Aksidenti i Vlorës, pranga shefit të hetimit

530
Kater  ditë pas aksidentit tragjik në Vlorë, kur adoleshenti Kristo Panajoti humbi jetën, pasi makina me të cilën udhëtonte ra në gropën e hapur për punimet e Lungomares, Sektori i Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA) Vlorë ka prangosur shefin e hetimit të aksidenteve në këtë qytet.
Sigal

“Sot në orën 04:00 u arrestua punonjësin e Policisë Komisar Myslym Ismailaj, 55 vjeç, me detyrë shef i Seksionit për Hetimin e Ngjarjeve të Qarkullimit Rrugor pranë D.V.P. Vlorë”- thotë ministria.

Sipas saj, punonjësi i policisë Myslym Ismailaj në cilësinë e Oficerit të Policisë Gjyqësore (OPGJ) ka kryer veprimet proceduriale, lidhur me ngjarjen e ndodhur në datë 26 nëntor 2016, në  rrugën pranë Ujit të ftohtë, në qytetin e Vlorës, ku humbi jetën shtetasi K.P. dhe ngeli i plagosur shtetasi P.B.

“Sipas hetimeve, në datë 29 nëntor 2016, rreth orës 10:00, Ismailaj ka hyrë në ambientet e dhomës së spitalit ku ndodhej i shtruar shtetasi i plagosur në aksident P.B. dhe pasi ka nxjerrë familjarët nga dhoma, i ka kërkuar këtij të fundit të deklarojë se ka probleme me shikimin”- thuhet në njoftim.

Sipas hetimeve, ai këtë e ka bërë për të devijuar hetimin, “se shkak i  aksidentit ka qenë shikimi i dobët i drejtuesit të mjetit dhe jo mungesa e sinjalistikës rrugore në vendin e aksidentit, duke ushtruar presion ndaj të riut dhe tentuar të favorizojë firmën e ndërtimit të rrugës”.

Pas kryerjes së veprimeve të para hetimore, materialet do t’i referohen Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë për veprat penale të ‘’Shpërdorimit të detyrës’’, “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës” dhe “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike“, parashikuar nga nenet 248, 301 dhe 245/1 të Kodit Penal.