Aksioni i policisë për goditjen e bandës merr përgëzime dhe vlerësimet e qytetarëve

477
Arjan ZADRIMA

Policia e Tiranës zbuloi grabitjen në Kashar duke bërë detyrën, Rama-Tahiri e konsiderojnë “arritje madhështore”
Kur nuk i merret leje politikës për të zbuluar e luftuar krimin me preferenca shtetarësh, krimi zbulohet e goditet në kohë
Policia e Tiranës arriti dje një sukses në punën e saj zbuluese e goditëse ndaj krimit, duke dhënë provën e plotë e të qartë, se kur vlerësohet detyra, kur nuk ka implikime e përfshirje në botën e krimit, kur ka interes për ta luftuar krimin, kur nuk i merret leje politikës për të zbuluar dhe luftuar krimin me preferenca shtetarësh, atëherë krimi zbulohet e goditet në kohë, pra zbatohet detyra, për të cilën policia paguhet nga taksat e shqiptarëve, për të garantuar siguri për ta. Kjo duhet përshëndetur si korrektësi e ndershmëri në detyrë. Mirëpo, ministri Tahiri dhe kryeministri Rama, nxituan ta paraqesin si “arritje madhështore”, përmbushjen e një detyre të caktuar si detyrim ligjor. Sepse nëse do pranonim “brohoritje” kur realizohet detyra dhe justifikime e kërcënime ndaj mediave kur nuk bëhet detyra, atëherë si duhet quajtur mos zbulimi i 4 vjedhjeve të tjera të miliardave të bankës apo shumë krime të tjera të rënda? Si do të quhet mos arrestimi i kapo bandave të kultivimit dhe trafikimit të drogës dhe përse? Si do të quhet mos zbulimi i grabitjes së bizneseve, taksistëve e kambistëve, i fëmijëve e femrave, i vrasjeve anonime me viktima që gjenden shkurreve e humnerave edhe pa kokë? Si do të quhet marrjet peng dhe grabitjet e biznesmenëve e trusteve të huaj dhe vrasja, plagosjet apo zhdukjet e tyre? rasti i zbulimit të bandës që grabiti miliardat e bankës n në Kashar është tregues i eficencës në kryerjen e detyrës, që duhet të shoqërohet nga raste të tjera zbulimi dhe goditjeje të krimit. Nëse ky rast u zbulua, kjo meritë nuk i takon as ministrit Tahiri e as kryeministrit që bënte gallatë në “FB” ditën e grabitjes me komentuesit, por i takon vetëm ekipit drejtues të policisë së Tiranës. 
Zbulimi i bandës
Pak ditë pas grabitjes së blindit me para të një banke në rrugën e Rinasit. Që prej paradites së djeshme, forca të shumta policie kanë nisur kontrollet nga toka dhe ajri. Sipas informacioneve zyrtare, një numër i madh efektivesh ka kryer një aksion blic pasditen e djeshme në Prezë e Vorë, ku po kontrollohen banesat dhe bizneset e autorëve të dyshuar të grabitjes. Nuk ka ende emra apo informacione mbi kontrollet në banesa por pritet të publikohen në orët në vijim. Në deklaratën zyrtare pas grabitjes së ndodhur më 9 shkurt, policia tha se ishin 6-7 autorët e sulmit me armë ndaj dy blindave të një banke të nivelit të dytë, njëri prej të cilëve kishte shumën e parave. Në pranga u vunë menjëherë pas ngjarjes 5 punonjës të shoqërisë së sigurimit, por ende nuk ka të arrestuar për grabitjen. U mësua se një i ri nga Lushnja mbahet prej 3 ditësh i ndaluar. Nuk dihet, nëse personi në fjalë ka dijeni për ngjarjen apo është një prej autorëve.
