AKU-Durrës/ Dhjetori me program të posaçëm kontrolli në tregje, për të garantuar sigurinë ushqimore

624
Arjan DUKASI
Flet drejtori Sefer Sefa: Afrimi i festave të fund-vitit, kërkon monitorim intensiv, ka shtim prodhimi, importi, tregtarësh, konsumi
Si element kryesor për të realizuar këtë program kontrolli, mund të përmend ekspertizën, përvojën dhe potencialet profesionale mbështetëse e dashamirëse, që po na jep intensivisht Drejtoria e Përgjithshme dhe personalisht drejtori Agim Ismaili. 

Prioritet është kujdesi, për të mos lejuar përpunimin dhe futjen në treg, të produkteve të dëmtuara nga përmbytjet, si ushqime industriale të paketuara e rifuxhio, perime, fruta, zarzavate, produkte e mish shpendësh e kafshësh të ngordhura

Kontrolli i sigurisë ushqimore në Shqipëri, ka hyrë në një proces të plotë reformimi, me bazë rilindjen e tij, me synimin për t’u kthyer nga administratë me drejtues, zyrtarë dhe inspektorë “gjuetarë” biznesesh për të zhvatur ryshfete, në shërbim aktiv, konkret, funksional dhe real, në garantimin e sigurisë ushqimore dhe ndalimin e produkteve jashtë standardeve të vlerave ushqimore, maskuar pas etiketave me të dhëna false. 
Nisma dhe projektet, për ndryshime në punët e AKU
Emërimi i zotit Agim Ismaili në krye të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, ishte një vendim më se i drejtë dhe bindës i kryeministrit Edi Rama, për ta shpëtuar këtë sektor nga “kthetrat” e disa shefave “gjobaxhinj” dhe pa asnjë lidhje profesionale me sektorin ushqimor e për ta nxjerrë këtë shërbim, nga “skarciteti e llumi” institucional, duke e bërë “avokat mbrojtës” të konsumatorit, në luftën për të shmangur abuzimet me sigurinë ushqimore, me pasojë rrezikun jetës dhe shëndetit të popullatës. Nisja e këtij reformimi, ka nisur të bëhet me afrimin e drejtuesve të rinj profesionist e të përkushtuar në AKU-të e qarqeve dhe në sektorët e kontrollit në qendër, proces që po kryhet me maturi, paçka se në qendër të AKU-së, ka ende “tipa bataçkinjsh” të mbetur e rikthyer në detyra. Ndryshimet e bëra deri tani në ekipet drejtuese dhe ato që do të bëhen pas testimit të kërkuar prej DAP-it, nga drejtori Ismaili, po japin e do të japin efekt në rilindjen e AKU-së. 

