin 1922, vit që rregjistron krijimin e kësaj bashkie. Barba Apostolo, siç qenë mësuar t’i thërrisnin në Sarandë për bamirësitë e tij, lindi në fshatin Piqeras, më 1868. Mbaroi shkollën tregtare të Korfuzit, çka do t’i jepte favore në biznes si tregtar. Pas mbarimit të shkollës në Korfuz shkon në Stamboll dhe prej andej në SHBA për të projektuar të arthmen e tij që e mendonte nëpërmjet tregtisë. Pasi grumbulloi një sasi parash që do t’i duheshin për ngritjen e biznesit, kthehet në Shqipëri, në Sarandë, në vitin 1911, vit i turbullt për Shqipërinë në prag të shkëputjes nga influenca osmane dhe shpalljes së pavarsisë. Martohet me Athina Laskën, po piqerasjote, martesë e cila u dha tetë fëmijë; Lefterin, Aleksandrin, Marien, Pavllon, Koçon, Aristofanin, Nica dhe Oli. Apostol Qëndrothanasi arriti të zotronte gjuhët; turqisht, greqisht, anglisht dhe italisht. Njohuritë e këtyre gjuhëve e ndihmuan mjaft në suksesin e tij si tregtar gjatë viteve 1917-1920, vite që e rregjistrojnë si të parin sarandjot që lidhi aktivitet tregtar me Italinë dhe Greqinë. Nga Italia furnizonte gjithë fshatrat e bregdetit me misër ku qe kontraktuar me firmën “FLAPIN”, ndërsa me tregëtarët grekë qe kontraktuar me firmën “ JANETON” me shkëmbime tregtare të prodhimeve me produkte dhe nënprodukte bulmeti. Avancoi në tregti deri si administrator i fabrikës së makaronave në Sarandë, fabrikë e cila u dogj në vitin 1937. Para se Saranda të krijohej Bashki, Barba Apostoli zgjidhet si kryeplak i qytetit, nga viti 1917 deri në 1921, kur administrimi do të pësonte reforma dhe Saranda do të rregjistrohej si njësi bashkiake në vitin 1922. Barba Apostoli zgjidhet kryebashkiaku i parë i saj. Këtë detyrë e mbajti deri në vitin 1940, ku u zgjodh e rizgjodh disa herë. Zgjedhja e tij si kryebashkiak i parë e rregjistron edhe si drejtues të parë të Sarandës pas pushtimit turk. Barba Apostoli e dorëzon detyrën me dorheqje për të dytën herë në vitin 1940, me arsyen se nuk dëshironte të qe një kryebashkiak kolaboracionist. Bashkëpunimin me pushtuesin e quante turp. Ndërsa dorëheqja e parë e tij, ajo që i dha famën si model antikorrupsion rregjistrohet në mandatin e parë, aty tek viti 1923. Një djalë nga paria elitare shtyp me skaf një vajzë dhe mundohet të humbasë gjurmët. Në atë kohë bashkia kishte kompetenca ekzekutive të mëdha. Barba Apostoli urdhëron arrestimin e shkaktarit të aksidentit. Ndërhynë deri nga qeveria, por kryebashkiaku Apostol, bazuar në informacionet okulare të peshkatarëve, nuk tërhiqej nga vendimi; dënim maksimal. Presioni qe i madh nga shteti i asaj kohe, por edhe burrëria e kryebashkiakut qe e fortë dhe e palëkundur. Presioni dhe shantazhi vazhdonte. Populli e përkrahte. Një ditë në zyrë i tregon sekretarit formatin e shkresës së përgatitur nga autoritetet për ndryshimin e versionit të vrasjes dhe e pyet se si duhet vepruar. Sekretari ia kthen se janë shumë lekë të ofruara dhe duhet ta bëjnë. “Mirë, i thot, vulose.” Sekretari e vulos. Kryebashkiaku bërtet me të madhe:

-Maskara! Bëre një veprim të tmerrshëm. Por ti vulose dhe nuk e di se kjo nuk ka vlerë pa firmën time. Ma jep letrën dhe vulën. 

Mbledh gjithë parinë e qytetit dhe shkon në anë të detit. 

-Dëgjoni, o njerëz që ndortoni lumturinë duke vrarë njerëz. Një vajzë është në fundrat e ujit të detit dhe kjo vulë nuk vulos për pafajësinë e atyre që e vranë. Mallkuar qofshi! ,-dhe flaku në ujrat e detit vulën zyrtare të bashkisë. Nga pas tij u dëgjua një “Mooooos!” lebetitëse e stërgjatur. Kryebashkiaku Apostol shkon në zyrë dhe jep dorheqjen. Por pas një viti qyteti e rizgjedh përsëri në detyrë, ku qëndroi deri në vitin 1940 me një tjetër dorëheqje, se nuk donte të njollosej si bashkëpunëtor i fashizmit. Vdiq në vitin 1943 dhe u varros në vendlindjen e tij së bashku me vulën e kryebashkiakut. Ky qe kryebashkiaku i parë i Sarandës që emri nuk i përmendet kund, por modeli i tij kërkohet nga i gjithë populli për qeveritarë të tillë. Asnjë rrugë nuk mban emrin e tij, as në historikun e bashkisë, vetëm në arkivat e pluhurosura të shtetit. Pse i tremben modelit dhe shembullit të tij?!
Sigal