Tahiri mbledhje urgjente me krerët e Policisë
Ndërsa ishte duke u zhvilluar operacioni blic i Policisë së Shtetit për kapjen e supergrabitësve të 3.2 mln dollarëve të BKT-së, Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri ka mbledhur me urgjencë drejtuesit më të lartë të policisë. Ministri i Brendshëm ndodhet tek Policia e Tiranës ku po zhvillon një takim me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Haki Çako si dhe me drejtorin e Policisë së Tiranës, Ervin Hodaj. Mësohet se ministri Tahiri ka kërkuar informacion për operacionin dhe rezultatet e tij. Dhjetëra forca policie marrin pjesë në operacionin që ka nisur prej paradites së sotme, me kontrolle të shumta në banesa e biznese të personave të dyshuar në zonën e Vorës dhe Prezës. Mësohet se policia ka sekuestruar sende të ndryshme në cilësinë e provave materiale gjatë këtyre kontrolleve.
Kapen 4 nga 6 autorët e grabitjes. Dy prej tyre ish-Komando
Policia ka arrestuar 4 nga 6 autorët e dyshuar për supergrabitjen e 3.2 milionë dollarëve të BKT-së më 9 shkurt 2017 në rrugën e Rinasit. Gazetari Artan Hoxha tha, se “janë arrestuar 4 persona, 2 prej tyre ish-efektivë Komando si dhe janë shoqëruar 10 të tjerë gjatë operacionit masiv të zhvilluar sot në Vorë e Prezë”. Po kështu mësohet se Policia ka gjetur edhe një pjesë të parave të grabitura. Në operacion janë përdorur edhe helikopterët për të shmangur një arratisje të mundshme të autorëve. Tek identifikimi i tyre është arritur përmes gjurmimit të makinave të përdorura në grabitje. Policia ka vepruar në disa pika njëherazi dhe kontrollet kanë qenë të befasishme. Për sa i përket ish-komandova, thuhet se ata kanë marrë pjesë në misione jashtë shtetit, në Irak dhe Afganistan. Që prej paradites së sotme forca të shumta policie kanë nisur kontrollet nga toka dhe ajri. Sipas informacioneve zyrtare, një numër i madh efektivesh kanë kryer kontrolle në banesat dhe bizneset e autorëve të dyshuar të grabitjes. Në deklaratën zyrtare pas grabitjes së ndodhur më 9 shkurt, policia tha se ishin 6-7 autorët e sulmit me armë ndaj dy blindave të një banke të nivelit të dytë, njëri prej të cilëve kishte shumën e parave. Në pranga u vunë menjëherë pas ngjarjes 5 punonjës të shoqërisë së sigurimit, ndërsa me operacionin e sotëm numri i personave të arrestuar për ngjarjen shkon në 9.
Informacioni u dha nga brenda policisë private 
Një prej punonjësve të policisë private ka dhënë informacione për autorët e grabitjes së 2.7 mln eurove të enjten e kaluar në Rinas. Bëhet fjalë për Fatjon Xhyriu, i arrestuar bashkë me kolegët e tij, i cili i ka dhënë informacione. Burime nga grupi hetimor, thonë se ka qenë Xhyriu bashkëpunëtori i grabitësve të 2.7 mln eurove. Ai i ka njoftuar për lëvizjen, shumën dhe detajet e tjera të lëvizjes së parave. Këtë fakt e ka pranuar edhe vetë Xhyriu para grupit të hetimit. Në bazë të informacioneve të tij, është kryer edhe super operacioni i ditës së sotme.

Policia mësyn në Farkë, “shtetrrethim” për kapjen e grabitësit të pestë të bankës
Aksioni për kapjen e autorit të pestë të super grabitjes që ndodhi më 9 shkurt në Qafë-Kashar, ku u vodhën paratë e bankës BKT, ka ngritur në ‘këmbë’ Policinë e Shtetit. mësohet se në këto momente forca të shumta policore kanë mësyrë nga toka dhe ajri në Farkë. Policia është mobilizuar, me blinda, armatim modern dhe snajperë për të kapur të shpallurin në kërkim, identiteti i të cilit nuk dihet ende. Deri më tani Policia ka arrestuar 4 nga 6 autorët e dyshuar për supergrabitjen e 3.2 milionë dollarëve të BKT-së më 9 shkurt 2017 në rrugën e Rinasit. Gazetari Artan Hoxha tha se “janë arrestuar 4 persona, 2 prej tyre ish-efektivë Komando si dhe janë shoqëruar 10 të tjerë gjatë operacionit masiv të zhvilluar sot në Vorë e Prezë”. Po kështu mësohet se Policia ka gjetur edhe një pjesë të parave të grabitura. Dy prej të arrestuarve janë sjellë nga forca të shumta policie në Drejtorinë e Policisë së Tiranës.

