DURRËS – Nga Durrësi ku mori pjesë në inaugurimin e zyrës së re te legalizimeve ne Rrashbull, kreu i ALUIZNI-t Artan Lame i është përgjigjur akuzave të opozitës mbi tenderimin e një kompanie private e cila po kryen ne terren matjet e objekteve informale.
Lame u shpreh se në arkivat e kësaj zyre nuk gjendet asnjë dosje e përfunduar, ashtu sikurse pretendon opozita. Ndonëse kjo njësi administrative është bastion i së djathtës në 8 vite sipas Lames janë dhënë vetëm 36 leje legalizimesh nga 10 mijë vetë-deklarime të bëra në total.
Kjo është dhe arsyeja që sipas kreut të ALUIZNI-t opozita shfaq nervozizëm e sulmon punën e zyrave të legalizimeve.
“Tenderi që është organizuar Durrësi për këtë zonë, drejtoria e Durrësit kishte një mekanizëm shumë të thjeshtë kur ma shpjegoi drejtori. Mekanizmi është i tillë, do bëhen matjet në terren nga një subjekt privat dhe me këtë rast u hap dhe zyra ku do jenë 3 apo 4 punonjës të ALUIZNI-t të cilët do përpunojnë këto matje, këtë mori, këtë valë matjesh që do bëhen në terren nga privati. Pra ky ishte mekanizmi që lidhte të dy gjërat. U hap zyra në këtë zonë këtu dhe njëkohësisht u organizua dhe kryerja e procesit të matjeve në terren me subjekte me të ardhura. Përsëris dhe një gjë që nuk janë nga buxheti i shtetit por me të ardhura të vetë drejtorisë”, – tha Lame.
Zyra e re e hapur në Rrashbull, që përfshin qytetin e Shijakut dhe fshatrat përreth ka për qëllim shkurtimin e distancës së qytetarëve të cilët paraqiten për të kryer procedurat si dhe përpunimin e dosjeve në mënyrë më të shpejtë.