Analiza false për klorin? Ujësjellësi Lushnje denoncohet për abuzime me kimikatet në ujin e pijshëm

20

Ankesa e një biznesi për tenderin e klorit nga Ujësjellësi i Bashkisë Lushnje ka nxjerrë në dritë mungesën de facto të analizave për këtë kimikat, që i hidhet ujit të pijshëm. Dhe nuk shqetësohet për rrezikun që mund të sjellë ky kimikat në shëndetin e njerëzve, por ka vetëm një qëllim t’ia japë fondin kompanisë që ka paracaktuar.

Sigal

 

Ankesa e një biznesi për tenderin e klorit nga Ujësjellësi i Bashkisë Lushnje ka nxjerrë në dritë mungesën de facto të analizave për këtë kimikat që i hidhet ujit të pijshëm. Drejtori Klajdi Shkurti që varet nga kryetarja e Bashkisë, Eriselda Selfo, nuk shqetësohet për rrezikun që mund të sjellë ky kimikat në shëndetin e njerëzve, por ka vetëm një qëllim t’ia japë fondin kompanisë që ka paracaktuar. Ky është një rast që përsëritet, ku nuk dihet cili institucion mund të bëjë analizat për klorin që përdoret nga ujësjellësit. Madje zbulohet fakti se analiza e kërkuar nuk kryhet nga asnjë laborator në Shqipëri.

Më datë 22 shkurt 2024, Ujësjellësi ka hapur garën për tenderin me objekt ‘Blerje Hipoklorit Natriumi dhe Kalciumi’, për të cilin janë vënë në dispozicion 33 milionë lekë. Kur bëhet fjalë për ujin që konsumojnë qytetarët, zyrtarët duhet të lënë mënjanë interesin për të favorizuar një kompani, por të marrin masat që analizat të mos jenë formale.

Më datë 23 shkurt 2024, pranë Komisionit të Prokurimeve Publike është paraqitur një ankesë nga kompania Albania Distribution Chemicals.

Kjo firmë shprehet se në një pikë të kushteve të prokurimit, Ujësjellësi Lushnje kërkon që operatorët të dorëzojnë dokumentet e analizave të klorit që kryhen nga ISHP, ndërsa një pjesë tjetër nga laboratorë të akredituar, qoftë edhe privat.

Por sipas denoncuesit në vendin tonë nuk ekziston asnjë laborator privat që të jetë i akredituar për të kryer këto analiza, ose nëse vërtetë ka të paktën AK t’i sugjerojë. Kompania private e sfidon drejtorin e Ujësjellësit që të tregojë një institucion të vetëm që është i akredituar për të kryer këtë analizë. Prandaj, ankimuesi kërkon që të njihen analizat që zhvillohen tek Instituti i Shëndetit Publik.

“AK nuk ka përcaktua laboratorët e tjerë të akredituar ( në dijeninë tonë edhe në shkresat që kemi shkëmbyer me shumë institucione, nuk ka asnjë laborator të akredituar që kryen Analizat e Hipoklorit Natriumi dhe Hipoklorit Kalciumi ). Autoriteti kontraktor duhet ta rishikojë këtë kriter duke përcaktuar qartë organizmat ose institucionet konkrete private ose shtetërore të akredituara vendase, që mund të kryejnë këto lloj analizash toksikologjike”, -thuhet në ankesë.

Siç duket nga tabela e përshkrimit të analizës që kërkohet, nëse bëhen formalisht nga laboratorë të paakredituar, pra duke falsifikuar rezultatet, njerëzit mund të jenë vërtetë në rrezik duke konsumuar ujë që ka në përmbajtje kimikate të pakontrolluara.

Sidomos metalet e rënda të rrezikshme që janë në këtë tabelë duhen analizuar nga laboratorë të licensuar për këtë qëllim.

Për të treguar që kjo kërkesë e ankimuesit qëndron, duam të shtojmë që edhe Instituti i Fizikes Bërthamore të Zbatuar (IFBZ) që deri në disa vite më parë i kryente këto analiza, tashmë nuk është i akredituar, pra nuk do të ishin të vlefshme dokumentet për këtë tender.

Duhet theksuar se edhe afatet e lëna në dispozicion për dorëzimin e dokumenteve kanë mospërputhje me njëra-tjetrën. Ankimuesi shprehet: “Gjykojmë, se autoriteti kontraktor duhet të anulojë procedurën e prokurimit dhe në rishpalljen e saj të mbajë në konsideratë parashikimet e këtij vendimi, duke hartuar kriteret për kualifikim, në përputhje me nevojat reale dhe përcaktimet e parashikuara në aktet ligjore dhe nënligjore të prokurimit publik”.

Pra, në vend që të ishte në qendër të vëmendjes shëndeti i njerëzve që do të përdorin këtë ujë, komisioni i prokurimit vazhdon procedurat formale njësoj si për saraçineska apo tuba.

Ç’fshihet pas kësaj? “Duam te paraqesim argumentet tona në lidhje me kriteret abusive, që janë vendosur nga Autoriteti Kontraktor për të favorizuar të njëjtin Operator Ekonomik i shpallur fitues herën e fundit”, denoncon kompania private./gijotina