Të arrestuarit, ja 5 emrat e bandës
Drejtori i Policisë Tiranë, Ervin Hodaj ka dhënë detaje nga operacioni policor për kapjen e personave që kryen grabitjen në aksin Tiranë-Rinas më datë 9 shkurt. Ata janë:
Fation Xhyliu , 33 vjeç, lindur në Lushnjë banues në Tiranë, ish punonjës në Shpsf “Rogat”
Ditjon Memlika, 31 vjeç, lindur në Tepelenë dhe banues ne Tiranë, ish efektiv në forcat ushtarake
Neim Avdulaj, 28 vjeç, lindur në Vlorë dhe banues në Tiranë, ish ushtar profesionist në forcat ushtarake te Zallherrit.
Ernest Kupa, me banim në Krujë, me biznes privat.
U shpallën në kërkim shtetasit me iniciale M. A., dhe Ç. A. dhe po punohet për kapjen e tyre.
Edi Rama: Sukses shembullor
Policia Shtetit tregoi përsëri, se forca e saj zbuluese e goditëse rritet përditë! Zbardhja e shpejtë e grabitjes së bankës sukses shembullor “, shkruan Kryeministri Edi Rama në faqen e tij në Facebook. Forcat RENEA dhe FNSH-ja kanë arrestuar sot katër persona të dyshuar si grabitësit e 3.2 milionë dollarëve në Qafë Kashar mesditën e të enjtes së kaluar.
Ministri Tahiri: Sukses i madh i policisë, na hedhin baltë kot!
Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri duke e konsideruar si sukses të policisë së shtetit zbardhjen e dy grabitjeve spektakolare të miliona eurove në Rinas, theksoi se Policia e Shtetit është në krye të detyrës. Ai tha se ka një pakicë që hedh baltë dhe llumë ndaj policisë dhe për ministrin, kjo pakicë është kundër Vettingut dhe kundër reformës në drejtësi. Është një ditë si gjithë të tjera për policinë, ku për fat të keq, përtej baltës dhe llumit që është hedhur kemi arritur t’i tregojmë qytetarëve shqiptarë se jemi në shërbim të tyre. Dua të falënderoj oficerët e policisë që arritën të zbardhin në një kohë rekord një seri ngjarjesh. Dua të falënderoj qytetarët për besimin që kanë investuar tek policia e Shtetit. kjo është energjia e domosdoshme për Shqipërinë që duam. Dua të shfrytëzoj këtë rast tu bëj thirrje të gjithë atyre që sulmojnë policinë dhe tu them se Policia është në krye të detyrës. Ata që janë sot kundër policisë janë ajo pakicë e vogël që janë kundër vettingut dhe që nuk duan drejtësinë. Janë shumë pak për të na bërë punën të vështirë.
Haki Çako: Sukses të shkëlqyer i Policisë.
Përshëndesim Policinë e Shtetit për suksesin e shkëlqyer që ka arritur. U arrit më në fund të finalizohej me sukses operacioni duke vënë para përgjegjësisë ligjore të autorëve të disa grabitjeve të ndodhura në aksin rrugor Tiranë-Rinas. Është një punë shumë e mirë. 
Blushi, mesazh ministrit Tahiri: Kur policia bën detyrën dhe jo poltikën
Kreu i LIBRA-s, Ben Blushi ka përgëzuar sot aksionin e Policisë së Shtetit pas arrestimit të 4 autorëve të dyshuar të grabitjes së parave të bankës në Qafë-Kashar më 9 shkurt. Përmes një statusi në rrjetin social ‘Facebook’ deputeti Blushi pohoi se ky është një nga ato rastet kur policia bënë detyrën dhe jo politikën. “Kur policia nuk bën politikë bën detyrën. Besoj se është rasti për të përgëzuar forcat e policisë që kapën grabitësit e bankës. Kur policia bën politikë duhet të jemi të gjithë kundër saj. Kur policia bën detyrën duhet të jemi në mbështetje të saj. Shpresoj që kjo arritje të mos kthehet në çadër euforie për shiun e krimeve të pazbuluara ende.”, citohet në mesazhin e Blushit.
