Altin Tafilaj: Rekomandimet e KLSH për Institucionet publike

809
Sigal

Objektivi  dhe qëllimi  i dhënies  së  rekomandimeve nga KLSH për institucionet publike

Kontrolli i Lartë i Shtetit, si institucioni më i lartë shtetëror i auditimit të jashtëm në Republikën e Shqipërisë, gjatë viteve 2012-2020, vazhdimisht ka fuqizuar kapacitetet audituese në funksion të përmirësimit të cilësisë dhe produktivitetit të auditimeve. Njësitë e sektorit publik i nënshtrohen auditimit të brendshëm dhe të jashtëm, i cili është post faktum. Kontrolli i Lartë i Shtetit në vazhdimësi ka nënshkruar kontrata bashkëpunimi me institucione të ndryshme me qëllim shkëmbimin e eksperiencave dhe dhënien e opinioneve për të përmirësuar rezultatet në punë të nëpunësve në funksion të administrimit me efektivitet, efiçencë dhe ekonomicitet të fondeve publike, por edhe në funksion të përmirësimit të legjislacionit siç parashtrohet në nenin 17 të ligjit Nr. 154/2014 “Për organizimin dhe funksionimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit”. Një investim publik mund të quhet i suksesshëm kur përfundon brenda afateve kohore të përcaktuara më parë, brenda vlerës së parashikuar përpara fillimit të punimeve dhe paralelisht të jenë arritur objektivat dhe rezultatet e dëshiruara për të cilat është rënë dakord paraprakisht.

Nga auditimet post faktum të investimeve publike, KLSH ka dhënë rekomandime për zhdëmtime monetare nga operatorët ekonomikë në llogari të buxhetit të shtetit. Në shumicën e rasteve, vlerat e zhdëmtuara nuk janë vënë në funksion të përmirësimit të investimit por janë konsideruar si punime të pa zbatuara dhe thjesht, vlerat e konstatuara nga audituesit si diferenca në zëra punimesh/shërbimesh, thjesht janë arkëtuar nga subjektet e audituara. Normalisht, investimet publike kanë mbetur të mangëta për nga cilësia dhe plotësia e tyre pasi dëmet ekonomike të konstatuara dhe rekomanduara për zhdëmtim nga KLSH, në shumicën e rasteve nëse janë arkëtuar, nuk kanë qenë e mundur të rikuperojnë mangësitë e punimeve të cilat kanë përfunduar dhe objektet janë dorëzuar. Në një përqindje të lartë, nga auditimet e KLSH, këto investime janë konsideruar me mangësi duke kërkuar masa për zhdëmtim të dëmit të konstatuar për sasinë e zërave të punimeve të pa ekzekutuara ose të ekzekutuara pjesërisht, për cilësinë e tyre apo edhe për vonesat e pajustifikuara jashtë afateve të marrëveshjeve/kontratave  të lidhura e me pasoja negative për të gjithë aktorët që ndikohen nga investimi. Qëllimi i rekomandimeve të dhëna nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, nuk është arkëtimi i dëmit ekonomik që me të drejtë kërkohet të dëmshpërblehet nga Institucionet publike. Qëllimi i rekomandimeve të lëna, është përmirësimi i funksionimit të administratës publike duke përdorur fondet publike me efiçensë, ekonomicitet dhe efektivitet. Normalisht, vlerat e rekomanduara nga KLSH për zhdëmtime të dëmeve të shkaktuara nga operatorët ekonomikë për mangësi në zëra punimesh dhe të përfituara në vazhdim nga institucionet publike, duhet të përdoren vetëm për përmirësimin e cilësisë së investimit dhe jo si të ardhura për buxhetin e shtetit. Në të gjitha rastet e kontrollit të zbatimit të rekomandimeve nga institucionet publike në kuptim të nenit 30 mbi Rekomandimet e KLSH-së dhe ecuria e zbatimit” të ligjit nr. 154/2014 “Për organizimin dhe funksionimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit”, institucionet publike janë mjaftuar me arkëtimin e vlerës së konstatuar si dëm ekonomik duke mos marrë asnjë masë për analizimin e gjetjes dhe arsyen e dhënies së rekomandimit. Duke e lexuar rekomandimin pa e kuptuar atë, normalisht institucionet publike, janë mjaftuar me zbatimin e tij në mënyrë mekanike, pra thjesht duke arkëtuar vlera monetare nga operatorët ekonomikë, e kështu duke “shpëtuar” nga sikleti i moszbatimit të tij. Rekomandimet e KLSH, në të gjitha rastet kanë qëllim dhe objektiv kryesor përmirësimin dhe funksionimin e administratës publike. Ato duhen kuptuar dhe zbatuar në konformitet me nenin 15 të ligjit të KLSH për korrigjimin e dëmeve materiale të shkaktuara. Është mëse e vërtetë se jo në të gjitha rastet, vlerat e arkëtuara nga institucionet publike si pasojë e rekomandimeve të lëna nga KLSH për zhdëmtim dëmi ekonomik, mund të ri-investohen duke korrigjuar mangësitë e konstatuara, si për shembull, për rikuperimin ose korrigjimin e gabimeve në punimet e maskuara, por në shumicën e tyre, mundësia e rikuperimit të gabimeve/mangësive me investime shtesë, është mëse e mundur. Institucionet publike, nuk duhet të mjaftohen me arkëtimin e vlerës së dëmit ekonomik të konstatuar nga KLSH si rezultat  i mos ekzekutimit të zërit të punimeve “lyerje me bojë”, “vendosje e 100 rrënjë pemë  dekorative”, “vendosja e rrethimit me tel zingato” ose “vendosje dritaresh duralumini”, etj. Në të gjitha rastet ku dëmi i konstatuar ka të bëjë me mangësi në zëra punimesh të cilat fare mirë mund të rikuperohen, institucionet publike duhet të bashkëpunojnë me Kontrollin e Lartë të Shtetit, duke e informuar këtë të fundit mbi përmirësimin e mangësive dhe realizimin e rekomandimeve, si pasojë e kuptimit të qëllimit të tyre, dhe jo thjesht të leximit të rekomandimeve të lëna. Vlerat e arkëtuara në kuptimin e dëmeve ekonomike të rekomanduara për arkëtim nga audituesit për diferenca në zëra punimesh apo shërbimesh, duhet të ri-investohen nga institucionet publike për të rikuperuar mangësitë e konstatuara nëse është e mundur, duke rritur efektivitetin  e investimeve të kryera  dhe jo duke rritur thjesht buxhetin e shtetit. Kjo arrihet vetëm nëse ekziston një frymë bashkëpunimi. Bashkëpunimi institucional, nëse funksionon, e bën shtetin të zhdërvjellët dhe mbështet punën e administratës shtetërore duke rritur rendimentin e saj e në rastin konkret zbatimin me cilësi dhe efektivitet të rekomandimeve të lëna nga KLSH, për rritjen e efiçensës, ekonomicitetit dhe efektivitetit të fondeve publike.

Ajo që ngelet si obligim e detyrë e administratës publike, është vendosja e një “ure” komunikimi efektiv me Kontrollin e Lartë të Shtetit, për të përmirësuar koordinimin ndër-institucional duke rritur besimin ndaj KLSH dhe respektivisht bashkëpunimin për monitorimin e zbatimit të rekomandimeve duke i parë/lexuar ato pozitivisht, në funksion të përmirësimit të cilësisë së investimeve, shërbimeve, dhe fuksionimit të administratës, si qëllimi dhe objektivi i vetëm i dhënies së një rekomandimi nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.

 

 

Altin Tafilaj

Auditues i Lartë