Amnistia e të burgosurve, familjarët: Na duhet autorizim për të lëvizur që t’i marrim

341
Sigal

Nga amnistia e përkohshme e miratuar nga qeveria për situatën me COVID-19, pritet të përfitojnë rreth 600 të dënuar, por pas periudhës 90 ditore ata duhet të kthehen pasi në të kundërt do kenë dënim shtesë prej 5 vitesh. Të burgosurit duhet të merren nga vetë familjarët nga ambientet e burgjeve, por një pjesë e tyre po hasin vështirësi pasi duhet të akreditojnë mjetet e tyre për të lëvizur. 

Rreth 600 të dënuar pritet të lënë qelitë e burgjeve pas situatës me koronavirusin e ri, nëse në përfundim të situatës së emergjencës të dënuarit nuk rikthehen në burg, ata rrezikojnë një tjetër dënim shtesë me 5 vite heqje lirie.

Ky dënim shtesë parashikohet në kodin penal për veprën penale të largimit nga vendi i vuajtjes së dënimit.

Mes të personave që përfitojnë lejen e posaçme prej 90 ditësh janë dhe persona të njohur për drejtësinë.

Mes tyre janë Olesia Duka, e dënuar nga gjykata e Durrësit me 6 vite e 9 muaj për mashtrim me shuma të mëdha të biznesmenëve në Tiranë dhe Durrës.

Nga amnistia e përkohshme përfiton dhe Adrian Xhillari i dënuar nga gjykata e Tiranës me 4 vite e 8 muaj për skandalin e mashtrimit me shitjen e naftës në Shqipëri.

Mes të dënuarve të tjerë që përfitojnë janë të dënuar për vepra të ndryshme penale, për trafik të lëndëve narkotike, shfrytëzim prostitucioni, vjedhje, vrasje por dhe mbajtje të armëve të zjarrit.

Sipas aktit normativ, të dënuarit para se të dalin duhet që dhe familjarët e tyre të japin vetë-deklarim për ti pranuar në banesë.

Një pjesë e familjarëve po hasin vështirësi pasi iu nevojitet autorizim për të tërhequr familjarët e tyre nga ambientet e burgjeve.

“Po presim për një konfirmimin për të qarkulluar me makinë, që të marrim të burgosurin. Thonë që funksionon online, por s’po e marrim vesh.”

Akti normativ i hartuar nga qeveria në kuadër të situatës së vendit me COVID-19, të gjithë të burgosurit kur të përfundojnë lejen e posaçme 90 ditore para se të futem në burgje do t’i nënshtrohen testit të COVID-19 për të mos rrezikuar ata që do të mbeten në qeli edhe për kësaj periudhe.