Akuzohet se vrau dy motrat në Astir, Prokuroria kërkon burg përjetë për Përparim Ademin

138
Sigal

Prokuroria ka kërkuar dënimin me burg përjetë për Përparim Ademin, i cili më 31 dhjetor të virit 2020 akuzohet se vrau motrat Kristina Bardhi e Zhaneta Metani në lagjen e Astirit në Tiranë, me të cilat kishte lidhje intime.

Autori i krimit të dyfishtë ka pranuar se para më shumë se 20 vitesh ka nisur një marrëdhënie jashtëmartesore me Kristina Bardhin.

Më pas, ai ka thënë se është lidhur me motrën e saj, Zhaneta Metanin, me të cilën pretendon se ka edhe një fëmijë por nuk e ka të regjistruar në Gjendjen Civile.

Ai ka thënë në gjykatë se ka bërë edhe udhëtime me dy motrat dhe gruan e tij në Pogradec dhe Greqi.

59-vjeçari Ademi ka deklaruar se ka martesë ligjore me një grua tjetër, e cila ka pranuar se i dinte lidhjet e te shoqit, madje kishte krijuar miqësi me dy motrat që të mos prishte familjen.

Përparimi ka thënë që krimi ndodhi për arsye xhelozie, sepse kishte dyshime që Zhaneta kishte një marrëdhënie me dikë tjetër. Madje, ai ka shkuar tek punëdhënësi i Zhanetës, duke kërkuar largimin nga puna të një personi, tek i cili ai dyshonte.

Krimi

Përparim Ademi ka përdorur si karrem fëmijën e njërës prej motrave për të hyrë në banesën e tyre, të cilat me sa duket e kanë kuptuar rrezikun për shkak të tentativës për t’u ndarë përfundimisht me të.

Kur e kanë parë ardhjen e tij, dy motrat që po hanin bukë, kanë tentuar të mbyllin derën, por ai ka qëlluar me armë duke i lënë të vdekura në vend.

Përparim Ademi ka hapur zjarr fillimisht në derë dhe më pas ka qëlluar në drejtim të dy motrave.