Akuzat e nxënëseve për ngacmim, flet drejtori: I këshilloja, janë në moshë delikate

613
Mësuesi i gjeografisë na fliste edhe për tema seksi në orën e mësimit”. Kjo ka qenë deklarata e nxënëseve të klasës së nëntë në shkollën e fshatit Kozarë në Kuçovë, që më pas ka çuar në pranga mësuesin e tyre Ajaz Ajazi.

63¬-vjeçari i cili, veçse mësues gjeografie, ishte edhe drejtor i shkollës, e ka mohuar akuzën e ngritur ndaj tij, duke e konsideruar këtë si një ngjarje të sajuar për t’i zënë vendin e punës. Burime nga grupi hetimor bënë të ditur se tri nxënëset e klasës së nëntë janë marrë në pyetje në prezencë të një psikologeje.

Ato janë pyetur me detaje mbi veprimet e mësuesit të tyre, por asnjëra prej të miturave nuk rezulton se ka pasur një histori personale konkrete si tentativë për ta prekur, apo për veprime të tjera të pahijshme në ambientet e shkollës apo jashtë saj.

“Na ka shqetësuar shumë me temën e seksit dhe veprimet e çrregullta që bënte. Ishte bërë i mërzitshëm në orët e mësimit, aq sa nuk na vihej në shkollë dhe na ishte neveritur”, janë shprehur nxënëset e marra në pyetje dje në Policinë e Beratit.

Ndërkaq, drejtori tashmë i shkarkuar nga detyra, Ajaz Ajazi, nuk e ka pranuar akuzën e nxënëseve të tij për ngacmim seksual.

“Unë nuk kamë bërë në asnjë mënyrë aty veprime, por i kam këshilluar ndonjëherë nxënëset e mia, pasi janë në një moshë delikate. Këto veprime që po merren ndaj meje janë ambicioze, për shkak të vendit të punës sime, por e vërteta do të zbardhet nga drejtësia”, ka deklaruar drejtori i shkollës gjatë marrjes në pyetje nga policia.

63-¬vjeçari u arrestua për dy vepra të rënda penale, “ngacmim seksual” dhe “vepra të turpshme”.


Sigal