Aktorja e mirënjohur: Teatri është histori, u prish memoria…

386
Sigal

Aktorja e mirënjohur Roza Anagnosti bën përgjegjës drejtuesit e Teatrit për gjendjen në të cilën ajo godinë ndodhej.

E ftuar në një emision televiziv ajo thotë se teatri ishte neglizhuar totalisht, asnjë gozhdë nuk ishte vendosur nga drejtuesit e institucionit.

Në ç’kushte keni punuar në skenën e Teatrit, në vitet e fundit. Si ka qenë të punosh për ju në Teatrin Kombëtar dhe a ishte nevoja e prishjes së asaj godine?

Aman mos ma përmend.. nuk mund ta them, e kam të vështirë të them me gjithë ato kontribute… Ndryshe është Nisida, të vije ti, të shkoja në oborrin e Teatrit, të shkoja në kabinën time, në skenë. Ajo është histori, ti prish memorien. Ti prish historinë, identitetin tënd. Nuk e di… Edhe kur kam shkuar që i kam mbështetur ato, i kam mbështetur me gjithë shpirt, sepse e quaj me vlerë të jashtëzakonshme. Dhe këtë nuk e kam thënë unë, e kanë thënë profesionistë në radhë të parë. Teatri sigurisht që kishte ndryshuar, po i kujt është faji? I kujt faji? Ai që drejton institucionin ka përgjegjësi të madhe të krijojë atmosferë.

Edhe në shtëpinë tonë jo të gjithë janë të pasur, por janë të pastër. I krijojnë atë atmosferë që aktori të japë më të mirën. Ishte neglizhuar totalisht. Unë kam punuar me Elektrën, një punë e jashtëzakonshme. Kemi shkuar edhe në Selanik me këtë pjesë, dhe ato janë befasuar me punën tonë, sepse aktori nuk e neglizhon punën. Asnjë nuk duhet të neglizhojë punën e vet, gjithësecili duhet të bëjë punën e vet. Pse e mora ta drejtosh? Cfarë bëre ti? kërkoi llogari vetes në radhë të parë. Duhet të kenë përgjegjësi, cdo njeri ka përgjegjësi në punën e tij.

Pra, ju keni rezerva për drejtimin e atij Teatri?

Po sigurisht. Fajtor në radhë të parë bëj atë që ka drejtuar institucionin, që nuk ka vënë asnjë gozhdë. Nëse e pa në mjerim, atëherë rregulloje. Edhe mua m’u prish shpia nga tërmeti, m’u ça, mora punëtorin. Trishtohesha kur i shihja, por mu rregullua, e ndjeja veten mirë. Ajo sallë kishte nevojë. Kur kemi shkuar ne, ka pas ngrohje në atë Teatër, ishte impresionuese. Kush nuk ka pas dëshirë të interpretonte në atë skenë. Të gjithë ato të mëdhenj, që edhe kanë heshtur një pjesë, ajo skenë i ka bërë.

Çfarë kujtoni ju nga hera e parë në skenën e Teatrit Kombëtar, në paskuinta, në gardeborën tuaj, në paskuinta…

Tani e quajnë stallë, po ajo ishte një magji. Salla ka qenë gjithmonë shumë komunikuese me publikun, kabinat kanë qenë të vogla të pastra, me ndriçim, pasqyra. Kadri Roshi rrinte një orë e gjysmë përpara shfaqjes, një orë përpara të gjithë aktorët dhe kishte mikrona, nuk kishte nevojë të rrije anash. Ishte Gjergj Zagora që ishte inspektor i skenës, njoftonte për aktet në skenë. Më kujtohet Erminia, e cila bënte paruket dhe na shikonte si vajza, pasi visheshim në skenë ajo do na jepte viston. Një qetësi absolute, kishte një disiplinë artistike të mrekullueshme. Unë mundohesha të thithja cdo gjë, nuk kam fol shumë, kam dëgjuar më tepër. Kam punuar me artistë që më kanë dhënë jetë në atë skenë. Një jetë artistike kaq e gjatë ka edhe dhimbje, ka edhe lot, gëzime, duartrokitje.

Dua të ndajmë bashkë disa nga provat gjenerale që ju i bënit gjithmonë…

Më parë ishte prova në tavolinë, ku bëhej zbërthimi i gjithë ideve dhe cdo aktor përflitesh të gjente figurën po nga ana logjike tani, veprimet e aktorit. Puna jonë nuk thuhet edhe me fjalë,është një proces i brendshëm. ndodh në brendësinë tënde, që në momentin që ndan rolet, nis procesi krijues. Në film i thonin u ndezën motorët. Në provën gjenerale ishte këshilli artistik, dhe gjithë kolegët që nuk ishin pjesëtar dhe bëhej një diskutim.

Kur vinte Dhimitri e dija se ishte dita më e rëndë, se e dija që ai ishte i pamëshirshëm në vërejtje por edhe më e bukur. Dhe për të gjithë artistët ishte ditë feste kur jepej premiere, dhe bëhej një ditë pushim e më pas vijoj me shfaqjet. Në provat gjenerale ishin edhe familjarët, sepse ka nevojë aktori, edhe regjizori të ndjejë sallën, është bashkëpunimi shumë i ngushtë. Plus artisti është shumë i brishtë, sa i brishtë aq edhe i fortë është.

Në këtë rrugëtim tuajin kush kanë qenë miqtë kolegët që kanë rrugëtuar bashkë me ju, e keni patur një marrëdhënie mjaft të mirë bashkë?

Unë kam pas fat që kam punuar me një brez të tillë artistësh. Ndër aktoret e para ishte Liza Vorfi, ishte ndër themelueset në Radio Tirana, një artiste me një finesë të jashtëzakonshme, më pas Drita Pelinku, Behije Çela, Logoreci, Violeta Manushi, Marjeta Kallamata, Esma Agolli, Besa Imami, Margarita Xhepa, Afërdita Taçi, Marta Burda, Edi Luarasi, Mimika Luca, Pavlina Mani, Elida Janushi, Marjeta Ljarja, Luiza Xhuvani, Eva Alikaj, çdo brez dhe çdo dekade kishte gjëra të reja. Koha ecën evoluon dhe e bukura ndryshon. Aktorët si Mihal Popi, Loro Kovaci, Pjetër Gjoka, Sandër Prosi, Prokop Mima, Lazer Filipi, Sulejman Pitarka, Ndrek Luca, Roland Trebicka, Ndrenika, Vlashi, Shkezi, Resuli, Qirjaqi… arti jonë ka edhe teknikë.

Nuk mund t’i harrosh, drejtuesit e parë, një njeri i jashtëzakonshëm i Xhemal Broja etj. Riza Hajro e bëri gjithë skenën dhe studio laborator, varet shumë nga ai që drejton, apo Muharrem Shtylla, Pirro Mani, janë shumë. Ka shumë rëndësi drejtimi i institucionit, cfarë vizioni ka, ku do ta cojë, sepse është Teatri Kombëtar, nuk është shaka. Teatri Kombëtar ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm me fjalën, me gjuhën shqipe, me fol bukur. Në Radio Tirana, gjithmonë fillonte me orën gazmore e pastaj me Teatrin në ekran, poezi, historia e popullit ndër shekuj etj. Për këtë punë që ndodhi tani duhet të ishin të gjithë sensibël. Aty ëshë realizuar teatri i operas për herë të parë, Ansambli, Instituti i Arteve. Ajo është histori. Nuk fshihet me gomë historia!