Sot, po ndalemi në punën e AKU-së të Qarkut Durrës, e cila prej afro 2 muajsh, po drejtohet nga zoti Sefer Sefa. Cili është aktualisht, “profili i ri” i drejtimit të AKU në Qarkun Durrës? Siç dihet, Durrësi është një qark me “hartë” dhe ngarkesë të madhe prodhimi, përpunimi, importi, me distributorë ushqimesh, tregjesh shumice e pakice, qendrash tregtare të çdo niveli e lloji, deri tek tregjet zonale, të lagjeve e ato ambulatorë. Kjo ngarkesë tregu, ka volum konsumi, duke diktuar prezencën e një AKU-je të mirë-organizuar, së pari kontrolluese e këshilluese, orientuese, parandaluese e jo ndëshkuese brutale, me një synim: jo denigrim, por pastrim e standardizim të cilësisë dhe sigurisë së tregut. Kjo po bëhet prej drejtuesit Sefa dhe ekipit të tij në kontrollin e prodhimit dhe tregut të Qarkut-Durrës. Referuar edhe vlerësimeve të Drejtorit të Përgjithshëm të AKU, zotit Agim Ismaili, zhvilluam një bisedë me Drejtorin e AKU të Qarkut Durrës, zotin Sefer Sefa, i cili na njohu me një program pune të posaçëm kontrolli, hedhur në veprim vetëm për muajin Dhjetor-2017, si muaji i festave të fund-vitit, që kërkon monitorim më intensiv, mbasi ka shtim prodhimesh, importesh, tregtarësh, asortimentesh, sasie, konsumi dhe kërkon vëmendje. 
– Zoti Sefa, po futemi në 20 ditët e fund-vitit 2017 dhe kjo edhe për tregun në qarkun Durrës është kulm aktiviteti. Po për ju, si AKU? 
Gjersa tregu ka kulmin e vet në këto prag-festash të fund-vitit, kjo për ne është një situatë e tej-ngarkuar me punë, 90% të kohës në terren. Qysh në fillim të këtij muaji, së bashku me drejtorin e Përgjithshëm, zotin Ismaili e më pas me ekipin e AKU që unë drejtoj, ideuam dhe ndërtuam platformën e një programi kontrolli të posaçëm, për të mbajtur në kontroll të plotë tregun, me pikënisje importet, distributorët e shumicës, super-marketet, prodhimin, qendrat e përpunimit dhe transportin e produkteve në treg, me prioritet tregjet e hapura masive dhe tregjet nëpër lagje, në rrugë, në stacione udhëtarësh, në pika turistike dhe në pikat e frekuentuara publike.
– Ju deklaruat, se 90% të ditës së punës e kaloni me kontrolle në terren, po jashtë orarit zyrtar, a gjendeni në aktivitet? 
Pa dyshim, që AKU e Durrësit nuk e mbyll punën, me mbylljen e orarit zyrtar, mbasi tregjet nuk punojnë me orar zyrtar, konsumatorët nuk blejnë vetëm në orarin zyrtar, subjektet nuk prodhojnë vetëm gjatë 8 orëve zyrtare, importet dhe qendrat e shumicës shpërndajnë mallra në çdo orë. Ky aktivitet prodhimi e tregu kontrollohet në gjithë hapësirën kohore, kryesisht furrat e bukës, linjat e prodhimit të bulmetrave, të prodhimeve të brumit, të përpunim-tregtim-konsumit të produkteve të mishit, produkteve të detit, vezëve, mishit të shpendëve, pijeve, ujit të ambalazhuar, ushqimeve për fëmijë, restoranteve, bar-kafeve, picerive, magazinave ushqimore, “Fast-Food”-eve, pastiçerive, super-marketeve e deri tek njësitë e tregtim-konsumit poshtë pallateve të banimit. 
– Disa ditë më parë, ndodhi përmbytje fermash bujqësore e blegtorale, magazinash e tregjesh ushqimore, a keni parashikuar, se produktet e dëmtuara mund të hidhen në treg? 
Për këtë rrezik (risk), kemi pasur sinjale paralajmëruese nga qytetarët, të cilët kërkonin ndihmën tonë që të mos ndodh, por deri sot që flasim, nuk kemi zbuluar asnjë rast. këtë problem e kemi mbajtur nën vrojtim, duke marrë informacion për prodhuesit, magazinat e shumicës, tregtarët dhe fermerët që kanë pasur dëmtime në produktet ushqimore dhe në bashkëveprim me pushtetin lokal dhe institucionet e tjera, kemi ndjekur procedurën e evadimit (asgjësimit) të tyre. Paralelisht, po vëzhgojmë tregun, referuar informacioneve që na vijnë. Në këtë aspekt, kontrollojmë për të mos-lejuar përpunimin dhe futjen në treg, të produkteve të dëmtuara nga përmbytjet, si ushqime industriale të paketuara e rifuxhio, perime të hapura e të konservuara, fruta, zarzavate, produkte e mish shpendësh dhe kafshësh të ngordhura. 
– Pas etiketave joshëse, maskohen produkte të skarco, pa vlera ushqyese, të manipuluara dhe me rrezik për shëndetin, a po goditet ky realitet?
Tregu ka prodhime të tilla dhe ky realitet duhet pranuar. Ky problem është objektiv kryesor për të garantuar sigurinë dhe cilësinë në treg, mbasi etiketa përdoret për të hedhur e mbajtur në në treg produkte ushqimore dëmtojnë shëndetin e në shumë herë rrezikojnë edhe jetën e konsumatorit. Porosia e parë që unë jap në fillim të çdo dite pune, për çdo koordinator dhe inspektor të AKU-Durrës është kjo: Kontrolli, të nis nga etiketa! Kontroll, do të thotë mos besim, se ndryshe nuk do të kishte nevojë për institucionin e AKU. 
Detajet e programit të posaçëm, për kontrollin, në muajin dhjetor dhe festat e fund-vitit
Faktikisht, kontrolli ynë bëhet përditë dhe në këtë aspekt nuk po tolerojmë asnjë neglizhencë, duke kërkuar prej çdo shefi sektori, inspektori e zyrtari, madje edhe prej vetes time, të kryej detyrën e tij dhe të gjithë së bashku, në koordinim. Muaji dhjetor është “piku” i tregut dhe ndaj e kemi përcaktuar si ngarkesë kontrolli. Kemi detajuar sektorët me plan-kontrolli shtesë, që programi i posaçëm gjatë këtij muaji, të dalë nga rutina e të bëhet më i imët, duke angazhuar gjithë burimet njerëzore që kemi ne si AKU rajonale. Si element kryesor për të realizuar këtë program kontrolli, mund të përmend ekspertizën, përvojën dhe potencialet profesionale mbështetëse e dashamirëse, që po na jep intensivisht Drejtoria e Përgjithshme dhe personalisht drejtori Agim Ismaili. Është për t’u përshëndetur, partneriteti ligjor në bashkëpunimin me institucionet dhe shërbimet që ka qarku Durrës, me bazë Policinë e Shtetit, Policinë Bashkiake Durrës, Krujë-Fushë-Krujë e Shijak, Inspektoratin e Shëndetit Publik, Tatimet, Doganat, Policinë Kufitare, Këshillin e Qarkut dhe veçanërisht Prefekturën-Durrës. Për 10 ditët e fundit të vitit, që është “koha e festave” dhe shtohet fluksi i tregut e konsumit ushqimor, do të reklamojnë më në “filtër” total çdo sektor ushqimor, çdo zonë prodhuese natyrale agro-ushqimore, çdo prodhues e përpunues ushqimor industrial, çdo treg të hapur e të mbyllur, deri edhe çdo mjet që transporton produkte ushqimore. më saktë, do kontrollet gjithçka që ka lidhje me ushqimin! 
Ja kontrollet bazë që po kryen AKU-Durrës
1. Prodhimet e qumështit
2. Tregu dhe prodhimi i ushqimeve për fëmijë
3. Magazinimi dhe tregu i peshkut
4. Therjet e mishit
5. Tregjet e mishit
6. Nënproduktet e mishit
7. Prodhimet e konservave
8. Restorantet me prodhime deti, njësitë e konsumit popullor
9. Tregjet e hapura
10. Standardet e ushqimeve në markete, super-markete dhe pika shumice
11. Produktet që futen nga porti detar
12. Ushqimet për kafshët
13. Prodhimet e konservuara agro-ushqimore
14. Prodhimet e lëngjeve, vajit, pijeve të çdo lloji
15. Prodhimet e brumit, buka, pastiçeritë dhe ushqimet ditore të paketuara të fëmijëve
Sigal