Anijet e vjetra kthejnë në varrezë kalatën lindore

708
Sigal

PROBLEMET E SHUMTA/ Peshkatarët e Durrësit janë gati për tu hedhur në grevë para institucioneve të qytetit bregdetar

Porti i peshkimit në Durrës po kthehet në një varrezë të anijeve të mbytura, të cilat nga viti në vit  shtohen duke zënë hapësirat e basenit. Flota e anijeve të peshkimit që dikur numëronte 120 anije të reja tashmë është reduktuar në 97 dhe vetëm 30% e tyre janë në gjendje funksionale, bëjnë me dije burime zyrtare. Tre janë problemet kryesore që po çojnë drejt shkatërrimit një prej industrive të rëndësishme në qytetin bregdetar, thonë peshkatarët. Mungesa e një porti të ri për anijet, çmimi i lartë i karburantit, i cili vjen me çmimi burse + tvsh, rreth 140 lekë për litër dhe mungesa e një kantieri për riparimin e anijeve të tyre. Anijet e peshkimit nuk mbulojnë koston e shpenzimeve, të karburantit deklaron kreu i sindikatës së peshkatarëve të Durrësit, Klodjan Kapiti. Pjesa më e madhe e anijeve qëndrojnë të lidhura në mole, ndërsa rrezikojnë të dalin tërësisht jashtë funksioni, për arsye se doku i vetëm i ngritjes dhe uljes së anijeve të peshkimit është prerë dhe është shitur për skrap, nga Kompania KURUM, menjëherë pas mbytjes së kantierit detar.

Situata

Situata është tejet e vështirë, sepse mungojnë tërësisht investimet në këtë sektor, ndërsa anijeve u mungon shërbimi i riparimeve. Deri disa muaj më parë shërbimi i riparimit të anijeve kryhej në kanterin detar të Durrësit, por shpërbërja e kantierit rrezikon të gjitha anijet e flotës, deklaroi kryetari i sindikatës se peshkimit. Sektori i peshkimit është në një krizë të thellë, ndërsa më shumë se 10 anije janë mbytur në basenin ujor të Portit të Durrësit. Flota e Peshkimit në Durrës mbetet e parinovuar dhe 90 anije të tonazheve të ndryshme, qëndrojnë të lidhura në kalata, ndërsa peshku për tregun e brendshëm vjen nga importi. Por mbytja e anijeve të peshkimit, shkakton jo pak dëme financiare Autoritetit Portual, i cili duhet të financojë mijëra euro për largimin e tyre. Sakaq projekti ndërtimit të një porti të Ri peshkimi me vlerë prej 15 milionë dollarë, nuk po vihet në zbatim.

ANIJET E MBYTURA

Panorama nuk është aspak e këndshme, për Portin e Durrësit në pjesën lindore të tij. Problemi është i vjetër dhe është trashëguar duke mos i dhënë asnjë zgjidhje konkrete në vite, edhe për faktin se jo të gjitha anijet e mbytura janë pronë e shtetit, një pjesë e tyre janë pronë private, të harruara nga pronarët e tyre, të cilët në një moment të më vonë mund të kërkojnë pronësinë. Anijet pavarësisht se të mbytura, një pjesë e tyre janë të sekuestruara nga antikondrabanda, apo edhe struktura të tjera. Pavarësisht kësaj ato kanë një pronar legjitim, i cili në një ditë mund të kërkojë edhe pronësinë. Pikërisht këtu ka mbetur çështja, sepse duhet të rregullojmë marrëdhëniet me pronarët e tyre, në bazë të një projekti nxjerrja e këtyre anijeve ka një faturë prej 900 mijë euro.