Albert Zholi: Kriza në ekonomi earsim, politika shqiptare premton si europianët dhe vepron si shoqëritë anakronike

205
Sigal

 

  • -Kriza ekonomike ka krijuar dhe krizën e besimit ndaj shtetit, vetvetes, organizatave
  • – Politika shqiptare premton si europianët dhe vepron si shoqëritë anakronike
  • – Shqipëria numëron mbi 44 mijë analfabetë në të gjithë vendin, që nuk dinë as shkrim dhe as këndim
  • – Nga totali i analfabetëve 7 për qind ose mbi 3000 persona i përkasin moshës nga 15-24 vjeç
  • – Fëmijët që kanë prindërit pa punë kanë frikë nga shkolla

Situata ekonomike në Shqipëri vlen për të dëshiruar. Kriza e rëndë ekonomike ka krijuar më së shumti dhe krizën e besimit ndaj shtetit, vetvetes, organizatave etj….. Pra, e përmbledhur në një togfjalësh, shihet qartë se në këto vite po krijohet një re e zezë, tepër e errët jetësore, për shkak të problemeve të shumta, sidomos ekonomike (mund të cilësohet si kriza e besimit), ku sot shihet qartë se është situata më e rëndë që ka përfshirë opinionin publik shqiptar postkomunist. Kjo është një pasojë e shkakut politik dhe ndërtimit të pushtetit në Shqipëri. Politika shqiptare premton si europianët dhe vepron si shoqëritë anakronike. Është ndërtuar një rrjet i tërë në Shqipëri për të krijuar një urë lidhjeje mes shoqërisë dhe politikës. Një rrjet ndërlidhjeje, që kryesisht monitorohet nga donacionet e huaja dhe që  ndihmon për një bashkëbisedim dhe bashkërendim normal mes tyre. Por përsëri njerëzit e thjeshtë e ndiejnë veten shumë larg politikës për shumë faktorë. Shtresat e varfëra, shtresat e sëmura nga fati siç janë : jetimët, të sëmurët paralitikë, njerëzit me të meta mendore, të varfërit, njerëzit pa përkrahje, moshat e treta e kanë shumë të vështirë për të qenë pjesë e politikës dhe për të siguruar të mira materiale jashtë, ndaj vuajnë politikën e gabuar.

Heshtja është lloj komunikimi me shtetin.

Problemet janë të shumta, por njerëzit heshtin. Heshtin: sepse e dinë nuk i dëgjon njeri. Shumë herë problemet e tyre vdesin pa u evidentuar dhe pa u marrë vesh nga të tjerët, sepse njerëzit e thjeshtë që janë të mbushur me paragjykime e ndjejnë veten shumë larg politikës, por edhe shtypit. Mos organizimi i sindikatave e ul dëshirën e shtresave në nevojë për të nxjerrë në shesh të vërtetën për shkak të indiferencës nga shtresat e tjera të shoqërisë. Kur flasim për shtresa të varfra, shtresa problematike gjithnjë e më shumë i afrohemi themelit të së vërtetës. Shtresa të tilla të braktisura nga fati janë ata njerëz që në mënyrë urgjente shfaqin problematikën e një vendi. Sepse politikat sociale, mbrojtja që ushtrohet ndaj tyre dhe përkujdesja janë faktorët bazë që tregojnë cilësinë e një shoqërie dhe të menaxhimit të një shteti apo qeverie. Ajo që mund të quhet ura lidhëse ose një lloj ishulli magjik ku njerëzit e kësaj shtrese dëshirojnë të gjejnë limanin e tyre të së vërtetës është një shtyp i lirë dhe i pavarur që të ndihmojë gjetjen e kësaj të vërtete dhe ta vërtetojë atë në bazat e krijimit të saj. Shtypi ka gjithnjë rolin e një gjykate, një gjykate të ashpër ku duhet të sundojë e drejta njerëzore dhe barazia. Por jo çdo gjë e ka në dorë shtypi. Shoqëria civile, sindikatat, organizatat për të drejtat e njeriut duhet të jenë ura, shtylla dhe mbëshetësja kryesore e problemeve të ndryshme të shoqërisë. Këtë urë që disa herë shteti në këto 32 vjet demokraci në mënyra të tërthorta mundohe ta prishë, pa hedhur themelet e forta, ku shpesh herë edhe gazetarët (jo vetëm shtresat në nevojë) e kanë parë veten të pambrojtur.

Problem arsimi

Vitet e fundit në Shqipëri po shtohet analfabetizmi. Shifrat janë rrëqethëse. Nga një vend i lidhur me librin jemi bërë një vend që e dashurojmë pak atë. Shqipëria numëron mbi 44 mijë analfabetë në të gjithë vendin, që nuk dinë as shkrim dhe as këndim sipas të dhënave të publikuara nga Organizata për Edukim, Shkencë dhe Kulturë e Kombeve të Bashkuara (UNESCO), që i takojnë vitit 2018. Nga totali i analfabetëve 7 për qind ose mbi 3000 persona i përkasin moshës nga 15-24 vjeç. Të dhëna më të detajuara tregojnë se analfabetizmi është i përhapur më së shumti në komunitetin Rom dhe në personat më aftësi të kufizuara. Matjet e UNESCO-s për analfabetizmin i referohen popullsisë në moshë punë me mbi 15 vjeç. Kjo e dhëne tregon se një pjesë e popullsisë në moshë punë nuk gëzon aftësinë më elementare. Popullsia e rritur analfabetë zë 2.3 për qind të popullsisë në moshë pune. Arsimi në Shqipëri është i detyrueshëm deri në moshën 16-vjeçare, por përafërsisht vetëm 92% e nxënësve mbarojnë arsimin bazë dhe vazhdojnë studimet në nivelin e mesëm.

