Ambasadorja suedeze flet për protestat: Gazetarët të punojnë pa u arrestuar dhe kërcënuar

245
Sigal

Ambasadorja e Suedisë në Shqipëri Elsa Håstad ka komentuar nga Korça arrestimin e gazetarëve Xhoi Malësia dhe Qamil Xhani gjatë protestave për vrasjen e Klodian Rashës.

Hastad ka apeluar që gazetarët të bëjnë punën e tyre pa u kërcënuar ose arrestuar

Elsa Håstad: Mendoj se është e rëndësishme të jemi të gatshëm të shprehemi kurdo dhe kudo, po ashtu edhe gazetarët të kenë mundësinë të bëjnë punën e tyre duke mbuluar çdo ngjarje, dhe mendoj që çdo gjë duhet të bëhet në paqe, harmoni dhe balancë si në një shoqëri demokratike. E kam thënë më parë dhe e them sërish, është shumë e rëndësishme që gazetarët të bëjnë punën e tyre pa u kërcënuar ose arrestuar. Është shumë e rëndësishme për në si qytetarë që të kemi gazetarë që bëjnë detyrën e tyre në paqe dhe të pashqetësuar.

Diplomatja suedeze nuk ka dashur të komentojë në lidhje me përdorimin e gazit lotsjellës nga policia ndaj protestuesve, por theksoi se është e rëndësishme që njerëzit të shprehin lirshëm opinionet e tyre dhe gazetarët të bëjnë punën e tyre.

Håstad u ka dhënë edhe një mesazh të gjithë të rinjve shqiptarë për ditën e zgjedhjeve të 25 prillit.

Elsa Håstad: Zgjedhjet janë një nga pikat kyçe që tregojnë një vend demokratik. Ajo çka dua të them është rëndësia e madhe e votës. Ky është mesazhi im, për të rinjtë që do të votojnë për herë të parë. Mesazhi im : Votoni.

Ambasadorja e Suedisë, ishte në Korçë gjatë një aktiviteti që u mbajt kundër abuzimin seksual ndaj të miturve.