Aplikimet për në universitet, faza e parë online vazhdon deri më 3 gusht

45
Sigal

Prej datës 29 korrik për maturantët ka nisur procesi i aplikimit onlinë në portalin u-albania për përzgjedhjen e 10 degëve të studimit. Deri më tani kanë aplikuar 75% e maturantëve. Për raundin e parë ky proces do të mbyllet më datë 3 gusht. “Nga mbi 20 mijë maturantë të regjistruar kanë aplikuar 15 mijë deri më tani ose 75% e tyre”, tha Arjan Xhelaj, drejtor i RASH.

Universiteti i Tiranës edhe këtë vit ka numrin më të lartë të aplikantëve deri në këtë fazë. “Vetëm në universitetin e Mjekësisë ka mbi 6 mijë maturantë që kanë përzgjedhur një nga degët e ndryshme që ofron ky universitet. Kemi universitetin e Tiranës më të madhin në vend i cili ka mbi 9500 maturantë që kanë përzgjedhur një nga degët e këtij universiteti. Edhe Politekniku mjaft i pëlqyer ka 6 mije aplikantë si universitet. Gjithmonë interes ka patur për degët e shëndetit, teknologjisë së informacionit, inxhinieritë kanë qenë trend vitet e fundit dhe degët klasike ekonomiku dhe juridiku”, tha Xhelaj.

Për raundin e dytë që nis në shtator, maturantët do të kenë dy ditë kohë në dispozicion për përzgjedhjen e 10 degëve nga data 15-17 shtator. Publikimi renditjes në portalin u-albania do të bëhet më datë 21 ndërsa regjistrimi pranë fakulteteve do të nisë më 22 shtator dhe do të përfundojë një ditë para nisjes së vitit të ri akademik, pra më datë 1 tetor. Këtë vit nuk do të ketë më një raund të tretë, por do të jetë ajo që quhet faza e lirë, ku maturantët do të kenë mundësi që të shkojnë të regjistrohen pranë fakultetit që ata dëshirojnë, nëse ka kuota të lira dhe arrijnë të plotësojnë kriterin e mesatares.