Ditën e sotme, pas një operacioni nga ajri dhe toka, Policia e Shtetit arriti të kapte 4 nga 6 grabitësit e 3.2 milionë dollarëve, ndërsa sekuestroi një pjesë të parave
Ja deklarata zyrtare e Policisë së Qarkut, Tiranë 
“Drejtoria e Policisë Tiranë, Drejtoria Kundër Krimeve të Rënda në Drejtorinë e Policisë së Shtetit në bashkëpunim dhe me prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, në kuadër të operacionit “Patriot”, pas hetimeve intensive, zbuluan, dokumentuan dhe arrestuan autorët e dy grabitjeve të vlerave monetare bankare në transport, në aksin Tiranë- Rinas.
Dy grabitjet ndodhën në:3 dhjetor 2015, ku u sulmuan me armë eskorta e vlerave monetare Rogat Security, në aksin Tiranë – Rinas, në afërsi të Qafës së Kasharit.
Grabitja e fundit ndodhi më 9 shkurt 2017, ku u sulmuan me armë eskorta e vlerave monetare “Jaguar”, në aksin Tiranë-Rinas, afër universitetit Epoka.
Pas veprimeve intensive hetimore, informacioneve të marra në rrugë operative, provave shkencore të mbledhura nga ekspertët e policisë, u arrit të provohej dhe dokumentohej implikimi i të paktën 6 shtetasve të mëposhtëm në këto 2 ngjarje:
Fation Xhyliu , 33 vjeç, lindur në Lushnjë banues në Tiranë, ish punonjës në Shpsf “Rogat”
Ditjon Memlika, 31 vjeç, lindur në Tepelene dhe banues ne Tiranë, ish efektiv në forcat ushtarake
Neim Avdulaj, 28 vjeç, lindur në Vlorë dhe banues në Tiranë, ish ushtar profesionist në forcat ushtarake te Zallherrit.
Ernest Kupa, me banim në Krujë, me biznes privat.
U shpallën në kërkim shtetasit me iniciale M.A., dhe Ç.A. dhe po punohet për kapjen e tyre. Janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, vlera monetare të konsiderueshme në valutën paund, dollarë amerikane, kanadezë dhe australianë, euro dhe lekë shqiptare, (kartëmonedha këto të deklaruara në transportet monetare të vlerave të bankave respektive).
Është provuar tërësisht mekanizmi dhe roli i gjithë të dyshuarve të përfshirë në këto 2 ngjarje, duke nisur nga marrja e informacionit mbi lëvizjen e eskortës, vëzhguesit dhe personat që kanë kryer goditjen me armë. Grupi hetimor vijon me intensitet punën për identifikimin e personave të tjerë të mundshëm, të implikuar në këto ngjarje, por edhe për zbardhjen e ngjarjeve të tjera kriminale. Gjithashtu, po vijon puna për dokumentimin e grabitjes se ndodhur në datë 13.02.2015, në një bankë të nivelit të dytë pranë stacionit te trenit.
Drejtoria e Policisë Tiranë, blindohet me froca speciale
Automjete të blinduara, efektivë me veshje dhe armë të rënda. Kjo ka qenë pamja e Drejtorisë së Policisë së Tiranës pasditen e sotme, kur me pranga në duar janë futur brenda ndërtesës dy nga personat e arrestuar si autorë të grabitjes së 9 shkurtit 2017, por edhe të 3 dhjetorit 2015. Policia ka krijuar një kordon sigurie përreth Policisë së Tiranës, duke mos lejuar as gazetarët apo kamerat të afrohen, duke shmangur çdo rrezik të mundshëm për sigurinë e të arrestuarve. 
Sigal