Retrospektivë

Po deshe të jesh i mënçur, mësohu të pyesësh me mend, të dëgjosh me vëmëndje, të përgjigjesh i qetë dhe të pushosh së foluri, kur nuk ke çtë thuash më,- ka thënë Fonten (Francë). Por mënçuria është e lidhur pazgjidhshmërisht me librin, pra me shkollën. Realiteti i sotëm tregon se, një nga problemet e mijëvjeçarit të tretë është dhe rënia në mënyrë të ndjeshme nga ana e fëmijëve e interesit për të (shkollën). Jo vetëm në Shqipëri, por në mbarë globin kjo sindromë e padëshirueshme po merr përmasa alarmante. Në mbarë botën sipas një sondazhi dhe statistikave të publikuara nga “Blagg” (Institut për problemet e arsimit), rreth 11,3 % e fëmijëve janë analfabetë. Nga shumë psikologë mësues dhe sociologë është nxjerrë përfundimi se, dy janë arsyet (proceset) që karakterizojnë sjelljen refuzuese të fëmijës ndaj shkollës. 1- “Mohimi”, i cili nënkupton mosdëshirën për të vajtur në shkollë dhe për t’u marrë me gjëra të tjera, që i pëlqejnë fëmijëve jashtë dëshirave dhe kërkesave të prindërve (ku shumë herë prindërit duan t’i detyrojnë fëmijët për preferencat e veta). 2-Frika ndaj shkollës, e cila përmban në vetvete dimensione psikologjike (disiplinë, kërkesë llogarie, frenim për lojrat, kufizim kohe). Ndonëse specialistët nuk bëjnë shumë dallim midis këtyre dy arsyeve (proceseve) duhet pranuar se rasti i dytë është shumë serioz dhe shpesh kërkon ndërhyrjen apo punën e vazhdueshme me psikologun. Çfarë presupozon apo nënkupton “Mohimi” për shkuarjen në shkollë? Në ç’moshë shfaqet ky mohim? Sot pohohet nga shumë prindër se fëmijët shfaqin frikë për shkollën qysh në momentin kur atyre u thuhet apo u bëhet prezente një dicka e tillë.

Lidhur me moshën në të cilën një fëmijë mund të shfaqë frikë shkollore, specailistët theksojnë se është më e mundëshme që kjo frikë të shfaqet në nxënës të moshës 10-12 vjeçare dhe arrin deri te të 14-tat. Ndërsa nga ana tjetër shkolla amerikane (më vete), mbështet idenë se mosha më kritike për të shfaqur frikë shkollore është midis pesë dhe dhjetë vjetëve. Në vija të përgjithshme fëmijët paraqesin zakonisht dobësi serioze në marrjen e inisiativës, tregojnë veten më të madh se mosha e tyre, vuajnë nga ndonjë pikëllim dhe mbajnë një qëndrim pa shprehje. I bezdis prania e librave, nuk janë sistematikë në përgatitjen e mësimeve dhe në vendosjen e librave.

Faktorët shkaktarë?

Faktorët, që çojnë në lindjen e një problemi të tillë janë të shumtë, por nga specialistët më të rëndësishmit janë sidomos ato që kanë të bëjnë me familjen dhe kanë ndikim të drejpërdrejtë tek të dy grupet e fëmijëve. Eshtë karakteristik studimi i përfunduar nga Blagg në vitin 2008, që lidhet me një nga faktorët familjar, që lidhet me një nga problemet me rëndësi jetike sikurse është niveli i papunësisë së prindërve. Ky studim nxorri në pah dy probleme apo u bazua mbi dy pista. Pra; 1-Fëmijët që kanë prindër pa punë dhe që kanë frikë nga shkolla. 2- Fëmijë me prindër pa punë dhe që kanë dëshirë apo largohen përfundimisht nga shkolla ku edhe familja në kësi rastesh nuk kundërshton në mënyrë stoike. Studimi i tij tregoi se niveli i papunësisë së prindërve te nxënësit me frikë shkollore llogaritej në rreth 1,8 % ndërsa përqindja korrespoduese për prindërit e fëmijëve, që largohen nga shkolla llogaritej 26,7 %. Gjithashtu, për fëmijët që paraqesin frikë shkollore është vënë re sa përveç faktit, që vijnë nga familje të shtresës mesatare shpesh iu duhet të përballojë ankth të madh dhe shqetësim kur detyrohen të braktisin shtëpitë dhe prindërit e tyre. Padituria është shoku më i keq. Realisht është vërtetuar se rrënjët e diturisë janë të hidhura, kurse frytet shumë të ëmbla (thotë një fjalë e urtë latine). Kushdo që lë mënjanë mësimin në të rinë e tij , humbet të shkuarën dhe është i vdekur në të ardhmen, – ka vulosur rëndësinë e diturisë qysh në lashtësi Euripidi (Greqi).