Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit grumbullon firmat e beratasve për peticionin e ndërtimit të Teatrit Kombëtar

326
Sigal

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit grumbullon firmat e beratasve për peticionin e ndërtimit të Teatrit Kombëtar, siç ishte dhe aty ku ishte. Qindra qytetarë beratas firmosin peticionin e Aleancës, ku kërkohet ndërtimi i Teatrit Kombëtar, siç ishte dhe aty ku ishte.

“Ne do ta fitojmë këtë betejë sepse e bëjmë për shpirtin e kombit, për historinë dhe kulturën tonë”, tha regjisori Edmond Budina.

Takimi i Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit është bërë përpara ambjenteve të Pallatit të Kulturës “Margarita Tutulani” në Berat, ku qindra qytetarë beratas i janë bashkuar kësaj nisme. Kanë qënë të shumtë qytetarët beratas dhe përfaqësuesit e opozitës lokale ata që firmosën edhe peticionin e kërkuar nga aleanca.

Nën thirrjet “Rama Ik” ka filluar fjalimin e tij Edmond Budina,i cili ka deklaruar se,ai së bashku me aktorët e tjerë janë një grup qëndrestarësh nga sulmi i paskrupullt që një qeveri si kjo i ka bërë kulturës botërore. “Ne teatrin do ta vëmë aty ku ishte dhe siç ishte. Në atë teatër u mblodhën të gjitha hallet e popullit, që nga varfëria,shkelja e kushtetutës, rënia e sistemit të drejtësisë etj.

Në 17 maj, Ramës ju deshën 1500 policë për të mposhtur shpirtin e 50 artistëve, erdhën forcat Renea dhe na vunë automatikun në kokë e më pas filluan shembjen e teatrit kur ne ishim akoma brenda. Ne kemi ardhur këtu që t’ju zgjojmë, në mënyrë që kultura të jetë ajo që të vërë gurin e shpresës dhe më në fund populli të kërkojë të drejtat e tij.

Në atë teatër ne artistët kemi bërë 80 shfaqje falas dhe për prishjen e tij kemi bërë kallëzime pa fund, ndërkohë që kemi sensibilizuar edhe mbarë komunitetin europian”, ka thënë Edmon Budina, i cili e ka mbyllur fjalën e tij me thirrjen: “Ne do ta fitojmë këtë betejë sepse e bëjmë për shpirtin e kombit, për historinë dhe kulturën tonë”.

Aktorja Juli Emiri, në fjalën e saj ka akuzuar qeverinë, duke e etiketuar si një qeveri antikuturë, pasi, sipas saj, vetëm një qeveri e tillë mund të shëmb një teatër. Emiri ka deklaruar se, e gjithë kjo luftë po bëhet për të mbyllur gojën e njerëzve sepse në teatër janë thënë vetëm të vërtetat.