Ambasadat pa policë, rebelohen diplomatët

525
Sigal

Ambasadat e huaja në Shqipëri nuk do të ruhen të gjitha nga Policia e Shtetit.

Policia e Shtetit ka vendosur që uniformat blu, në disa prej ambasadave të zëvendësohen nga punonjësit e “Illyrian Guard”, që është shoqëri tregtare shtetërore, e cila ofron shërbime me pagesë dhe ka aksioner të vetëm Ministrinë e Brendshme.

Duke qenë se ambasadat janë institucione të rëndësisë së veçantë, në nenin 2, 17 dhe 22 të ligjit për Policinë e Shtetit, thuhet qartë se ato ruhen nga Policia e Shtetit.

Nisur nga përplasjet me ligjin dhe refuzimin e shumë prej ambasadave, gjatë këtyre ditëve, Policia e Shtetit dhe përfaqësues të disa ambasadave të huaja po bisedojnë për të dakordësuar çështjen e sigurisë së tyre. Një prej pikave që për të huajt është e vështirë që ambasadat t’i besojnë sigurinë “Illyrian Guard”, është fakti se forcat e saj nuk janë të armatosura.

“News 24” ka mësuar se “Illyrian Guard”, me 1000 punonjës dhe me administrator Henrik Elmazin, ka marrë në ruajtje me shumë se 15 institucione si QSUT, Materniteti i Ri, Kadastra, ADISA, UKT, si edhe disa ministri, objekte këto të ruajtura deri më tani nga shoqëri private të sigurisë fizike që operojnë në treg. Po si do të përcaktohet nëse një ambasadë do ruhet nga policë të shtetit apo të “Illyrian Guard”?

Policia do të veprojë në reciprocitet. Ambasadat e vendeve, ku përfaqësitë tona ruhen me punonjës Policie, edhe në Shqipëri do të kenë të njëjtën siguri.

Në rastet e tjera është propozuar që të ruhen nga punonjësit e shoqërisë shtetërore “Illyrian Guard”. Propozimi ka gjetur kundërshtinë e ambasadave e huaja të vend.

Disa prej tyre, madje, kanë paralajmëruar se nëse hiqet Policia e Shtetit, janë të gatshme të sjellin në Shqipëri forca Policie nga vendet e tyre.

Ndryshimet në mënyrën e ruajtjes së sigurisë së ambasadave do të duken qartë së shpejti në rrugën e ashtuquajtur “Rruga e Ambasadave”, e cila që prej 1 nëntorit do të jetë publike dhe jo me qarkullim të kufizuar siç ka funksionuar për vite.

Shoqëria “Illyrian Guard”, sh.a., ofron shërbime me pagesë, kundrejt subjekteve të treta, publike apo private, në fushën e rendit e të sigurisë publike, teknologjisë së informacionit, si dhe çdo shërbim tjetër në përputhje me qëllimin e krijimit dhe statutin e saj. Është një shoqëri shtetërore, 100 për qind në pronësi të Ministrisë së Brendshme. Vendimi për krijimin e kësaj shoqërie u mor më 5 prill të këtij viti nga Këshilli i Ministrave, me propozim të Ministrisë së Brendshme.

Efektivët e “Illyrian Guard” rekrutohen nga Policia

Burimi kryesor i rekrutimit të punonjësve do të jetë Policia e Shtetit. “Në Policinë e Shtetit ka shumë njerëz me eksperiencë, të cilët, për një arsye ose për një tjetër, nuk kanë pasur atë ecuri në karrierë.

Flasim për ata që kanë, po themi, 20-25 vite eksperiencë në Policinë e Shtetit.

Duke qenë shoqëri tregtare mund të operojë në të gjitha fushat që e gjykon të arsyeshme dhe në të gjitha ato fusha, të cilat përveçse mund të krijojnë të ardhura, mund të jenë edhe me interes për zhvillimin e mëtejshëm”, ka komentuar zv.ministri i Brendshëm, Julian Hodaj.